Serbëve iu ndalua dinari e duhej të paguanin rrymën- U sulmuan individët, komunat e Ibër Lepenci, sulmet e shpeshta këtë vit në veri

Veriu i Kosovës gjatë vitit 2024 ishte si një fushë magnetike e tensioneve dhe përplasjeve, ku çdo muaj solli ngjarje që pasqyruan kompleksitetin e realitetit politik dhe social të rajonit. Nga sulmet mbi infrastrukturë deri te përpjekjet për të vendosur rendin institucional, kjo përmbledhje tregon një histori përballjesh, sfidash dhe shpresash të ndërprera, duke na…

Lajme

02/01/2025 16:15

Veriu i Kosovës gjatë vitit 2024 ishte si një fushë magnetike e tensioneve dhe përplasjeve, ku çdo muaj solli ngjarje që pasqyruan kompleksitetin e realitetit politik dhe social të rajonit. Nga sulmet mbi infrastrukturë deri te përpjekjet për të vendosur rendin institucional, kjo përmbledhje tregon një histori përballjesh, sfidash dhe shpresash të ndërprera, duke na rikujtuar rëndësinë e paqes dhe nevojën për dialog të qëndrueshëm.

Nga 38 komunat e Republikës sa janë gjithsej, gjatë vitit që po lëmë pas, katër prej tyre ishin të zhurmshme, jo të sigurta dhe me zhvillime shumë të ashpra e dramatike në aspektin e sigurisë.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani të ashtuquajturat “Veriu i Kosovës”, ishin qendër e sulmeve të vazhdueshme që sipas Qeverisë së Kosovës kanë ardhur nga shteti ynë fqinjë, Serbia, e cila shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe frikë tek qytetarët e Kosovës të të gjitha etnive.

Nëse kujtojmë të gjitha ngjarjet që kanë dërguar vëmendjen e qeveritarëve, mediave, ndërkombëtarëve e qytetarëve të Kosovës në veri, shohim se ky vit nuk ishte aspak i qetë apo siç edhe e quante hapur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “kërcënim për luftë”.

Menjëherë pasi u bë “gëzuar” viti që hymë në të, qytetarëve serb në veri të vendit ligjërisht u desh të nisin të paguajnë për energjinë elektrike, për të cilën për 24 vite me radhë kishin paguar shqiptarët e të gjitha qyteteve të Kosovës, duke iu faturuar në faturat mujore që pranonin nëpër secilën shtëpi, banesë apo lokale afariste, shkruan lajmi.net.

Kjo erdhi pas një vendimi që mori KOSTT-i, e që hyri në fuqi menjëherë më 1 janar të këtij viti.

“Më 1 janar 2024, duke filluar nga 00:01, furnizuesi Elektrosever Sh.p.k, – kompani e licencuar dhe e regjistruar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës – ka filluar të nominojë energjinë për katër komunat e veriut. Pra ka filluar të marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri. Pas më shumë se 20 vjetësh, energjia e konsumuar në pjesën veriore do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit të vendit”, kishte shkruar në Facebook, kryeshefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri.

Ky vendim u prit mirë nga qytetarët e Kosovës, si dhe nuk shkaktoi ndonjë incident e as ndonjë reagim negativ nga serbët në veri dhe më gjerë.

Pak ditë pas saj, më 17 janar të këtij viti qytetarët serb filluan peticionin për largimin e katër kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe, peticion ky i cili mbaroi pas dy ditësh e që nga organizatorët u konsiderua i suksesshëm pasi që u mblodh 20 përqindëshi që kërkohej.

Ndonëse këto dy procese të lartpërmendura u realizuan me qetësi, i treti nuk u prit dhe aq mirë.

Në Zveçan të Kosovës, u larguan disa billborde të cilat kishin të shkruara simbole dhe imazhe të diktatorëve e agresorëve serbë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deri sa publikonte fotografi nga procesi i largimit të tyre, tha se “simboli i vetëm i Serbisë brenda shtetit të Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”.

“Sot në Zveçan janë larguar billbordet ilegale me simbole dhe imazhe të diktatorëve e agresorëve të cilat janë të papranueshme në Republikën e Kosovës”, ka shkruar ministri në Facebook. Këto billborde e imazhe të fashistëve e agresorëve si Vladimir Putin dhe kundërshtarëve të shtetit tonë, nuk do të gjejnë vend në shtetin tonë”, ka shkruar Sveçla.

Muaji i dytë i vitit, ndonëse i shkurtër e me më pak ditë nuk ishte hiç më i qetë se ai që e la pas.

