​Rreth 260 mijë armë ilegale, propozohet mbështetje financiare për ata që e dorëzojnë

Vrasje, sulme e kërcënimet me armë nuk kanë të ndalur muajt e fundit në Kosovë. E numri i armëve pa leje llogaritet të jetë i madh në duart e qytetarëve të Kosovës. Policia e Kosovës vetëm nga janari e deri në korrik ka konfiskuar 814 armë të ndryshme ilegale, ndërsa gjatë vitit 2023, ka konfiskuar…

Lajme

08/09/2024 12:54

Vrasje, sulme e kërcënimet me armë nuk kanë të ndalur muajt e fundit në Kosovë. E numri i armëve pa leje llogaritet të jetë i madh në duart e qytetarëve të Kosovës. Policia e Kosovës vetëm nga janari e deri në korrik ka konfiskuar 814 armë të ndryshme ilegale, ndërsa gjatë vitit 2023, ka konfiskuar 1392 armë ilegale.

Sipas ekspertit të sigurisë, Nuredin Ibishi mënyra më e mirë për dorëzimin e armëve, është që institucionet e sigurisë në kompensim t’u japin mjete financiare.

Sipas tij, mund të jenë fonde edhe nga organizata ndërkombëtare.

“Duhet të ndryshojnë pak qasjen në kuptim të asaj duke u bërë lehtësira edhe financiare dhe procedurale persona që dorëzojnë këto armë dhe ata normal sikur disa shtete të rajonit që për dorëzim të armëve marrin në kompensim diçka dhe mund të jenë edhe fonde nga organizata ndërkombëtare,’’ ka thënë Ibishi.

Ibishi ka thënë se në baza vjetore Policia e Kosovës konfiskon rreth 1500 armë të ndryshme ilegale. Ndërsa në posedim janë diku rreth 260 mijë armë të ndryshme.

“Pas luftës kemi pas diku 360 mijë armë në posedim, tash diku 260 mijë, ndërkohë ka ardhur edhe deri te konfiskimi i tyre që në baza vjetore diku rreth 1500 konfiskohen nga policia. Janë bërë disa ligje për legalizim, për dorëzim të armëve që nuk mund të jenë në posedim personal, i fundit ishte legalizimi i viti 2018. Mendoj që duhet të vazhdohet me qëllim që ky numër kaq i madh të kthehet në posedim legal, gjegjësisht ato çka nuk janë për posedim apo përmbajtje legale apo personale të dorëzohen,’’ ka shtuar ai.

Ndërsa, PK në një përgjigje me shkrim ka theksuar se ka punuar në vazhdimësi për parandalimin dhe konfiskimin e armëve ilegale, duke bërë fushata dhe apele të ndryshme për mospërdorim të armëve të zjarrit.

‘’Policia e Kosovës përmes planeve të saja në vazhdimësi ka punuar për parandalimin dhe konfiskimin e armëve ilegale, si dhe ka bërë fushata dhe apele të ndryshme për mospërdorim të armëve të zjarrit. Gjatë periudhës janar- korrik 2024, janë konfiskuar 814 armë të ndryshme; Gjatë vitit 2023, janë konfiskuar 1392 armë të ndryshme dhe gjatë vitit 2022, janë konfiskuar 1473 armë të ndryshme, ’’ është përgjigjur PK.

KosovaPress ka dërguar disa pyetje edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkaq, më 2 shtator 100 plumba janë shkrepur në lagjen ‘’Aktash’’ të Prishtinës, ku si pasojë mbeti i vrarë Pajtim Gashi gjatë konfliktit mes dy familjeve, Sekiraqët dhe Capat.

E vetëm dy ditë pas vrasjes, në po të njëjtën lagje, u kërcënua me armë punëtori i një lokali.