30 zyrtarë policorë të arrestuar për nëntë muaj, 74 u suspenduan

21:49 | 29 Nentor 2021

Anipse janë në shërbim të qytetarëve, raste të shumta pati gjatë viteve të fundit kur zyrtarët policorë kanë thyer rregulloren e për këtë shkak edhe janë marrë masa ndëshkuese ndaj tyre.

Por sa prej zyrtarëve policorë u përballën me ankesa nga qytetarët e Kosovës?

Vetëm gjatë periudhës nëntë mujore, janar-shtator 2021, Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar 1 mijë e 564 ankesa për zyrtarët e ndryshëm policorë.

Kjo gjë është bërë e ditur në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga Inspektorati i Policisë së Kosovës.

“Gjatë periudhës kohore 01.01.2021 deri me 30.09.2021, IPK-ja ka pranuar 1564 ankesa prej të cilave 519 raste/ankesa janë përcjellë për hetim preliminar në Departamentin e Hetimeve, ndërsa me numër penal nga ankesat e pranuara janë regjistruar gjithsej 124 raste (1019 ankesa apo 65 % e tyre janë dërguar në Drejtorinë e Hetimeve të Brendshme dhe Verifikim të Kaluarës në Policinë e Kosovës për hetim disiplinor)”, u tha nga IPK.

Në të njëjtën periudhë kohore, Inspektorati Policor i Kosovës, saktësisht Departamenti i Hetimeve me autorizim të Prokurorit si dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arrestuar 30 zyrtarë policorë.

Përpos kësaj është rekomanduar suspendimi i 74 zyrtarëve policorë dhe një nga stafi civil.

Poashtu nga IPK-ja është bërë edhe rekomandimi për transferin e gjashtë zyrtarëve policorë.

Në kuadër të hetimeve që janë bërë për ankesat drejtuar zyrtarëve policorë gjatë këtij nëntë mujori me Kallëzim Penal në Prokuroritë kompetente janë dorëzuar 49 raste.

Me raport të veçantë kanë qenë 21 raste, dy me raport informues, kurse në proces janë 52 raste me numër penal.

Ndërsa sa i përket ankesave që janë bërë në vitin e kaluar nga IPK është theksuar se ka patur gjithsej 1.658 ankesa të pranuara në mënyra të ndryshme.

“35% të tyre janë orientuar për hetim penale në Departamentin e Hetimit. Pjesën e mbetur prej 65% i kemi orientuar për hetim disiplinor Divizionin e Hetimeve të Brendshme dhe Verifikimin e të Kaluarës në kuadër të Policisë së Kosovës”.

Gjatë kësaj kohe janë realizuar shtatë inspektime të planifikuara dhe të jashtëzakonshme si dhe janë kontrolluar qindra dosje administative si (penale, financiare, prokurimit) dhe të tjera.

Nga IPK është thënë se janë hetuar 377 punonjës dhe janë ngritur 82 kallëzime penale ndaj të dyshuarve për vepra të ndryshme.

“Kemi arrestuar 38 punonjës dhe qytetarë nën dyshimin për përfshirje në krim. Kemi rekomanduar transferimin e 1 punonjësi policor. Kemi rekomanduar suspendimin e 83 punonjësve policorë”.

Duhet përkujtuar që Policia e Kosovës vazhdon të mbetet një nga institucionet më të besueshme nga qytetarët në vendin tonë./Lajmi.net/