2018 – Viti i ndryshimeve të mëdha në NBA

2018 ishte një nga vitet më spektakolare në ligën më të fortë të basketbollit në botë, NBA. Kampionët mbetën të njëjtit (Golden State Warriors), megjithatë spektakli shfaqej në secilën palestër.

Sport

02/01/2019 21:02

Fillimi i 2018-ës tregoi akterët e njëjtë dhe dominuesit e njëjtë. Ishte LeBron James, ikona e NBA, i cili i vetëm, duke bartur skuadrën e Cleveland Cavaliers, dështoi t’i ndalonte kampionët e Golden State për titullin e kampionit.

“Mbreti James” pati një nga performancat më të mira të vitit që po e lëmë mbrapa, në ndeshjen e parë finale të Play Off 2018, kur realizoi plot 51 pikë, por përsëri, si pasojë e mungesës së ndihmës nga shokët e skuadrës, dështoi të mposhtë kampionët në fuqi.

Pas finaleve të Play Off, ishte vera e këtij viti që na tregoi disa nga lëvizjet më të mëdha në NBA, jashtë fushave. Kalimi i LeBron James tek LA Lakers, shkëmbimi Demar DeRozan – Kawhi Leonard, kalimi i Demarcus Cousins në Golden State, ishin disa nga lëvizjet që kanë afektuar ecurinë e edicionit të ri.

Nga fillimi i vitit, kur Golden State të udhëhequr nga Stephen Curry e Kevin Durant ishin të pandalshëm, madje duke fituar finalet e Play Off kundër Cleveland Cavaliers me totalin e ndeshjeve 4:0, tashmë gjërat kanë ndryshuar.

Skuadra e Toronto Raptors është ajo që regjistron rekordin më të mirë aktualisht. Veriorët nuk kanë të ndalur nën udhëheqjen e dyshes Kawhi Leonard – Kyle Lowry. Raptors deri më tani regjistrojnë një rekord prej 26 fitoreve dhe 11 humbjeve.

Në anën tjetër, nënkampionët e Cleveland Cavaliers, janë “të vdekur” që nga largimi i LeBron James. Ata janë kthyer në një nga skuadrat që mposhten me lehtësi, madje rrezikojnë që të mos paraqiten në Play Off të vitit të ardhshëm. Ata regjistrojnë vetëm 8 fitore nga 37 ndeshje, për tu pozicionuar në fund të tabelës në konferencën lindore.

Gjithashtu, nga Russell Westbrook e James Harden që ishin lojtarët më dominues sezonin e kaluar, tashmë kemi një Giannis Antetokounmpo i cili është thjesht i pandalshëm. Greku po regjistron mesatare të çmendur prej 26.6 pikëve për ndeshje, 12.8 kërcimeve dhe 6.1 asistimeve.

Duke pasur parasysh se LeBron James është lojtari më i vlefshëm në NBA, kalimi i tij tek Los Angeles Lakers bëri bujë të madhe. Rezultatet e këtij transferimi po shihen edhe në rezultatet ë kësaj skuadre, e cila tani duket sikur është ringjallur dhe me gjasë do të rikthehet në Play Off.

2018 tregoi edhe një moment shumë emocionues në parketin e skuadrës së Minnesota Timberwolves. Pas disa viteve vuajtje nga lëndimet, ishte koha që “MVP” më i ri në histori të NBA, Derrick Rose të rikthehet me paraqitjet e dikurshme. Rose realizoi plot 50 pikë në ndeshjen kundër Utah Jazz, për të ngritur gjithë palestrën, madje gjithë audiencën e basketbollit në këmbë. Reagime për paraqitjen e tij pati nga gjithë bota, në rrjetet sociale. Prekës ishte momenti kur pas ndeshjes lojtari shpërtheu në lot.

YouTube player

Gara për titullin e kampionit për këtë vit do të jetë shumë më interesante se viteve të fundit. Falë konkurrencës së madhe në konferencën perëndimore, tani nuk ka finale të sigurt për Golden State Warriors, e aq më pak për “mbretin James”, i cili ishte prezent në tetë finalet e fundit të NBA.

Gjithashtu, lufta mes Giannis Antetokounmpo dhe James Harden, për çmimin individual “MVP” do të na përcjelli deri në fund të sezonit./Taulant Gashi/ Lajmi.net/