2 gola të Muriqit, 2 kartona të kuq – Fenerbahce fiton ndaj Kasimpasa dhe merr kreun e Superligës turke

20:33 | 8 Nentor 2019

Ndeshja ndërmjet Fenerbahce dhe Kasimpasa ishte një dramë e vërtetë.

Fenerbahce ka arritur të shënojë një fitore të mundimshme kundër Kasimpasa, me rezultatin final 3:2, shkruan lajmi.net.

Në këtë ndeshje, si gati çdo herë, shkëlqeu ylli i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, i cili gjeti dy herë rrugën e golit.

Muriqi fillimisht gjeti golin në minutën e 6’, kur u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, për epërsinë e parë të Fenerbahce.

Reagimi i mysafirëve erdhi në minutën e 37’, me anë të Abdul Khalili, i cili riktheu balancën në fushë.

Por, një minutë para fundit të pjesës së parë, në skenë doli përsëri Muriqi, i cili shënoi golin e dytë personal dhe të Fener, përsëri nga pika e bardhë, shkruan lajmi.net. Në të njëjtin minut u ndëshkua me karton të kuq Karim Hafez i Kasimpasa.

Njësoj si në pjesën e parë, spektakli nuk mungoi as në 45 minutëshin e dytë të takimit.

Mysafirët reaguan me anë të Syam Ben Youssef në minutën e 56’, kurse vetëm tre minuta më vonë, Sedar Aziz riktheu epërsinë e Fenerbahce në 3:2.

Minuta e 69’ tregoi një karton të verdhë për Vedat Muriqin, kurse në minutën e 72’ Mauricio Isla i Fener morri kartonin e kuq.

Në fund, rezultati final shënoi 3:2, për tri pikët e radhës për Fenerbahce. Skuadra e Vedatit tashmë numëron 20 pikë pas 11 xhirove dhe mban përkohësisht pozitën e parë në tabelë. Kasimpasa pozicionohet në vendin e 11-të me 12 pikë. /Lajmi.net/