Në ditën e parë të muajit shkurt, në Kosovë hyri vendimi që euro do të jetë vlera monetare e vetme e cila do të qarkulloj duke larguar kështu “njëherë e përgjithmonë” dinarin i cili po përdorej nga qytetarët serb. Ishte ky vendim ai që nxiti shumë reagime si nga ndërkombëtarët, ashtu edhe nga zyrtarët e lartë të shtetit serb e që u pasua me revolta të serbëve në veri.

Menjëherë pas këtij vendimi, në shtëpitë e shqiptarëve në veri u shkruan grafite me simbole nacionaliste serbe të cilat nxitën reagimin e udhëheqësve të qeverisë së Kosovës.

Vetëm gjysmë viti pas sulmit terrorist në Banjskë, ku la të vdekur heroin e Kosovës policin Afrim Bunjaku, më 16 shkurt 2024 INTERPOL-i lëshoi urdhërarrest ndërkombëtar ndaj të gjithë të dyshuarve për këtë sulm, vendim ky që u mirëprit nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Mirëpres njoftimin zyrtar nga selia qendrore e INTERPOL se tashmë janë insertuar në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtar të gjithë personat e dyshuar që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë”, ka thënë Sveçla atë kohë.

Vetëm dy javë arritën të ishin të qeta dhe pa e dërguar Policinë e Kosovës në veri, pasi që dikush u përkujdes që të bënte një krim tjetër, shkruan lajmi.net.

Më 8 mars të këtij viti, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, dikush e dogji dyqanin privat të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq.

Kryeministri Kurti, atë ditë për këtë veprim akuzonte “elementet kriminale”, ndërkaq nënkryetarja e Zveçanit, Natasha Tomaniq, akuzoi Listën Serbe – njohur ndryshe si partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – lidhur me djegien e lokalit në pronësi të saj.

Tomaniq pati deklaruar se kjo zjarrvënie mund të kishte ardhur pasi ajo kishte ndihmuar serbët në veri të Kosovës të punësohen në institucionet e Kosovës ndërkaq theksoi se aktivitetet e saj “nuk përshtaten” me Listën Serbe.

Një shqiptarë që merrte rrugën drejt veriut, mund të kishte problem të lexonte e të kuptonte tabelat e vendosura në veri të Kosovës, e për këtë u “përkujdes” ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Ai më krenari ka publikuar disa fotografi nga tabelat rrugore që nga “çirilicat” u kthyen në gjuhë shqipe, derisa tha se në ditët në vijim do të ndërrohen të gjitha shenjat, por edhe ato që i vendosi nuk i qëndruan gjatë. Menjëherë të nesërmen, dikush u kujdes që ato të shkarraviten e dëmtohen ndonëse u paguan e u rregulluan nga shteti tek i cili paguajnë taksa.

“Alarm” i dha kryeministri Kurti qytetarëve të Kosovës vetëm përmes një videoje që publikoi në rrjetin social Facebook më datë 22 mars të këtij viti.

Ai ndau me të gjithë një video ku shiheshin njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut e ku tregoi se lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën. Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, pati shkruar Kurti derisa gjithashtu citonte presidentin serb, Aleksandër Vuçiq kur thoshte se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”.

“Lufta” të cilës i frikësoheshin qytetarët nuk ndodhi fatmirësisht, por incidentet e shkaktuara nuk ndaleshin në veri pasi që menjëherë në fillim të muajit prill u gjet eksploziv nën një veturë në Leposaviq. Nga kjo nuk pati persona të lënduar ndërsa ministri Sveçla tha se kjo ka ardhur pasi “shteti ligjor është shtrirë në të gjithë territorin e Republikës sonë”.

Prilli pritej të sillte ndonjë incident tjetër, pasi që peticioni për largimin e katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe rezultoi i suksesshëm dhe “shkaktoi” zgjedhjet e parakohshme për këto katër komuna, por kjo nuk ndodhi.

Zgjedhjet në veri ishin të qeta, përfunduan pa asnjë incident ndërsa kryetarët shqiptarë të katër komunave nuk u larguan dhe edhe sot po qëndrojnë në karriget e zyrave të tyre.

Derisa po hynim drejt verës e temperaturave të larta, Policia e Kosovës nuk po e ndalte punën e aksionin në veri.

Maji e qershori u karakterizuan me aksione policore, mbyllje të institucioneve paralele serbe e arrestime të personave që sipas Policisë ishin të rrezikshëm për vendin.

Për të shijuar ditët e nxehta të vitit, ministri Sveçla kishte vizituar pastiçerinë “Sharri” në veri të Mitrovicës e për të cilën u bë “mollë sherri”. Vetëm dy ditë pasi Sveçla e vizitoi atë pastiçeri, më 14 korrik e njëjta u sulmua me koktej molotovi.

