200 ‘Plisa’ në Drenas – Këto janë masat e sigurisë që ka marrë skuadra e Feronikelit

E gjithë vëmendja e futbollit kosovar sot do të kaloj në Drenas, në sfidën që do të luhet mes Feronikelit dhe Prishtinës.

Sport

19/05/2019 10:30

Duke pasur parasysh se titulli do të vendoset në këtë përballje të xhiros së fundit, pasi diferenca është vetëm dy pikë mes skuadrave, interesimi për takimin është i lartë.

Feronikeli gëzon epërsinë e dy pikëve, dhe edhe barazimi do të shkonte në favorin e tyre.

Për Prishtinën, situata qëndron më ndryshe, pasi atyre u duhen vetëm tri pikët për tu shpallur kampionë.

Në ndihmë të skuadrës kryeqytetase do të jenë edhe 200 ‘Plisa’, të cilët nga tribunat do të japin maksimumin në përkrahje të skuadrës.

Por, udhëtimi i tyre në Drenas lë të hapur rrezikun për ndonjë incident, pasi tensionet mund të ngritën, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij takimi.

Megjithatë, përgjegjësi për siguri i skuadrës së Feronikelit, Adem Bucolli, ka thënë se të gjitha masat e duhura janë marrë, dhe mundësitë për eskalim të situatës janë minimale.

“Mundësia që të ketë situatë të tensionuar është minimale, pasi kemi marrë të gjitha masat e duhura për sigurinë” ka thënë fillimisht Bucolli për lajmi.net.

“Për të ruajtur rendin dhe sigurinë janë të angazhuara edhe Njesia Speciale e Kosovës si dhe Policia e Kosovës” ka shtuar ai.

Tutje, Bucolli ka cekur edhe raportet e mira me tifozërinë kryeqytetase, duke pritur sjellje korrekte edhe nga ata.

“Kemi raporte të mira me tifozët e Prishtinës, prandaj nuk besojmë se do të ketë ndonjë situatë të pahijshme gjatë këtij takimi që pritet të dhurojë vetëm spektakël” ishin fjalët e Bucollit.

Feronikeli dhe Prishtina do të takohen sot me fillim nga ora 16:00. /Lajmi.net/