2014

Ata qe mendojnë se dilema midis Revolucionit dhe Zgjedhjeve është e tepërt, gabojnë keq. Ja një përpjekje për të shpjeguar se pse përgjigja nuk guxon të jetë e thjeshtë.

Opinion

19/02/2014 13:00

* Revolucioni, duke qenë se përmban motivin e ringjalljes, është një vetëvrasje e përkryer.

* Nuk ka shoqëri e politikë serioze që nuk e mendon revolucionin. Qoftë ai i paraqitur si angazhim politik, teknokratik e mediatik në “imtësira dite” që mund të përbëjnë mozaikun e menduar të një revolucioni me kravatë dhe orë, qoftë ai i modelit klasik- si premtim e kërcënim për aksionin e ndërrimit të menjëhershëm të roleve politike e ekonomike. Revolucionet në thelb bëjnë vazhdimin e vërtetë të vargut të profetëve e të profecive të dikurshme që, me kohë, u kthyen në shtatore dhe ideologji varrezash.

* Revolucionet janë gjallë edhe kur nuk janë konkrete as sa germat që shihni tani!

* Bijësia religjioze është evidente: Besimi në masën e gatishmërisë për sakrifikimin njerëzor. Besimi në mrekullinë shndërruese të gjakut. Besimi se rrënimi është ndërtim. Besimi se e ardhmja është e kaluara. Se e kaluara është e ardhmja ë vërtetë. Gjithsesi, besimi se e Mira është Një dhe se e Keqja është Tjetër.

* Shtetet e përgjegjshme bëjnë gjithë ç’është e mundur për t’i shmangur revolucionet. Shtetet e papërgjegjshme digjen nga verbëria ndaj gjërave të padukshme. Por, edhe njerëzit e përgjegjshëm bëjnë po ashtu çmos që, qoftë edhe në trajtën e antidogmës së brishtë ta mbajnë gjallë idenë konfuze dhe mjaft joerektive të evolucionit – në trajtë të rotacionit paqësor të pushteteve, të shmangies së hakmarrjes politike dhe të besimit se gjërat  mund të ndërrojnë pa dhunë .

* Por, shoqëritë  ku është prezente edhe arsyeja, ne trajtë të kalkulimit politik, mbeten  të  vetëdijshme se, në një pikë, revolucioni megjithatë mund të shpërthejë.

* Sepse revolucionet kurrë nuk ndodhin! Revolucionet shpërthejnë! Sepse ato nuk janë ndodhi, por dukuri shoqërore. Gjithsesi, e dimë se shtëpitë e arsyeshme ndërtohen duke supozuar zjarrin, vërshimin, acarin… – natyrën dhe indiferencën e ambiguitetin e egër që i rrethon ato. Dhe kjo, në rrafsh të figurës, nuk mund të mos vlejë për secilën ngrehinë njerëzore. Natyrshëm, edhe shoqëritë dhe politikat e arsyeshme e mendojnë Revolucionin. Qoftë kur dikush është Për e dikush Kundër. Qëndrimet janë, në një rrafsh, unazë në gisht, në vesh ose në hundë –  njëjtë!

* Problemi me Revolucionin është sikur me Vetëvrasjen. Duhet vërtet të besosh se ajo ka çfarëdo Domethënie. Dhe nëse vrasjes, vetëvrasjes, sikur edhe vdekjes, i  japim Domethënie, ne, përmes Vrimës së Zeze së  Marrëzisë, hyjmë, maje gishtash ose me rrapëllimë, në botën që graviton me Ringjalljen. Kemi parë se Revolucionet e suksesshme vërtet kanë arritur ta realizojnë ndërrimin e roleve, por në fakt asgjë tjetër nuk ka ndryshuar – eksploatimi,  vrasjet, burgosjet, dhunimi e terrori mbetën.  Ringjallje e plotë! Prandaj, dyshoj se ia vlen.

* Premtimi i Komunizmit ishte kërcënim konkret për  totalitarizmin dhe aboslutizimin retorik të individit/qytetarit në  Kapitalizëm të Egër. Por, politikat sociale, ideja e përgjegjësisë sociale të shtetit, sidomos në siguri, strehim, shëndetësi e arsim, nuk janë këtu vetëm shkaku i leksioneve të Marksit e Leninit, ose të profecive pararendëse e trashëgimtare, por sepse ngrehina e shtetit bashkëkohor, post-totalitar, ose u takon të gjithëve ose askush nuk ka pse paguan taksa. Dhe nëse Mbreti përpiqet me dhunë, me sakrifica njerëzore, të mbajë gjallë kërcënimin dhe pushtetin, edhe sakrifikimi i tij, në vorbullën e krijuar, bëhet legjitim.

