2020, vit i mbrapshtë i Kosovës

Shkruan: Ismail SYLA

Opinion

12/12/2020 10:28

1.
Viti 2020 në tërësi po shkon si vit i pandemisë, vit i Covid-19. Vetëm në Kosovë nga infeksionet me këtë virus vdiqën 1.161 persona. Çrregullimi i jetës është i dukshëm edhe në mesin tonë. Pasojat kanë filluar të ndjehen në proporcion me përmasat e të gjitha fushave të jetës, aq sa përfaqëson Kosova në rajon e më gjerë, si ekonomi, jetë institucionale dhe qarkullim të mallrave dhe njerëzve.
2.
Më 24 qershor 2020 doli në pah ajo që me vite sillej si një re e zezë mbi kokën politike të Kosovës. Një komunikatë e Gjykatës Speciale e bëri të ditur për opinion publik se subjekt i Prokurorisë së Dhomave të specializuara ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Kjo komunikatë ishte minë e kurdisur që shpërtheu gjatë orarit të udhëtimit të presidentit Thaçi drejt Uashingtonit.
3.
Zhvillimet ndërmjet periudhës 24 qershor deri më 5 nëntor 2020 karakterizohen me pritje të afatit gjashtëmujor se a do ta nënshkruaj aktakuzën a jo gjykatësi i procedurës paraprake. Dy gjëra që mua më bënë përshtypje të thellë ishin, nën një: arrestimi i krerëve të OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Ngucatit. Ata u viktimizuan si “cjepër biblikë” nga Gjykata Speciale në vend të atyre që i bën të rrjedhin dokumentet konfidenciale të EULEX-it, dhe, nën dy: deklarimi i avokatit të populli të Gjykatës Speciale Pietro Spera, i cili godet “viktimat”, e zakonisht ombudspersoni “anon” nga pala e dëmtuar.
4.
Më 5 nëntor 2020 u realizua një akt me peshë dramatike. Arrestimi i presidentit Thaçi. Prej ambicies së prokurores Carla del Ponte që “të ketë punë me të” pas përfundimit të luftës dhe deri te dita e dorëheqjes nga posti i presidentit gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregull, ka një hark kohor 21 vjeçar. Hashim Thaçi pas përfundimit të luftës ishte pjesë e çmilitarizimit të UÇK-së, e krijimi të partisë politike (PDK), e fitoreve të zgjedhjeve më 2007. Ishte kryeministër që shpalli pavarësinë e Kosovës dhe që e drejtoi qeverinë e vendit deri më 2014. Në vazhdim qe zëvendës kryeministër dhe prej 7 prillit 2016 President i Kosovës.
5.
Arritja e një momenti kur vihen pranga në duart e një lideri meritor për historinë e re të Kosovës, njeriut që kryesoi delegacionin e Kosovës në Rambouillet, njeriut që shpalli pavarësinë e Kosovës, politikanit dhe diplomatit më properëndimor që ka prodhuar historia e Kosovës, nuk është aspak e lehtë për vetë qenësinë e kombit. Jashtë botës së kundërshtarëve politikë, jashtë qarqeve armiqësorë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, arrestim i njerëzve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit etj) është goditje, fyerje dhe prekje e integritetit kombëtar dhe historik të Kosovës.
6.
Shprehje e frymës perëndimore dhe e lojalitetit, e jo miopi politike, ishte edhe themelimi i Gjykatës speciale me seli në Hagë. Thirrja për qetësi dhe “dorëzimi” paqësor gjatë procedurës së arrestimit është shprehje e seriozitetit dhe kulturës së burrështetasve që përcaktim jetësor i kanë veprimet madhore në favor të ngritjes dhe forcimit të shtetësisë së Kosovës.
7.
