20 mijë euro për atë që jep informacion për autorët e masakrës në Elbasan

Policia e Shtetit të Shqipërisë ka ofruar 3 milionë lekë, që në euro i bie mbi 20 mijë, për atë që jep informacion për kapjen e autorëve të masakrës në Elbasan, ku mbetën të vrarë 3 persona dhe u plagosën 8 të tjerë në një lokal.

Lajme

07/02/2016 19:33

Në një njoftim, Policia e Shtetit njofton se, kërkon bashkëpunim me komunitetin për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes.

“Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht me të gjitha kapacitetet e saj, duke angazhuar specialistët dhe ekspertët më të mirë për të zbardhur ngjarjen e ndodhur në mbrëmjen e datës 03.02.2016, në një lokal në Krastë të Elbasanit.

Në këtë kontekst Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e komunitetit për të bërë të mundur zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj ngjarje të rëndë kriminale.

Policia e Shtetit vë në dispozicion 3.000.000 ( tre milionë ) lekë të rinj për çdo informacion të vlefshëm që çon në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Sigurojmë anonimatin për çdo shtetas që do japë informacion të saktë në numrat e celularit 0694100353 dhe ne numrin pa pagesë 129″.