Mbyllje të institucioneve paralele serbe, e debate të gjata për hapjen e Urës së Ibrit e karakterizuan verën e vitit 2024 ndërkaq në këtë periudhë përfundoi edhe afati për konvertimin e patentë-shoferëve ilegal serbë në ata RKS, periudhë gjatë të cilës janë konvertuar mbi 6500 sosh.

Shtatori solli panik e frikë tek qytetarët e Kosovës, e sidomos tek mërgata që siç i quan Kurti “koka” e shtetit pasi që serbët paralajmëruan protesta e mbyllje të kufijve mes Kosovës e Serbisë. Nga 5 shtatori e deri me 7 shtator, askush nuk arriti të kaloj kufirin mes dy shteteve, bilës një mërgimtar i Kosovës në Gjermani u kthye nga rruga bashkë me familjen e tij.

Ndonëse aksione policore u realizuan shumë në Kosovë, gjegjësisht në veri të vendit gjatë muajit tetor, sulmet madhore të cilat rezultuan me dëme shumë të mëdha nuk arritën të ndalen.

Kosova në muajin nëntor mori vëmendjen e të gjithëve, duke filluar nga qytetarët e deri te më të rëndësishmit zyrtarë shtetërorë të BE-së e SHBA-ve, shkruan lajmi.net.

Vetëm brenda tri ditëve në Zveçan e Zubin Potokut u shënuan tri sulme me pasoja shumë të mëdha.

Me 27 nëntor pak para mesnatës është sulmuar stacioni policor në Komunën e Zveçanit, e që për fat rezultoi pa persona të lënduar. Sipas Policisë, drejt oborrit të stacionit ishin hedhur dy granata dore nga persona të panjohur.

Të nesërmen, me 28 nëntor institucioni tjetër shtetëror e që është objekti i Komunës së Zveçanit u godit nga një granatë dore e llojit M-75 duke shkaktuar vetëm dëme materiale por duke ulur nivelin e sigurisë në vend,

“E treta e vërteta”, thuhet në popull por ky ishte sulmi i tretë radhazi dhe më i rrezikshmi duke shkaktuar dëme serioze në infrastrukturën vitale të vendit.

Në mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, në veri të vendit, ka ndodhur një shpërthim që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Ky kanal sipas drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhës është sulmuar me eksploziv deri në 20 kilogramë i cili ishte vendosur në një çantë të zezë dhe ishte aktivizuar me detonator mekanik, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme

Nga ky sulm nuk pati viktima, por kanali ka pësuar dëme, kurse banorë nga Mitrovica nuk kanë pasur ujë për gati 24 orë pas shpërthimit.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Sulmi i cili kishte për qëllim shkatërrimin e infrastrukturës kryesore në vend, sipas qeveritarëve kishte ardhur nga Serbia dhe ishte sulmi më i rënd ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga lufta e fundit në Kosovë.

Gjatë këtyre ditëve pas sulmit, Policia e Kosovës ka realizuar aksione të shumta policore në veri të vendit ku ka arritur të gjej dëshmi të shumta si armë, municion, uniforma ushtarake, emblema të ushtrisë ruse, serbe si dhe një embleme të UÇK-së.

Deri më tani vetëm njërit nga ta i është caktuar masa e paraburgimit, ndërkaq sipas njoftimeve të Policisë aksionet po vazhdojnë në veri.

Sulmi në Ibër Lepenc është i fundit e më i madhi që ka ndodhur këtë vit në veri të Kosovës, por edhe në të gjithë Kosovën nëse flasim për dëmet që ka shkaktuar.

Ngjarjet në veri të Kosovës gjatë vitit 2024 shpalosin një mozaik të sfidave të thella politike, sociale dhe të sigurisë. Ato pasqyrojnë jo vetëm kompleksitetin e marrëdhënieve ndëretnike dhe institucionale, por edhe nevojën për dialog të qëndrueshëm dhe përfshirje ndërkombëtare. Megjithëse tensionet dhe incidentet kanë lënë gjurmë të thella, e ardhmja mbetet një ftesë për paqe dhe stabilitet në një rajon që kërkon të ndërtoj ura mbi dallimet.

Veriu vazhdon të jetë i rrezikuar, anipse sipas kryeministrit Kurti e ministrit Sveçla situata është dukshëm më e mirë. Në të vërtet jetesa e qytetarëve në veri ka ndryshuar për të mirë dhe grupet kriminale janë zvogëluar e tërhequr nga aty, por rreziku nga ndërhyrjet e Serbisë përmes kriminelëve të ndryshëm janë aktive e çdoherë mjaftë të rrezikshme.

Ditë e natë në veri vazhdojnë të qëndrojnë zyrtarët policorë të Kosovës, nga ku kujdesen për rendin dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve./Lajmi.net/