26 vjet nga çlirimi, Barduani bën homazhe për misionin më të madh të NATO-s
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, kryesoi sot ceremoninë përkujtimore që shënoi 26-vjetorin e themelimit të KFOR-it, të mbajtur në kampin “Film City”, në Prishtinë. Ai e hapi atë me vendosjen e një kurore dafine në monumentin e të Rënëve në Shtabin e KFOR-it, transmeton KosovaPress. Siç njofton KFOR, në ceremoni morën pjesë personel nga të…

Lajme
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, kryesoi sot ceremoninë përkujtimore që shënoi 26-vjetorin e themelimit të KFOR-it, të mbajtur në kampin “Film City”, në Prishtinë.
Ai e hapi atë me vendosjen e një kurore dafine në monumentin e të Rënëve në Shtabin e KFOR-it, transmeton KosovaPress.
Siç njofton KFOR, në ceremoni morën pjesë personel nga të gjitha 33 vendet kontribuese me trupa, përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s.
“Sot, ne nderojmë angazhimin dhe trimërinë e ushtarëve të KFOR-it, të cilët e vunë veten në rrezik në krye të detyrës për të siguruar paqen dhe stabilitetin për të gjitha komunitetet në Kosovë, nën një mandat të OKB-së. Që nga fillimi i Misionit në vitin 1999, dyqind e njëzet anëtarë të shërbimit të KFOR-it kanë humbur jetën gjatë shërbimit. Shembulli i tyre duhet të frymëzojë detyrat tona të përditshme në përmbushjen e misionit të KFOR-it”, citohet gjenerali Barduani në komunikatë.
“Si misioni më i gjatë në historinë e Aleancës Atlantike dhe aktualisht më i madhi, KFOR-i pasqyron angazhimin e qëndrueshëm dhe të prekshëm të NATO-s për të ruajtur sigurinë në të gjithë Kosovën dhe stabilitetin rajonal. Përpjekjet e KFOR-it mbeten themelore në mbështetjen e progresit të nevojshëm politik drejt stabilitetit afatgjatë në rajon”, shtoi ai.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.