36-vjetori i rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

Sot mbushen 36 vjet nga rënia e dy dëshmorëve të Kombit, Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia nga Komuna e Podujevës. Fahriu dhe Afrimi ranë më 2 nëntor 1989, në Bregun e Diellit në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut. Fahri Fazliu, u lind në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës. Shkollën…

Lajme

02/11/2025 08:38

Sot mbushen 36 vjet nga rënia e dy dëshmorëve të Kombit, Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia nga Komuna e Podujevës.

Fahriu dhe Afrimi ranë më 2 nëntor 1989, në Bregun e Diellit në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut.

Fahri Fazliu, u lind në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës edhe në demonstratat e vitit 1981. Ai aktivitetin e tij në çlirim të atdheut do ta vazhdojë gjatë tërë kohës edhe në vendin e tij të punës dhe kudo ku i jepej mundësia.

Afrim Zhitia u lind në vitin 1965 në Llugë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Më 1984 arrestohet bashkë më shokë dhe dënohet me katër vjet burg.

Kështu më 2 nëntor të dy, Afrimi dhe Fahriu, u rrethuan në lagjen Kodra e Diellit nga UDB-ja serbe dhe prej orës 12:45 deri në ora 19:00 të shtënat nuk janë ndalur, ku bien heroikisht të dy atdhetarët.

Me rastin e 36-vjetorit të rënies heroike të Heronjve të Kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, sot mbahen homazhe për nder të jetës dhe veprës së tyre, nga ora 12:00 në Varrezat e Dëshmorëve, Velani – Prishtinë, varret e Heronjve të Kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, dhe në ora 13:00 homazhe në vendin e rënies, në Bregun e Diellit, Prishtinë./kp