Kritika ndaj Gjykatës Kushtetuese e prokurorët i quanin “frikacakë”- Sulmet e vazhdueshme të pushtetit ndaj sistemit të drejtësisë

Qeveria dhe Lëvizja Vetëvendosje, të udhëhequr nga Albin Kurti, edhe vitin që lam pas kanë vazhduar me sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, më konkretisht ndaj Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës Kushtetuese. Varësisht nga rrethanat dhe motivet, eksponentë të lartë, përfshirë ministra të Qeverisë, nuk i kanë kursyer kritikat e ashpra, herë-herë me akuza të rënda. Këto…

Lajme

04/01/2025 23:16

Qeveria dhe Lëvizja Vetëvendosje, të udhëhequr nga Albin Kurti, edhe vitin që lam pas kanë vazhduar me sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, më konkretisht ndaj Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës Kushtetuese.

Varësisht nga rrethanat dhe motivet, eksponentë të lartë, përfshirë ministra të Qeverisë, nuk i kanë kursyer kritikat e ashpra, herë-herë me akuza të rënda. Këto sulme kryesisht kanë ardhur nga kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e zëvendësi i saj, Blerim Sallahu.

Prokuroria Speciale më së shumti u kritikua për “vonesa në ngritjen aktakuzave”, kurse Gjykata Kushtetuese për “pengim të reformave”.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës së datës 24 korrik, i pari i Qeverisë, kishte kritikuar Prokurorinë e Kosovës që s’ka ngritur ende aktakuzë për Milan Radoiciqin, edhe pas 10 muajve të sulmit terrorist të Banjskës, teksa tha se prokurorisë nuk iu deshën më shumë se 10 orë për ta intervistuar ministren Haxhiu për një postim në Facebook.

“Sot janë bërë fiks 10 muaj nga vrasja e heroit Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveqanit, në mbrojtje të ligjshmërisë së vendit dhe të integritet të Republikës. Në Kosovë ende nuk është ngritur aktakuzë ndaj Milan Radoiçiqit dhe terroristëve të tjerë të grupit të tij, nga ana e sistemit tonë të drejtësisë. Në Serbi, Radoiçiqi është i lirë. Prokurorisë sonë nuk i kanë mjaftuar 10 muaj, por nuk iu deshën më shumë se 10 orë për ta marrë në pyetje ministren tonë të Drejtësisë, zonjën Albulena Haxhiun për një postim në Facebook”, kishte thënë kryeministri.

Haxhiu ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale pasi kishte deklaruar se grupe kriminale të lidhura me pushtetin në Serbi kanë gisht në arratisjen e disa të burgosurve në Kosovë.

Rasti tjetër kur kryeministri Kurti kishte goditur Prokurorinë Speciale ishte për punën e saj në ndjekjen penale dhe gjykimin e kriminelëve të luftës edhe në mungesë të tyre.

Kurti pati thënë se aktakuzat e ngritura për gjykim në mungesë për krimet e luftës “mund të numërohen në gishta”, duke shtuar se Prokuroria Speciale duhet të jetë më aktive dhe efikase që të sjellë kriminelët para drejtësisë.

“Janë bërë pesë vjet prej kur institucioneve tona të drejtësisë u është mundësuar ndjekja penale dhe gjykimi i kriminelëve të luftës edhe në mungesë të tyre. Pesë vjet nga politika shtetërore që sjellë mundësi më të shpejtë për drejtësi. Pesë vjet nga thirrjet e para për të shfrytëzuar aparaturën shtetërore në dispozicion për të ngritur aktakuza kundër kriminelëve e krimeve të tyre monstruoze kundër popullit tonë. Pesë vjet pa rezultat. Aktakuzat e ngritura për gjykim në mungesë për krimet e luftës mund të numërohen në gishta”, ishte shprehur Kurti.

Gjuhën më të rëndë e më të rrezikshme ndaj Prokurorisë Speciale e kishte përdorur zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili kishte shpërndarë një postim të publikuar nga drejtori i Financave në Telekomin e Kosovës, Feim Kelmendi, në të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës kritikohet ashpër. Madje përdoren edhe shprehje skandaloze si “Prokuroria Speciale veç nëse na kapen për aty ku s’thuhet” e “organizatë kriminale”.

