200 milionë euro investime në Brezovicë

Kryeministri Thaçi thotë se vitin e ardhshëm do të identifikohet investitori për Brezovicën. Pret hapjen e 4 mijë vendeve të reja të punës. Ai flet edhe për “autostradën energjetike” me Shqipërinë.

Lajme

22/12/2013 09:26

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi paralajmëron vitin e ardhshëm si vit vendimtar për investimet në njërin ndër resorët më të mëdhenj turistik në Kosovë- atë të Brezovicës.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se është i lumtur që Qeveria e Kosovës “në këtë dimër ende pa borë të fundvitit 2013”, para disa javësh ka përfunduar punët përgatitore për investimet e para serioze në pasuritë natyrore – malet e Sharrit dhe në Brezovicë.

“Pres që vitin e ardhshëm të përfundon procesi i ndihmuar nga USAID dhe BE për të identifikuar investitorin, përkatësisht operatorin e jashtëm, që do të revitalizojë qendrën ekzistuese dhe do të investojë në ski-lifte dhe ndërtesa të reja”.

Qendra e Skijimit në Brezovicë

“Gjithë këto në mënyrë te qëndrueshme dhe duke ruajtur bukuritë e natyrës. Ekspertët e jashtëm kanë vlerësuar se rreth 200 milionë euro investime do të krijojnë deri në 4000 vende të reja të punës në komunat që preken nga malet e Sharrit”.

Thaçi gjithashtu ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes Kosovë- Shqipëri për linjën e interkonjeksionit.

Ai ka thënë se me investimin e 75 milionë euro në këtë projekt, pas dy vitesh, shkëmbimi energjetik me Shqipërinë do të trefishohet.

“Bashkëpunimi i mëtutjeshëm në integrimin e ekonomive, e posaçërisht tregjeve turistike me Shqipërinë është esencial, ngase fare lehtë vërehet se qytetarët e Kosovës edhe në vitet në vijim do të verojnë në plazhet e jugut të Shqipërisë, e qytetarët e Shqipërisë do të fillojnë të skijojnë në malet magjepëse të Kosovës.