Rrugë të papërfunduara nga 2009, ekskavator që “ndryshken” nga mos-puna e urë 38 metra që s’u punua- Infrastruktura e dështuar brenda vitit

Baltë, gropa të mëdha në rrugë e kolona të gjata kanë karakterizuar vitin 2024 për qytetarët që e kanë filluar dhe mbaruar ditën duke kaluar nga katër rrugët magjistrale të cilave nuk iu shihet fundi i punimeve. Edhe në ditët e fundit të këtij viti, infrastruktura rrugore mbetet një nga sfidat më të mëdha në…

Lajme

31/12/2024 19:59

Baltë, gropa të mëdha në rrugë e kolona të gjata kanë karakterizuar vitin 2024 për qytetarët që e kanë filluar dhe mbaruar ditën duke kaluar nga katër rrugët magjistrale të cilave nuk iu shihet fundi i punimeve.

Edhe në ditët e fundit të këtij viti, infrastruktura rrugore mbetet një nga sfidat më të mëdha në Kosovë, pavarësisht premtimeve të përsëritura nga qeveritë e njëpasnjëshme.

Projektet për përmirësimin e rrugëve magjistrale, si Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Pejë dhe Prishtinë-Gjilan, kanë shënuar vonesa të mëdha dhe dështime në përmbushjen e afateve, duke shkaktuar pakënaqësi te qytetarët dhe duke penguar zhvillimin ekonomik të vendit, shkruan lajmi.net.

Edhe gjatë vitit 2024, këto rrugë vazhdojnë të mbeten të papërfunduara, ndërsa sfidat me shpronësimet, mungesën e fondeve dhe keq-menaxhimin e projekteve kanë zvarritur progresin. Këto raste shfaqin një realitet të përbashkët: hendeku mes premtimeve politike dhe realizimit praktik të projekteve jetike për qytetarët e Kosovës.

Gjatë këtij artikulli do të bëhet një përshkrim i shkurtër i rrjedhës së punimeve në katër rrugët magjistrale të Kosovës.

Rruga magjistrale Prishtinë-Mitrovicë – Filluar në vitin 2009

Rruga magjistrale Prishtinë-Mitrovicë është një nga projektet infrastrukturore më të rëndësishme të vendit, kjo për shkak se ndikon në zhvillimin ekonomik të Kosovës por edhe në atë social e strategjik.

Kjo rrugë lidh mes vete dy qendra të rëndësishme urbane siç janë Prishtina dhe Mitrovica duke ndihmuar në transportin e mallrave dhe qarkullimin e njerëzve si dhe ndihmon tregtinë e lidhjet ndërkomunale. Kjo rrugë do të lehtësonte edhe lëvizjen e produkteve industrial nga Mitrovica drejt tregjeve të tjera të vendit dhe jashtë tij.

Përveç saj, Mitrovica ndodhet afër kufirit me Serbinë duke bërë kështu që të ketë një popull etnikisht të përzier dhe për këtë arsye kjo rrugë është jetike për integrimin ekonomik dhe shoqëror të veriut të Kosovës me pjesën tjetër të vendit.

Kjo rrugë do të lehtësonte gjithashtu aksesin në atraksione turistike të Mitrovicës siç janë minierat.

Duke u kthyer tek pjesa më e rëndësishme, përfundimi i kësaj rruge do të ulte numrin e aksidenteve dhe do të rriste efikasitetin e transportit.

Ky projekt i cili ka gjatësi prej 40 kilometrash kap vlerën e mbi 100 milionë euro dhe ka rëndësi shumë të madhe. Por e keqja e gjithë kësaj është se kjo rrugë nuk ka përfunduar tash e 15 vite duke kaluar kështu nëpër “duart” e shumë kompanive e duke u drejtuar nga shumë ministra të Infrastrukturës e krerëve të Qeverisë.

Rruga Prishtinë-Mitrovicë ka filluar në vitin 2009 kur shtetin e udhëhiqte Partia Demokratike e Kosovës në krye me kryeministrin Hashim Thaçi ndërsa ministër të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limajn.

Atë kohë, u premtua se ajo rrugë do të përfundonte deri në vjeshtën e atij viti por kjo nuk ndodhi, shkruan lajmi.net.

Qeveria u ndërrua, ndërsa punimet në rrugën Prishtinë-Mitrovicë nuk u përshpejtuan ndonëse kjo u premtua.

Që nga viti 2014-2017 Qeverinë e Kosovës e udhëhoqi koalicioni LDK-PDK në krye me kryeministrin Isa Mustafa ndërsa Ministër i Infrastrukturës atë kohë ishte Lutfi Zharku.

Ndonëse u premtua shumë se do të përshpejtohen punimet në këtë rrugë, projekti vazhdoi të përballej me vonesa dhe sfida të ndryshme.