Në tekstin e aktakuzës së redaktuar, të publikua nga Gjykata Speciale e Hagës, gjen kuptimin e saj shprehja shqipe “pllakos”, kur diçka e fortë dhe me peshë të rëndë, si pllaka e shtëpisë, të bie mbi kokë. Është fajësimi për krime kundër njerëzimit. Ta ngarkosh UÇK-në ke krime kundër njerëzimit dhe ta baras vlerësosh atë me krimet e ushtrisë dhe policisë serbe të periudhës së Sllobodan Millosheviqit është huqja më e madhe e vënë në krahët e peshores së drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare. Analisti britanik James Pettifer në librin “Ekspresi i Kosovës” më së miri e gjen relacionin dhe proporcionin e UÇK-së dhe ushtrisë serbe. Derisa shteti serb kishte një ushtri me doktrinë dhe hierarki shtetërore, sipas tij UÇK-ja kishte tri elemente: kallashnikovin, NOKIA-n dhe çorganizimin.
8.
Ndryshimi i narrativit historik, devijimi dhe rishkrimi i historisë së Kosovës është i dukshëm dhe i kamufluar në tekstin e aktakuzës. Derisa në paragrafët 13, 14 dhe 15 të “Historikut” përmendet emri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në paragrafin e 16 tek “Elementët kontekstualë” papritmas UÇK-ja shndërrohet në NKP (Ndërmarrje Kriminale të Përbashkët) e cila paska kryer “një sulm gjerësisht të përhapur ose sistematik kundër popullatës civile të kundërshtarëve (përkufizuar më poshtë) në Kosovë dhe në zona të Shqipërisë Veriore”. Si duhet kuptuar sintagmat “ sulm gjerësisht i përhapur” dhe “kundër popullatës civile të kundërshtarëve”. Thua në Kosovë kishte luftë civile gjerësisht të përhapur mes shqiptarëve!
9.
Në paragrafin e 17 dalin përmasat e gjoja trysnisë “mbi popullatën e vënë në shënjestër në tërësi, për të parandaluar kundërshtimet ndaj UÇK-së/QPK-së dhe për të detyruar bashkimin absolut rreth tyre. Të bësh një veprim të caktuar mbi popullatën në tërësi dhe të arrish rreth vetes bashkimi absolut, nuk është luks i asnjë sistemi diktatorial dhe i asnjë totalitarizmi kudo në botë.
10.
Ndërkaq, në paragrafin 25 formulohet një qëndrim shumë problematik dhe kontestues lidhur me intervenimin e NATO-s dhe largimin me dhunë të shqiptarëve nga Kosova të bërë nga forcat ushtarake dhe policore serbe: “Më 24 mars 1999, forcat e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (‘NATO’) filluan bombardimet ajrore kundër caqeve në Kosovë dhe Serbi. Si pasojë, dhe për shkak të operacioneve në shkallë të gjerë të forcave të RFJ-së, ushtarë të UÇKsë dhe një numër shumë i madh civilësh shqiptarë të Kosovës shkuan nga Kosova në Shqipëri, ku UÇK-ja kishte tashmë objekte dhe personel të saj.”
Në këtë paragraf nënkuptohet se një numër shumë i madh i civilësh shqiptarë nuk u dëbuan me dhunë, po shkuan (vullnetarisht) në Shqipëri si shkak i bombardimeve të NATO-s dhe operacioneve të forcave të RFJ-së. Është për keqardhje që planifikim dhe ekzekutimi i spastrimit etnik të Kosovës të përshkruhet me fjalën “u larguan”. Ky interpretim i dëbimit të gjysmë milioni shqiptarë nga vendi i tyre është shumë i favorshëm për shtetin diktatorial të Milosheviqit.
11.
Historiani francez Serge Matais në shkrimin e tij “Kosovë. Cila është dobia e një gjykate të posaçme dhe a ia vlen të hiqet qafe?”, pos tjerash flet edhe për arsyen pse të mos kthehet kjo gjykatë në Kosovë. Arrestimet e bëra kanë shkaktuar fenomenin e rënies së pllakës mbi kokë. As për Perëndimin demokratik dhe liberal nuk është mirë që UÇK-ja të konvertohet në NKP. Besoj që koha do të tregojë se shoshitja e njerëzve të UÇK-së në Hagë s’është gjë tjetër pos kënaqje e një trilli ndërkombëtar, ndërprerje e karrierës politike të disa protagonistëve, fatkeqësi individuale e të arrestuarve për të kaluar kohën e çmuar në burg, vënie në vështirësi ekonomike dhe shpirtërore të familjeve të tyre etj.

Prishtinë, 11 dhjetor 2020.