Tri llojet e narkotikëve që u gjetën më së shpeshti- Shqetësues fakti se janë mbi 40 mijë përdorues, mosha e tyre nga 16 në 30 vjeç
Kosova edhe gjatë vitit 2024 ishte në përballje sfiduese me narkotikët. Prania e një numri të madh të llojeve të narkotikëve në vendin tonë, shpesh herë u bë shqetësuese për shumë prej qytetarëve. Përpos rasteve të shumta të cilat u zbuluan ku po shitej e po bliheshin narkotikë të shumtë, në vendin tonë pati raste…
Lajme
Kosova edhe gjatë vitit 2024 ishte në përballje sfiduese me narkotikët.
Prania e një numri të madh të llojeve të narkotikëve në vendin tonë, shpesh herë u bë shqetësuese për shumë prej qytetarëve.
Përpos rasteve të shumta të cilat u zbuluan ku po shitej e po bliheshin narkotikë të shumtë, në vendin tonë pati raste ku u zbuluan edhe laboratorë ku prodhoheshin droga të ndryshme.
Policia e Kosovës është në këtë vit sfiduese e kishte zvogëlimin e numrit të narkotikëve të cilët gjenden në vendin tonë, si dhe ndalimin e përdorimit të tyre
Madje nën pranga ranë edhe zyrtarë policorë të cilët u zunë me narkotikë.
Ani pse sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, tek ne janë konfiskuar bimë të shumta e substanca nga më të ndryshmet narkotike.
Ky fenomen thuajse s’ka të ndaluar pasi pasi vetëm nga muaji janar e deri më nëntor të këtij viti nga Departamenti i hetimeve të policisë së Kosovës në kuadër të narkotikëve kanë bërë të ditur për lajmi.net se kanë qenë 21 raste ku janë konfiskuar 7121 bimë dhe janë arrestuar 23 persona.
E përpos që këto narkotikë gjenden anembanë vendit, nga Policia theksohet se janë disa rajone ku ka prani më të madhe të narkotikëve dhe të atyre që bëjnë blerjen dhe shitjen e tyre.
Sipas Departamentit të Hetimeve në lidhje me bimët kanabis sativa, regjionet të cilat prijnë me numër më të lartë janë Peja, Gjakova dhe Mitrovicë e Veriut.
“DHTN lidhur me bimët kanabis sativa me tepër ka gjetur ne Regjionet Peje, Gjakove dhe Mitrovice Veri”, thuhet në përgjigje.
Sipas policisë, në Kosovë aktualisht mbeten tetë lloje të substancave narkotike të cilat kanë qenë më prezente.
Tri substancat e para të konfiskuara më tepër nën vend mbesin, Marihuana, Heroina dhe Kokaina, gjë e cila paraqet shqetësim serioz tek qytetarët.
E sidomos dy drogat e fundit të lartpërmendura të cilat kanë një rrezik tejet të lartë për jetën e një personi e të tjerëve përreth tij.
Në kuadër të konfiskimeve që ka bërë policë në vitin që lamë pas theksohet se nga marihuana pati më tepër konfiskim, derisa renditen edhe drogat e tjera:
Marihuanë: 1276 kg 502 gr
Heroinë : 27 kg 883 .94 gr
Kokainë : 13 kg 997.25 gr
Hashash : 98.73 gr
Ekstazi : 3 kg 791 gr
Fara kanabisi : 26.5 gr
MDMA: 314 gr
Ephedine: 853.50 gr
E në Kosovë të blesh narkotikët është bërë shumë e lehtë dhe e thjeshtë. Mjafton t’ua japësh paratë e shitësit i gjen gjithku. Madje shqetësuese është fakti se blerjet shpesh herë bëhen përreth objekteve shkollore, e në parqe.
Një vend shumë i rrezikshëm në kryeqytet vazhdon të jetë Parku i Qytetit ku blerësit shpesh herë e marrin mallin e caktuar në pikë të ditës.
