28 Nëntori nuk e mohon shtetin e Kosovës

Historiani Jusuf Buxhovi thotë se në 101 vjetorin e shtetit shqiptar, politika dhe politikanët duhet t’ia kthejnë 28 Nëntorit vendin e vet në Kosovë. Sipas tij, zyrtarizimi i festës së Ditës së Flamurit nuk e mohon shtetin e Kosovës.

Lajme

28/11/2013 06:00

Shqipëria sot mbush 101 vjet.

Është festë e bashkimit dhe e kujtimit të rrugëtimit të gjatë të popullit shqiptar, me plot sfida e vështirësi.

Dita e Flamurit, si ditë e krenarisë për shqiptarët, gjithmonë është shënuar me emocion të veçantë në Kosovë. Por, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, 28 Nëntori më nuk është festë zyrtare.

Historiani dhe shkrimtari i njohur, Jusuf Buxhovi, thotë se kësaj feste duhet t’i kthehet vendi i vet në Kosovë.

Ai thotë se zyrtarizimin e kësaj feste në Kosovë e ka penguar politizimi dhe spekulimet e ndryshme kuazipatriotike, me të cilat zytarizimi i saj është dukur sikur e mohon shtetin e Kosovës.

Por, sipas tij, kjo nuk qëndron. Prandaj, ai kërkon që politika dhe politikanët të përpiqen që kësaj feste t’ia kthejnë vendin e vet, jashtë spekulimeve politike.

Buxhovi, në një intervistë për lajmi.net, flet për pikat e dobëta dhe ato të forta të popullit shqiptar në këto 101 vjet.

Lajmi.net: Sot festohet 101 vjetori i Pavarësisë. Sipas jush, cila është perspektiva e kombit tonë? Cilat janë pikat e forta dhe ato të dobëta të popullit shqiptar në Ballkan?

Buxhovi: Pyetja Juaj, si e përmbledhur, ka dy fytyra: atë historike dhe atë politike. Sa i përket pamjes së parë, pra asaj historike, ajo në 101 vjetorin, tashmë po plotësohet dhe thuajse është në përputhje me konceptin e rilindasve tanë, të cilët të ardhmen e popullit tonë e shihnin në gjirin e familjes europiane prej nga ata para pesë shekujsh dhunshëm ishin nxjerrë.

Edhe pse projekti i  rilindasve rreth të  ashtuquajtures Shqipëri Osmane (një vilajet autonom i  përbashkët shqiptar nga katër sosh që ishin), si një fazë kalimtare kah Shqipëria Europiane, që do të sendërtohej sapo të shembej Perandoria Osmane, e cila në atë rrugë ishte qysh nga Kriza Lindore e tutje, në Konferencën e Londrës, me pranimin e një Shqipërie të përgjysmuar, mori epilogun e një ndarje tragjike shqiptare, që do të vazhdojë thuajse për një  shekull, megjithatë, me krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, çështja e hapur shqiptare, po i afrohet epilogut të përafërt me atë që ia parashihnin rilindasit, që do të thotë se  ajo po merr përgjigjen e drejtë historike.

Kur thuhet “përafërsisht”, atëherë duhet pasë parasysh edhe çështjen e  Maqedonisë, si një shtet ku Shqiptarët janë në rrugë që me arritjen e popullit shtetformues në të (status ky që shfaqet si garantues i vetëm i këtij shteti), të plotësojnë pjesën e fundit  të kuadratit të këtij mozaiku. Mund të thuhet se me zgjidhjen e drejtë të statusit të shqiptarëve në Maqedoni (vetëm si shtetformues), çështja shqiptare merr përgjigjen historike.

Megjithatë, pamja tjetër – ajo politike, shfaqet si emërues i përbashkët që do të përcaktojë perspektivën dhe ardhmërinë  e shqiptarëve brenda për brenda familjes europiane, pikërisht siç e parashihnin rilindasit tanë.

Shikuar nga kjo pikë, mund të thuhet se shqiptarët kanë një perspektivë të mirë, meqë i kanë që të gjitha mundësitë që nepërmes projektit të integrimeve europiane të bëhen pjesë e Europës së Bashkuar. Pra, e ardhmja e shqiptarëve është në duart e tyre. U mbetet që t’u kthehen postulateve të lirisë dhe të demokracisë, si dhe vlerave qytetëruese, për t’u bërë pjesë e projektit politik dhe ekonomik europian. Natyrisht se, për ndryshim prej herave të tjera, kur shqiparët ishin objekt dhe mall për kusuritje, tash janë subjekt i rëndësishëm.

Lajmi.net: Nëpër intervista ju vazhdimisht shpreheni kritik ndaj spektrit politik në Kosovë dhe në Shqipëri. Si e vlerësoni shkallën e emancipimit politik të shqiptarëve? Cilat janë mundësitë për përmirësimin e nivelit të politikëbërjes tek ne?

