21 vjet nga rënia e Ismet Jasharit

Janë bërë 21 vjet nga rënia e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari, I njohur si Komandant Kumanova.

Lajme

25/08/2019 08:40

Ismet Jashari lindi në fshatin Orizare të Kumanovës më 16 prill të vitit 1967. Ai ishte i biri i Jashar Jasharit e i nënë Nuries. Mësimet fillore i mori në vendlindje, ndërsa në vitin 1982 u regjistrua në Gjimnazin e Kumanovës.

Ai ishte ndër të parët që mori pjesë në themelimin e fondit “Vendlindja thërret”. Ky fond u bë bazë kryesore e logjistikës dhe e financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Menjëherë pas epopesë së Prekazit, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, militanti i përkushtuar i luftës çlirimtare Ismet Jashari bën përgatitjet e fundit për të hyrë në Kosovë.

Më 11 mars të po atij viti, ai, bashkë me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Mirush Dakën, Bekim Berishën, Agim Bajramin e të tjerë, futet në zonat ku po vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe arrin në Likoc të Drenicës, ku asokohe ndodhej baza më e rëndësishme e UÇK-së.

Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari caktohet me detyrë ushtarake në zonën e Llapushës, me qëllim të zgjerimit dhe konsolidimit të radhëve të ushtrisë çlirimtare.