* Por, vendi ynë është, besoj, tepër i vogël për këso temash madhore e radikale. Ngrehina jonë nuk duhet të supozojë vetëm dukuritë  e rrezikshme, që nuk mund të kontrollohen deri në fund, por  duhet të presupozojë edhe Paqen. Thjesht, nuk na shpaguhen revolucionet! As të vërtetit, as të rrejshmit. Nuk na shpaguhet, ta zëmë, që me serbët të ndërrojmë rolet në mënyre revolucionare dhe t’i kthejmë ata në viktima të pasioneve tona elektorale. Kuptohet, nuk na shpaguhet as të mbajmë e arsyetojmë me biografi njerëz që vjedhin shtetin. Por, midis përgjithësimeve diabolike revolucionare që rrënojnë gjithçka, përfshirë edhe besimin në arsyen e shtetit të Kosovës  dhe  identifikim legal  individual të të korruptuarve, unë jam për të dytën –  përkundër mëdyshjeve legjitime në procedura dhe gjykime në një vend të partizuar. Sepse, edhe zgjedhjet janë lloj i gjykimit.

* Për mua, diskursi  revolucionar në Kosovë është vetëvrasës. Jam munduar me vite ta argumentoj këtë dhe ja ku po e bëj sërish. Por, nuk e bëj këtë si një kundërrevolucionar i pozicionuar. E bëj sepse besoj se Kosovës i duhet diçka tjetër. Zgjedhje të rregullta. Rotacion paqësor i pushtetit. Madje, besoj se elektorati  kosovar bën mirë edhe të gabojë! Që të mund të prekë me dorën e vet limitet e veta prej sovrani në një vend të vogël, të varfër e të papërfunduar. Ndoshta, vetëm asisoj kjo shoqëri mund të mjekohet nga iluzionet e sëmura marksiste-leniniste, të pranishme në gjitha partitë e rëndësishme kosovare. Flas për  trashëgimi nacionale politike në diskursin e kërkesave për  një “Kosovë bunker” ose për një “Kosovë të painkuadruar”, që bashkërisht sot luftojnë ashpër  kundër “servilizmit”. Ndoshta, asisoj, përmes gabimeve, shoqëria kosovare do të mund të kuptojë në mënyrë empirike se  “vullneti  i popullit”, sado frazë e bukur politike, megjithatë nuk është më shumë se njëra shtyllë e ngrehinës sonë shtetërore dhe se tjetra shtyllë – “integrimi evropian”, është sa limiti i saj i dhimbshëm aq edhe aleatja e vetme që, bashkë, në rrotullim të pandërprerë, bëjnë  gravitacionin e shtetit kosovar.

* Një nga dëmet evidente politike të diskursit tonë revolucionar është favori  që u bëhet  atyre që janë në pushtet, duke qenë se streha e tyre e vërtetë (dhe shpesh e vetme) retorike është pikërisht përgjithësimi me të cilin ata përballen. Në konforin e përgjithësimeve (shpesh idiotike) revolucionare sekush mund të sigurohet se me dilemën nëse jemi për paqe ose për luftë, për zgjedhje te qeta ose revolucion të dhunshëm, për Perëndim ose për Lindje, për zhvillim të ngadalshëm ose për rrënim dhe rinisje nga pika zero… ata fitoren e kane (politikisht) të dhuruar.

* Një politikë e përgjegjshme shtetërore kosovare duhet të mësohet të menaxhojë me frustrimet tona, shqiptare e serbe, të mësohet t’i adresojë dhe t’i legjitimojë ato, në vend se të përpiqet t’i zhdukë, t’i luftojë ose, për më keq, t’i eksploatojë ato në mënyrë më të rrezikshme se linjitin, duke provokuar  diskurs revolucionar.

* Sërish: Revolucioni, duke qenë se përmban motivin e ringjalljes, është një vetëvrasje e përkryer!  Por, shoqëria e Kosovës, që ende nuk është rimëkëmbur nga situata revolucionare e 90-tave dhe e 99-tës, nuk besoj se ka nevojë për Propagandën e Rrënimit, por për diskutim, ballafaqim, debat dhe oferta konkrete për problemet konkrete. Me një fjalë:  Zgjedhje! Dhe, nëse zgjedhim se ky shtet nuk ia vlen, se këto copa popujsh që janë këtu bashkë nuk ia vlejnë dhe se koha është për kufij të rinj e te pastër, se fitorja sigurohet vetëm nëse bindim shumicën se kush nuk është me neve është tradhtar e  kriminel, se, rrjedhimisht, ekzekutimi retorik është bërë i logjikshëm dhe, prandaj, ekzekutimi fizik bëhet  i ligjshëm, atëherë e paçim veten në qafë…

 

(Ky shkrim është  opinion personal)