20 përqindëshi, peng i Bordit të AKP

Vështirësohet procesi për ndarjen e 20 përqindëshit. AKP thotë se në mungesë të një anëtari ndërkombëtar në bordin e Agjencisë, kanë dalë pengesa në procesin e ndarjes së mjeteve.

Lajme

06/12/2013 15:56

Për shkak të mungesës së një anëtari ndërkombëtar në Bordin e Drejtorëve të Agjencionit Kosovar të Privatizimit, procesi i shpërndarjes së 20 përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara është ngadalësuar.

Zëdhënësi  i Agjencisë Kosovare të Privatizimit Ylli Kaloshi ka thënë për lajmi.net se procesi i shpërndarje së 20 përqindëshit po vështirësohet si pasojë e mungesës së një anëtari ndërkombëtar në Bord.

Kaloshi është shprehur se AKP`ja i ka përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme, por për shpërndarjen e këtyre mjeteve nevojitet vota afirmative e 3 anëtarëve ndërkombëtarë në bordin drejtues të kësaj agjencie.

“Mungesa e një anëtari nga stafi ndërkombëtar në Bordin e AKP-së e ka vështirësuar procesin e shpërndarjes së mjeteve kohëve të fundit, pasi që, sipas Ligjit, për çdo shpërndarje të mjeteve nga fondet në mirëbesim duhen votat afirmative të tre anëtarëve ndërkombëtarë në Bordin e Drejtorëve të AKP-së, organ ky vendimmarrës për aktivitetet e Agjencisë”.

Aktualisht Bordi i AKP’së ka vetëm dy anëtarë ndërkombëtarë pasi që një anëtare e Bordit, Bernadette Roberts nga SHBA, kishte dhënë dorëheqje.

“AKP i ka përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme dhe është e gatshme të bëjë menjëherë shpërndarjet e reja, por për këtë ligji kërkon votat afirmative të 3 anëtarëve ndërkombëtar në Bord. Përveç kësaj, Agjencia ka bërë gati shpërndarje të reja edhe për 8 ndërmarrje të tjera shoqërore, për çka po ashtu kërkohen votat afirmative në Bord”.

Sipas Kaloshit, AKP këtë vit ka arritur të shpërndajë rreth 9.5 milionë euro për punëtorët e ndërmarrjeve që janë privatizuar.

“Punëtorët, që në Kosovë janë përfitues të drejtpërdrejt nga shitja e ndërmarrjeve, po marrin pjesën e tyre 20 % nga çmimi i shitjes dhe deri më tani atyre iu janë shpërndarë rreth 80 milionë euro, kurse numri i përfituesve është 38.535 punëtorë.

“Duhet theksuar se procesi i shpërndarjes së 20 % është përshpejtuar dukshëm viteve të fundit nga AKP dhe pritjet e gjata të punëtorëve për të marrë 20 %, që janë demonstruar edhe me protesta tashmë janë të evituara”.

Kaloshi thekson se agjencia është duke shqyrtuar të gjitha mundësitë ligjore për ta mundësuar procesin e shpërndarjen e mjeteve të fondeve në mirëbesim duke përfshirë këtu 20 përqindëshit për punëtorët edhe shpërndarjen e mjeteve për kreditorët nga likuidimi i ndërmarrjeve si dhe bartjen e mjeteve tepricë në buxhetin e Kosovës.

As Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, që është njëherit Anëtar i Bordit të AKP’së, nuk ka saktësuar ndonjë datë të afërt të ndarjes së 20 përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara.

Sipas Arifit, ky proces është ngadalësuar për shkak të situatës politike në vend, dhe të mos plotësimit të bordit prej dy vendorëve dhe një ndërkombëtari, por që kërkon përgjegjësi nga Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme.

Arifi ka thënë se do të kërkojë nga bordi për shpërndarjen edhe të 8.2 milionë euro, të cilat ende kanë mbetur pa u shpërndarë.