Buxhovi: Intelektuali duhet të jetë përherë kritik ndaj politikës, qoftë edhe atëherë kur ajo është stabile. Por, të jesh kritik ndaj politikës së sotme (në Prishtinë dhe Tiranë) është më shumë se aq, pikërisht pse ndodhemi në një proces shumë të rëndësishëm politik dhe shoqëror,ku çështja shqitare, siç e pamë më parë, duhet të marrë përgjigjen përfundimtare në përputhje me interesat tona.

Dhe, për ta marrë këtë përgjigje, klasat politike në Tiranë dhe Prishtinë kanë përgjegjësi tepër të madhe, përgjegjësi kjo që fillon nga dhënia e dëshmive thuajse në të gjitha fushat, nga ato politike dhe shtetërore e deri te korpusi i lirive dhe të drejtave të njeriut, si vlera të përgjithshme cilivlizuese.

Në këtë aspekt i rëndësishëm është funksionimi i shtetit të ligjit, si dhe luftimi i çdo forme të korrupsionit, që, si duket, ka filluar të shfaqet si një pikë e zezë.

Lajmi.net: Si shkrimtar dhe historian, çfarë mendimi keni për nivelin e letërsisë dhe historiografisë shqiptare?

Buxhovi: Letërsia te ne, si dhe gjithë veprimtaria tjetër shpirtërore, përjetoi në mënyrë të veçantë ato që përcollën fatin tonë qoftë gjatë kohës së paraluftës dhe të luftës, qoftë atë të tranzicionit, kur u vendos protektorati ndërkombëtar. Edhe pse kohët e krizave të mëdha në njëfarë mënyre paraqesin inspirim për krijuesit, megjithatë, krijuesit tanë gjatë këtyre viteve më shumë u morën me statusin e tyre të rrënuar shoqëror dhe ekzistencial, sesa me krijimtarinë.

Kjo ka bërë që , me ndonjë përjashtim, të mungojnë veprat e rëndësishme, ndërkohë që dolën në pah veprat mediokre, të cilat janë të pashmangshme kur mungojnë veprat e autorëve të mirë.

Kujtoj se anemia krijuese te ne nuk mund të shihet jashtë klimës shoqërore dhe politike në përgjithësi, si dhe depresionit që shfaqet me këtër rast.

Ndërsa sa i përket nivelitit të historiografisë dhe gjendjes së saj, mund të thuhet se ndryshe nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhen krijuesit, ajo ndodhet para një krize që ka të bëjë me mosaftësinë që të përballojë klishetë dhe ngarkesat ideologjike nga e kaluara, si dhe mendësinë e trashëguar nga trysnia e historiografisë serbomadhe e ushtruar gjatë kohë prej saj.

Ç’është më keq, historiografia institucionale në Prishtinë dhe Tiranë  jo vetëm që nuk po tregon gatishmëri që të merret me rishqyrtime të domosdoshme, siç janë ato që deri më dje i ka penguar ideologjia, por krahas mospunës, po bën çmos që t’i mbrojë pozicionet antihistorike, pa ngurruar që të pengohen edhe ata që individualisht përpiqen të bëjnë diçka.

Edhe pse shteti i Kosovës tashmë është shpallur dhe ai duhet ta ketë historinë e shkruar, historiografia jonë nuk po bën asgjë në këtë drejtim, ndonëse Institutit Historik, Institutit Albanologjik, Katedrave, si dhe Akademisë së Shkencave u janë plotësuar që të gjitha kushtet për punë sa më të mirë. Dhe, këtu shfaqet absurdi: ka kushte tepër të mira për punë, por nuk ka punë!

Madje, duke i mbetur besnik parimit të jopunës dhe të moslëvizjes, Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës jo vetëm që nuk ka bërë asnjë përpjekje t’i kundërvihet sado pak propagandës hegjemonsite të historiografisë së Beogradit, pasi ata edhe më tutje shkruajnë libra “për Kosovën djep të serbizmit”, e të tjera, me të cilat mbushin bibliotekat botërore, por pranojnë anëtarë akademie një historian (Schmitt), i cili haptas fyen dhe mohon historinë shqiptare nga Skënderbeu e deri te mohimi i autoktonisë shqiptare nga antikiteti e tutje!

Lajmi.net: 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë, ende nuk është festë zyrtare në Kosovë. Si e konsideroni këtë fakt?

Buxhovi: Padyshin se 28 Nëntori paraqet një ngjarje të veçantë për çdo shqiptar, jo vetëm pse lidhet me shpalljen e shtetit shqiptar, por pse kjo ditë paraqet një emblembë të pashlyeshme të shqiptarizmit si një gjendje e përhershme identifikuese shpirtërore.

Andaj, si e tillë, ajo duhet të ketë vendin e veçantë qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, apo tutje ku gjenden shqiparët, duke u shënuar me pietet.

Natyrisht se kësaj i ka penguar politizimi dhe spekulimet e ndryshme kuazipatriotike, me të cilat zytarizimi i kësaj feste është dukur sikur e mohon shtetin e Kosovës, gjë që nuk mund të jetë kështu.

Pra, duhet që politika dhe politikanët të përpiqen që kësaj feste t’ia kthejnë vendin e vet, jashtë spekulimeve politike.