Bashkë më ndërrimin e Qeverisë, në vitin 2017 u ndërrua edhe partia që udhëhiqte duke drejtuar shtetin kështu kryeministri Ramush Haradinaj ndërsa Ministrinë e Infrastrukturës udhëhiqte Pal Lekaj.

Ministri Lekaj fitoi vota duke premtuar përfundimin e shpejtë të rrugës dhe adresimin e problemeve të mëparshme, por megjithatë, punimet nuk arritën të përfundonin gjatë mandatit të tij.

Njëherë Albin Kurti, pastaj Avdullah Hoti e përsëri Albin Kurti drejtuan shtetin duke premtuar përfundim të rrugës e cila u stërzgjat. Në shkurt të vitit 2024, Ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu i Qeverisë Kurti 2 ka thënë se rruga Prishtinë-Mitrovicë përfundon “këtë vit” por kjo nuk ndodhi.

Ai pati njoftuar se ka nënshkruar kontratë me një kompani për përfundimin e ndërtimit të segmentit përfundimtar të rrugës që nisi të zgjerohej në vitin 2009 por as kjo kontratë nuk kreu punë.

Ministri Aliu ka thënë se segmenti deri në Vushtrri do të përfundoj deri në fillim të vitit 2025.

Edhe sot, në ditët e para të vitit 2025 rruga nuk ka përfunduar ende ndërsa e gjithë kjo stërzgjatje i adresohet disa problemeve siç janë shpronësimi i tokave, proceset burokratike dhe mospajtimet me pronarët e tokave, pastaj kontraktorët joefikas dhe performanca e dobët e disa kompanive duke detyruar ndërprerjet e punimeve dhe zëvendësimin e tyre. Mungesa e fondeve dhe buxhetit të pamjaftueshëm e planifikimi I dobët kanë qenë edhe dy arsyet e tjera të mos përfundimit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë tash e 15 vite.

Rruga magjistrale Prishtinë-Podujevë – Filluar në vitin 2015

Rruga Prishtinë-Podujevë është një arterie kryesore që lidh kryeqytetin e Kosovës me qytetin e Podujevës dhe më tej.

Si pothuajse çdo projekt tjetër infrastrukturor në Kosovë, edhe rruga Prishtinë-Podujevë ka kaluar vite që kur ka filluar të ndërtohet ndërsa fundi i saj shihet larg.

Planifikimi i zgjerimit dhe rehabilitimit të kësaj rruge kishte filluar që nga mandati i PDK-së gjatë viteve 2009-2014 kur kryeministër ishte Hashim Thaçi por që kishte mbetur vetëm e planifikuar dhe punimet nuk kanë filluar.

Punimet për fillimin e kësaj rruge nisën në vitin 2015, rrugë kjo që është e gjatë 30 km dhe kap vlerën rreth 40 milionë euro kur Qeverinë e udhëhiqte kryeministri Isa Mustafa me ministër të Infrastrukturës Lutfi Zharkun.

Në vitin 2018, kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj me ministër të Infrastrukturës, Pal Lekajn punimet në këtë rrugë rifilluan, shkruan lajmi.net.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti 1, pushtetin e mori Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ndërsa Ministrinë e Infrastrukturës e udhëhiqte Lumir Abdixhiku.

Ata premtuan që rruga Prishtinë-Podujevë do të përfundonte brenda 365 ditëve por kaq ditë nuk iu zgjati as udhëheqja e tyre e shtetit. Punimet rifilluan në korrik të vitit 2020 për të mos përfunduar përsëri.

Pasi zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021-tës i fitoi Albin Kurti, ministër të Infrastrukturës e emëroi Liburn Aliun ata riafirmuan angazhimin për përfundimin e  rrugës Prishtinë-Podujevë, duke premtuar se punimet do të përfundonin brenda një viti.

Në tetor të vitit 2024, ministri Aliu ka deklaruar se segmenti Lluzhan – Podujevë është përfunduar, ndonëse disa punë shtesë mbeten për t’u kryer. Ai ka thënë se, megjithatë, gjithë rruga është kontraktuar dhe aktualisht ndodhet në fazën e fundit të punimeve.

Ai ka potencuar se punimet po ecin më shpejt se rrugët e tjera dhe se ka pasur një përpjekje të veçantë për të zgjidhur çështjet e shpronësimeve në kohë, pavarësisht disa vështirësive.

Megjithatë, afatet e premtuara u tejkaluan, dhe deri sot në ditët e para të vitit 2025 rruga ende nuk është përfunduar plotësisht, duke shkaktuar pakënaqësi te qytetarët dhe përdoruesit e rrugës.

Gjashtë vite pas nisjes së punimeve në këtë rrugë, ajo nuk ka përfunduar për shkak të pengesave në shpronësime të tokave, kontraktorëve të cilët nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre, buxhet të pamjaftueshëm dhe planifikim të dobët.

