2 vjet me “lajmi.net”

Tregut medial shqiptar dy vite më parë iu shtua edhe një dritare. Kjo po ndodhte në kohën kur thuajse çdo ditë hapej ndonjë portal, dhe një ndërmarrje e tillë nuk mund ishte ndonjë lajm i madh për lexuesin.

Lajme

13/09/2015 11:16

Por, ata që konceptuan median online “lajmi.net”, e kishin të qartë se po ofronin një dritare informative e cila do të zë vend të rëndësishëm në informimin e shqiptarëve, jo vetëm të atyre në Kosovë, por gjithandej nëpër botë.

Kjo mundësi tanimë ekzistonte, për dallim nga e kaluara, kur gazetat që botoheshin në Prishtinë nuk mund të dilnin tutje jashtë kufijve të Kosovës, apo ato të Tiranës jashtë kufijve të Shqipërisë. Këtë mundësi e ofronte interneti.

Sot dy vite pas, “lajmi.net” ka arritur një lexueshmëri përafërsisht sa dhjetëfishi i të gjitha gazetave ditore, në kohën e tyre më të mirë, duke hyrë në mesin e top 5 mediave online më të lexuara shqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe gjithandej ku lexohet shqip. Natyrisht me pretendimin dhe besimin, mos t’u ndalur vetëm me kaq.

Janë shumë faktorë që kanë bërë të mundur këtë. Në “lajmi.net” është i angazhuar një ekip i përbërë nga gazetarë, redaktorë dhe staf teknik, tejet profesional që punon thuajse 24 orë 7 ditë në javë.

Sasia dhe përzgjedhja e informacioneve duke prekur interesin e të gjitha shtresave është faktor tjetër, që ‘lajmi.net’ sot është institucioni medal i përzgjedhur për t’u informuar nga një pjesë e madhe e shqiptarëve, që po vazhdon të rritet me ritëm të jashtëzakonshëm.

“Lajmi.net”, gjithashtu nuk ka lënë pa shfrytëzuar edhe mundësinë që ofron interneti, dhe përveç lajmeve të shkruara, të jetë ndër portalet e para dhe të pakta shqip që shfrytëzon edhe kamerën, duke ofruar tema, raportime, reportazhe dhe të tjera të ngjashme, edhe përmes videos.

Ndërsa, e fundit, por më e rëndësishmja për median, ‘lajmi.net’ është përcaktuar që të mos bëjë kompromis me besueshmërinë.

Ofrimi i lajmeve përmes internetit ka lëkundur këtë komponentë, por ne në “lajmi.net”, jemi përcaktuar që t’i qëndrojmë besnik asaj që e thotë edhe gazetari dhe profesori i gazetarisë, Juan Antonio Giner, se “edhe nëse ndryshohet shpërndarja, formati, shpejtësia, ndërveprimi, sasia e informacionit… ekziston një gjë që kurrë nuk do të ndryshojë. Kjo është gjëja më e rëndësishme, dhe quhet besueshmëri”.

Ai insiston se emri i lojës mediale është besueshmëria, dhe të gjitha gjërat tjera janë shumë të thjeshta. Ne në “lajmi.net” jemi përcaktuar për më të vështirën. /lajmi.net