Përveç Prokurorisë, edhe Gjykata Kushtetuese ishte në shënjestër të pushtetit.

Me dërgimin e ligjeve nga opozita, rrjedhimisht rrëzimin e tyre, pushteti e akuzoi se “po pengonte reformat në drejtësi” dhe se “po vononte ndjekjen e krimit”.

Gjatë prezantimit të buxhetit të vitit 2025 në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti pati thënë se Gjykata Kushtetuese më shumë bën bilanc politik sesa që ndan drejtësi.

“Kjo gjykatë, që më shpesh bën bilanc politik sesa ndan drejtësi, na rrëzoi njërin ligj — atë për çmimin tavan — ndërsa e miratoi tjetrin, atë për pagën minimale. Dëm, gjithsesi. Për të parin, sepse nuk hyri kurrë në fuqi, dhe për të dytin, sepse zbatimi i tij u vonua për një vit”, ishte shprehur i pari i Qeverisë.

Kurti pati reaguar edhe ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke thënë se me këtë vendim Kushtetuesja “ka vonuar ndjekjen e krimit dhe reformën në drejtësi”.

Ligji tjetër i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, ai për Këshillin Prokurorial, pati nxitur reagimin e ministres Haxhiu.

Sipas saj, ky vendim përbënte goditje në reforma në drejtësi.

“Prej korrikut të vitit 2022 ky projektligj është në Gjykatën Kushtetuese pra gjashtë muaj që të analizojë këtë. Me këtë përveç që i është dhënë goditjes reformës në drejtësi e kam thënë që mund të na vonojnë edhe zvarrisin, është mbrojtje e koorporatizmit”, pati thënë Haxhiu.

Ndërkaq, “ballafaqimi” i fundit i pushtetit me sistemin e drejtësisë ishte ftesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës për kryeministrin Albin Kurti për të dëshmuar në rastin e skandalit të rezervave shtetërore.

Pas kësaj ftese, nuk munguan edhe sulmet e eksponentëve ndaj Prokurorisë, duke e akuzuar atë për ndërhyrje në zgjedhje.

E para e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e pati kritikuar Prokurorinë Speciale se po “zhvillon luftë speciale ndaj kryeministrit Kurti”.

“Rasti i rezervave shtetërore ka ndodhur gjegjësisht para më shumë se 1 viti, dhe ishte e çuditshme se si prokuroria në kohën kur kryeministri Kurti, si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryesia e LVV-së diskutonin për listën e kandidatëve për deputetë, njoftohem nga kryeministria që për të paska ardhur një ftesë në cilësinë e dëshmitarit në raport me këtë rast. Sigurisht që nuk ishte diçka e habitshme, por në fakt është një tregues i qartë i luftës speciale që kjo prokurori po e bënë kundrejt kryeministrit Kurti”, thoshte Haxhiu.

Këtij pretendimi iu kishte bashkuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, duke pyetur “pse kjo nguti i nderuar prokuror? Fushata fillon ne janar”.

Edhe shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, kishte dal kundër kësaj thirrje, duke thënë se “Prokuroria po kërkon që ta dëmtojë Lëvizjen Vetëvendosje”, dhe se “nuk ka synim tjetër përveç tendencës për njollosje”.

Më larg kishte shkuar anëtari i partisë në pushtet në KQZ, Sami Kurteshi, i cili në llogarinë e tij në Facebook i kishte quajtur “frikacakë” prokurorët e Prokurorisë Speciale, duke aluduar se ata që e kanë nënshkruar ftesën, i përkasin partive opozitare.

Kurti nuk iu kishte përgjigjur pozitivisht thirrjes, madje, sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, kryeministri “ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët”.

Kryeziu, që i pari kishte njoftuar për thirrjen e Prokurorisë për Kurtin, pati thënë se “përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025”.