Kjo rrugë po paraqet probleme serioze qytetarëve të cilët udhëtojnë dhe punojnë në Prishtinë, si dhe po e vështirëson transportin e mallrave të cilat importohen dhe eksportohen në Serbi pasi që qyteti i Podujevës është një ndër urat kryesore lidhëse të Kosovës me Serbinë përmes pikës kufitare në Mërdarë.

Rruga magjistrale Prishtinë-Pejë – Filluar në vitin 2018

Rruga Prishtinë-Pejë është rrugë tjetër e një rëndësie të veçantë që lidh kryeqytetin e Kosovës me qytetin e Pejës, duke kaluar përmes qyteteve si Fushë Kosova, Obiliqi, Drenasi dhe Klinë. Ky projekt ka qenë pjesë e planeve infrastrukturore të qeverive të Kosovës gjatë viteve, me synimin për të përmirësuar lidhjen mes këtyre qyteteve dhe për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.

Ky projekt i gjatë 30 kilometra ka filluar me disa punime përgatitore gjatë vitit 2018 kur kryeministër i Kosovës ishte Ramush Haradinaj dhe ministër i Infrastrukturës ishte Pal Lekaj.

Punimet në këtë rrugë rifilluan në vitin 2020 kur Ministrinë e Infrastrukturës e udhëhiqte Lumir Abdixhiku nga LDK ndërsa Qeverinë kryeministri Avdullah Hoti. Përsëri afatet e premtuara u tejkaluan dhe rruga mbeti e papërfunduar.

Me ardhjen në Qeveri të Lëvizjes Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin, dhe me ministër të Infrastrukturës Liburn Aliun u premtua se kjo rrugë magjistrale do të përfundoj brenda një viti.

Mandati i kësaj Qeverie do të përfundoj në shkurt të vitit 2025 kur edhe do të mbahen zgjedhjet, por rruga nuk ka përfunduar ende.

Si në çdo rrugë tjetër, shkaqet e këtyre vonesave vazhdojnë të mbeten të njëjta, shkruan lajmi.net.

Rruga Prishtinë-Pejë tash e gjashtë vite që kur ka filluar të ndërtohet ka vështirësuar tejmase udhëtimin e qytetarëve të rajonit të Dukagjinit si dhe ka penalizuar zhvillimin ekonomik të asaj ane.

Kjo rrugë po pengon edhe në zhvillimin e turizmit duke marrë parasysh bukuritë natyrore që ka qyteti i Pejës dhe i gjithë rajoni. Gjithashtu, për shkak të mos përfundimit të kësaj rruge shpenzimet e krerëve qeveritarë që vizitojnë rajonin e Dukagjinit janë më të mëdha si dhe bashkë më shpenzimet ata humbin edhe më shumë kohë në rrugë.

Si duket, krerët e Qeverisë nuk e vizitojnë shumë Pejën dhe nuk po iu pengon kjo zvarritje e punimeve tash e gjashtë vite.

Autostrada Prishtinë-Gjilan – Filloi më 2018

Anamorava vazhdon të mbetet një rajon shumë i rëndësishëm i Kosovës pasi që lidh Kosovën me vendet e tjera të rajonit.

Për të bërë një lidhje me të lehtë të qytetit të Gjilanit me kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën në vitin 2018 kryeministri i Kosovës atë kohë Ramush Haradinaj me ministër të Infrastrukturës Pal Lekajn kanë filluar ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan me gjatësi mbi 20 km e në vlerë prej 126 milionë eurove.

Ky projekt pritej dhe premtohej të përfundonte në vitin 2020, por edhe tani 5 vite më pas nuk ka përfunduar ende.

Pas një “bllokade” të punimeve të kësaj autostrade, ato kanë rifilluar në vitin 2020 kur Qeverinë e Kosovës për më pak se një vit e udhëhiqte kryeministri nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ndërsa Ministrinë e Infrastrukturës e drejtonte Lumir Abdixhiku.

Afatet të cilat u premtuan edhe nga kjo parti në pushtet u tejkaluan dhe rrugën e gjeti të papërfunduar edhe Lëvizja Vetëvendosje kur morri pushtetin.

Pas fitores së 14 shkurtit të vitit 2021, kryeministri Albin Kurti u rikthye në pushtet pasi u rrëzua në vitin 2020. Kurti me ministrin e Infrastrukturës Liburn Aliu riafirmuan angazhimin për përfundimin e rrugës Prishtinë-Gjilan, duke premtuar se punimet do të përfundonin brenda një viti.

Tre vite pas këtij premtimi, në janar të 2024 ministri Aliu përsëriti premtimin për përfundimin e projektit, duke deklaruar: “Do të arrijmë t’i përmbyllim projektet si ajo Prishtinë-Gjilan” .