Ngjashëm situata është edhe në qytetet e tjera, si në Gjilan në afërsi të stadiumit.
Mos-prania e mjaftueshëm e zyrtarëve policorë në këto zona si dhe mosluftimi adekuat nga organet e hetuesisë në përgjithësi në vendin tonë, numri i përdoruesve të droga është shqetësues e gjithnjë në rritje.
E në kuadër të raportimeve 24 orësh thuajse çdo ditë ka raportime të gjetjes së narkotikëve, më tepër nga lloji i marihuanës.
E laboratori i fundit i cili u zbulua ishte ai në fshatin Sllakovc i epërm Komuna e Gjilanit.
“Sot, me datën 19.12.2024, njësitet e antidrogës kanë realizuar planin taktik të koduar “QAFA 2”, me ç‘rast është realizuar bastisje/kontroll në fshatin Sllakovc i epërm Komuna e Gjilanit, ku gjatë aksionit policor në vendin e ngjarjes janë arrestuar 2 persona të dyshuar shtetas sllovakë me iniciale (N.H. dhe L.A.), të cilët ishin në cilësi të personave ekspertë, duke përpunuar substancat kimike narkotike dhe personi i tretë pronari i shtëpisë me iniciale (S. I.) shtetas kosovar.Të dyshuarit brenda shtëpisë në dy lokacione (dhoma) kanë improvizuar një laborator klandestin me pajisje për përpunim të substancave kimike, duke vendosur aparaturë dhe preparate të nevojshme kimike dhe ishin në proces të përpunimit të prodhimit të drogës sintetike, e dyshuar e llojit Methaphetamine. Në vendngjarje vërehet substancë e lëngët prekusor (acid), sasia mbetet të konfirmohet, një pjesë e përpunuar në formë të ngurtë dhe një pjesë rreth 10 litra në proces ende e lëngët”.
Kurse rreth 40 mijë përdorues të drogës konsiderohet se janë në Kosovë, prej tyre afër 10 mijë janë në kategorinë e përdoruesve problematikë. Kështu thonë nga Qendra Rehabilituese “Labiyrinth” në Prishtinë. Ndërsa nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës thonë se prej vitit 2019, nuk kanë vende të lira për arsye të numrit të madh të përdoruesve.
Sipas tyre, mosha mesatare e përdoruesve sillet rreth 30 vjeç ndërsa mosha mesatare e atyre që fillojnë të përdorin narkotikë është 16 vjeç.
Muharrem Ademi nga Qendra Rehabilituese “Labiyrinth” në Prishtinë, pati deklaruar se kjo qendër ka prezantuar situatën aktuale mbi përdorimin e drogave, ofrimin e shërbimeve dhe trajtimit të përdoruesve të drogave në Kosovë.
“Në bazë të statistikave në bazë të punës tonë të përditshme në terren edhe kërkesave për trajtim ne aktualisht besojmë dhe vlerësojmë se në Kosovë janë diku rreth 30 mijë përdorues aktiv të drogave prej tyre janë rreth 10 mijë përdorues problematikë të drogave. Ne përdorues problematikë i quajmë personat të cilët përdorin së paku tri herë brenda javës, apo personat të cilët janë të varur prej substancave narkotike”, ka thënë Ademi.
“Na e kemi një data bazë ku secili person që kërkon ndihmë në qendrën tonë ne i regjistrojmë mirëpo jo secilin person ne e regjistrojmë, ne e regjistrojmë persona të cilët kërkojnë ndihmë ma të thellë edhe mjekësore ose që marrin shërbime pak më të thella jo çdo person edhe dëshiron të identifikohet. Ne aktualisht i kemi 2850 persona në databazën tonë ku prej tyre rreth 91% janë meshkuj dhe rreth 9 % janë gra dhe vajza. Mosha mesatare e gjithë këtyre përdoruesve sillet rreth 30 vjeç, ndërsa mosha mesatare e fillimet të përdorimit të drogave është 16 vjeç”, ka thënë Ademi./Lajmi.net/