26 vjet nga çlirimi i Shqiponjës, Haradinaj: Kurrë s’kam pa njerëz ka ikin si pa kry, sikur serbët nga Jabllanica

Është shënuar sot një prej ngjarjeve më të rëndësishme, 26 vjetori i çlirimit të fshatit Shqiponjë, ish-Jabllanicë të Gjakovës. Me këtë rast janë kujtuar 43 dëshmorët e rënë në luftën për liri në betejat e këtij fshati dhe zonës së Dukagjinit. Homazhe e nderime për të rënët kanë bërë kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, kreu…

Lajme

17/05/2025 13:19

Është shënuar sot një prej ngjarjeve më të rëndësishme, 26 vjetori i çlirimit të fshatit Shqiponjë, ish-Jabllanicë të Gjakovës. Me këtë rast janë kujtuar 43 dëshmorët e rënë në luftën për liri në betejat e këtij fshati dhe zonës së Dukagjinit.

Homazhe e nderime për të rënët kanë bërë kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, kryetari i Gjakovës Ardian Gjini dhe shumë personalitete të tjera.

Ish-komandanti i zonës së Dukagjinit Ramush Haradinaj, tha se edhe më 1914 këtu kishte ndodhur një masakër. Ai më tej tregoi detaje nga beteja.

“Kurrë s’kam pa njerëz ka ikin si pa kry, sikur serbët nga Jabllanica. E morëm një top nga armiku, pasi ua dëmtuam blindën. E modifikuam dhe nisëm me beteja, meqë kishim një top 20 mm. Pra, ta dijnë fëmija se me një top e fituam, po sikur të kishim armë më të mëdha”, shtoi Haradinaj. I tha se një ndër të veçantat ishte se i kanë sulmuar gjatë ditës, duke i zënë në befasi.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, tha se Jabllanica, Gllogjani e Prekazi ishin tri pikat kryesore të UÇK-së. Jabllanica ishte çliruar nga forcat serbe më 17 maj të vitit 1999, duke u bërë ndër vendet e para që e përzunë armikun.

Kurse, Xhavit Jashari nga organizata e familjeve të dëshmorëve kërkoi institucione që e respektojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.