Autostrada Prishtinë-Gjilan madje mbete një nga projektet që i krijonte më së shumti “nervoza” ministrit Aliu.

Ai s’ka hezituar që gjatë vitit të thotë se edhe përton të flasë për këtë projekt infrastrukturor.

Autostrada për Gjilan vazhdon të mbetet “ëndërr” pasi projekti në të është gjysmak, veçse i nisur e vështirë i përfunduar edhe vitet e ardhshme.

Edhe tani, në fillim të vitit 2025 një muaj para se Qeveria Kurti 2 të kryej mandatin autostrada Prishtinë-Gjilan nuk ka përfunduar duke ia lënë “përgjegjësi” Qeverisë së ardhshme e cila do të fitoj zgjedhjet e 9 shkurtit.

Gjatë gjithë këtyre viteve zvarritje, partitë në pushtet u arsyetuan se shembjet e dheut, shpronësimi i tokave dhe mosrespektimi i kontratave nuk i kanë lejuar ta përfundojnë këtë projekt.

Zvarritja e këtyre punimeve është bërë një sfidë e madhe për banorët e Gjilanit dhe fshatrave për rreth pasi që të njëjtit janë të rrezikuar nga aksidentet gjatë udhëtimit në këtë rrugë.

Edhe transporti publik është bërë më i vështirë pasi që rruga Prishtinë-Gjilan po zgjat shumë prandaj edhe qytetarët po i shmangën këtij lloji të transportit.

Ura e Badovcit – U mbyll në vitin 2023 ende nuk është përfunduar  

Ura e Badovcit, e cila është e gjatë vetëm 38 metra tash e më shumë se një vit ka mbetur e mbyllur për qarkullim.

Në prill të vitit 2023, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në krye me ministrin Liburn Aliu mbylli urën ekzistuese pas vlerësimeve që tregonin rrezik për udhëtarët.

Si masë e përkohshme, u hap një rrugë alternative për të mundësuar qarkullimin deri në ndërtimin e urës së re.

Më 10 janar 2024, MMPHI nënshkroi një kontratë me kompaninë “Dreni Inginiering” për ndërtimin e urës së re, me vlerë 468,522 euro dhe afat për përfundimin e punimeve brenda 125 ditëve.

Punimet filluan, menjëherë pas dy muajsh më 6 mars 2024  ato u ndalën për shkak të rritjes së nivelit të ujit në Liqenin e Badovcit, që pengonte ndërtimin e themeleve të urës.

MMPHI deklaroi se po shqyrtonte mundësi alternative për themelimin e pilotave dhe themeleve, duke bërë ndryshime në projekt për të vazhduar punimet sa më shpejt.

Deri në dhjetor 2024, punimet për ndërtimin e urës së re kanë përparuar ndjeshëm, me përfundimin e mbi 99% të projektit. Kjo tregon se projekti po shkon drejt finalizimit, megjithëse afatet e parashikuara fillimisht janë tejkaluar, shkruan lajmi.net.

Dje, zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se Ura e Badovcit është asfaltuar dhe ka filluar vendosja e sinjalizimit vertikal ndërsa posa të përfundoj edhe sinjalizimi horizontal ura do të hapet për qarkullimin e automjeteve.

Gjatë periudhës së mbylljes së urës dhe punimeve ndërtimore, qytetarët kanë shfrytëzuar rrugë alternative, shpesh të paasfaltuara, për të udhëtuar mes Prishtinës dhe Gjilanit e kjo ka shkaktuar vështirësi dhe vonesa në qarkullim.

Me përfundimin e plotë të urës së re, pritet që qarkullimi në këtë segment të normalizohet, duke ofruar një infrastrukturë më të sigurt dhe efikase për përdoruesit e rrugës.

Vonesat e shumta të këtyre rrugëve disa prej të cilave edhe kanë kaluar një dekadë prej kur kanë filluar janë një shqetësim i madh për qytetarët e Kosovës.

Qeveria e re e cila do të fitoj zgjedhjet më 9 shkurt te vitit 2025 do të jetë shpresë për qytetarët në raport me këto projekte infrastrukturore të cilat kanë vështirësuar jashtë mase veprimtaritë e përditshme të qytetarëve.

Rrugët që lidhin Prishtinën me qytetet e tjera kyçe si Mitrovicë, Podujevë, Pejë dhe Gjilan janë më shumë se thjeshtë projekte infrastrukturore – ato janë arterie jetike për zhvillimin e Kosovës.

Kosova ka nevojë për rrugë të përfunduara që të mund të ndërtoj ura të forta mes rajoneve, të përmirësoj komunikimin dhe të hap mundësi të reja për të ardhmen.

Çdo metër e përfunduar e këtyre rrugëve ndihmon qytetarët e Kosovës të ushtrojnë veprimtaritë e tyre brenda dhe jashtë qyteteve të tyre. /Lajmi.net/