22 vjet nga rënia e mjekut dhe humanistit Shpëtim Robaj

Sot mbushen 22 vjet qëkur mjeku dhe humanisti Shpëtim Robaj ra në luftë derisa po shkonte për të shëruar plagët e luftëtarëve të lirisë dhe popullatës civile.

Lajme

30/09/2020 07:56

Robaj u lind më 15 tetor 1957 në Prizren. Mësimet fillestare i mori në shkollën “Meto Bajraktari” në Prishtinë, ku asokohe ishte shpërngulur familja e tij. Shkollën e mesme e mbaroi në Gjimnazin “Sami Frashëri”. Kreu me sukses edhe Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.

Ai duke qenë mjek atdhetar dhe humanist i shquar qysh në fillim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shfaq interesim për të ndihmuar luftën dhe të plagosurit. Me këtë qëllim patriotik, pa vonuar kontakton me drejtuesit e Spitalit ushtarak në Likoc të Drenicës qysh në prill 1998, përmes Imer Halimit.

Ndihma e tij si anesteziolog në shërimin e luftëtarëve dhe eprorëve të UÇK-së, ishte e pazëvendësueshme, pasi pikat shëndetësore nuk kishin pajisje të tilla të domosdoshme.

Merita e tij është blerja dhe vendosja e teknikës së Rentgenit me pajisjet përkatëse në Likoc, teknika u bart nga Zenel Kastrati dhe Shaban Hoxhaj.

Në pranverë dhe në verë të vitit 1998, Shpëtim Robaj merr pjesë në trajtimin mjekësor dhe në shërimin e shumë luftëtarëve të lirisë, por edhe të pjesëtarëve të popullatës civile në Breshanc, Ponorc, Gradicë, Senik, Gajrak dhe në pika të tjera shëndetësore të luftës.

Me të dëgjuar lajmin për masakrën e kryer nga forcat serbe kundër familjes Deliu në Abri të Drenicës, Shpëtim Robaj së bashku me mjekët Cen Bytyçi, Ilir Tolaj, Osman Sejfijaj, Ymer Aliu dhe një ekip të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, niset në drejtim të Abrisë, me qëllim të ndihmojë të plagosurit e shumtë, por kamioni në të cilin ndodheshin bie në minat e vendosura nga okupatori serb, si rezultat i së cilës merr plagë vdekjeprurëse.

Lajmi për rënien e doktor Shpëtimit u prit me pikëllim në familje dhe te kolegët e tij.

Familja Robaj ka marrë mirënjohje për dëshmorin, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme, shoqatat humanitare shëndetësore etj.

Për jetën dhe veprën e dëshmorit Shpëtim Robaj është shkruar monografia “Dr. Shpëtimi shpëtimtar jete” nga autorët Ilaz Metaj dhe Ali Llunji.