Ndaj këtyre akuzave dhe gjuhës së pushtetit ndaj sistemit të drejtësisë ka pasur reagime edhe nga vet Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Pas fjalimit të Kurtit në Kuvendin e Kosovës ku po raportonte për punën e Qeverisë, ai pati kritikuar sistemin e drejtësisë se nuk po e zbardhte rastin e Astrit Deharit. Pas kësaj deklarate, kishte reaguar KPK-ja duke thënë se “kryeministrit po keqinformon qëllimisht publikun” dhe “se një qasje e tillë dëmton funksionimin e institucioneve demokratike”.

Përveç kësaj, KPK-ja pati reaguar edhe pas miratimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës nga ana e Qeverisë. Në një deklaratë për media, KPK-ja kishte akuzuar ashpër Qeverinë Kurti se po tenton ta kap dhe dirigjojë Sistemin Prokurorial.

“Kjo praktikë e njëanshme e miratimit të akteve ligjore, tregon qartazi se Qeveria e Kosovës dhe shumica në Kuvendin e Kosovës, me vetëdije dhe në emër të reformave, synojnë të bëjnë të kundërtën e reformës, pra bllokimin dhe defunksionalizimin e sistemit prokurorial”, thuhej ndër të tjerash në reagim.

Të zëshëm ndaj këtyre sulmeve të pushtetit ndaj Prokurorisë e Kushtetueses ishin edhe përfaqësues të shoqërisë civile si dhe njohës të kësaj sfere. Ata kanë kërkuar nga pushteti që të tërhiqet nga këto kritika sepse, sipas tyre, një gjë e tillë është ndërhyrje në drejtësi.

Këshilli Prokurorial i Kosovës pati reaguar edhe ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me një postim në të cilin akuzon qeverisjet e kaluara dhe sistemin prokurorial për mosvullnet për trajtimin e krimeve të luftës.

Në reagimin e KPK-së thuhet se deklarata e ministres Haxhiu nuk është e vërtetë ngase KPK ka caktuar katër prokurorë në Departamentin për Krime të Luftës në Prokurorinë speciale.

“E pavërteta e thënë nga Ministrja Haxhiu është e dëshmuar lehtë, me marrjen e mandatit të ish-Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, janë marrë veprime konkrete si: janë lëshuar 72 urdhërarreste ndërkombëtare për arrestimin e të dyshuarve për krime lufte, janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore në drejtim të zbulimit të kryesve të veprave penale dhe kundër urdhërdhënësve, janë ngritur dhjetëra aktakuza, është përgatitur baza e të dhënave në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për rastet e krimeve të luftës dhe është harmonizuar kjo databazë me atë të Policisë së Kosovës. Me iniciativën e ish- Kryeprokurorit Lumezi është përgatitur dhe miratuar Strategjia për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Këto dhe shumë veprime të tjera janë ndërmarrë, janë duke u ndërmarrë në baza ditore për hetimet e krimeve të luftës në Kosovë”, thuhet në reagim.

Në fund, KPK vlerëson vlerëson lartë angazhimin dhe gatishmërinë profesionale të ish-Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në forcimin e Prokurorit të Shtetit si një institucioni i qëndrueshëm dhe i gatshëm për t’u ballafaquar me rastet me të rënda në Republikën e Kosovës, të cilat deri në vitin 2015 ishin në kompetencë të EULEX-it.

Siç duket ky vit mbyllet sërish me “problemet” Qeveri-Drejtësi, e të cilat sipas të gjitha gjasave po bëhen nga “pakënaqësia” që qeveritarët po shprehin ndaj funksionimit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë.

E padyshim se një ndryshim mjaftë i madh do të jetë nga janari e tutje kur në krye të Gjykatës Kushtetuese apo asaj më të rëndësishmes sa i përket vendimeve politike në vend do të vendoset dikush tjetër.

Nuk dihet nëse Qeveria e Kosovës dhe zyrtarët në përgjithësi do të kenë qasjen e njëjtë ndaj kësaj gjykate, siç e kanë pasur deri më tani mjaftë të zëshme e kritike./Lajmi.net/