Reagoi AGK-ja, kundërpërgjigjen nga Presidenca për rastin në Ferizaj

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës para disa orësh doli me një reagim për deklaratën e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, duke e konsideruar si një precedent të rrezikshëm e të papranueshëm thirrjen e saj për hetime ndaj mediave, posaçërisht gazetës Nacionale dhe drejtuesit të saj, Berat Buzhala. AGK-ja, në reagim tha se e fton Presidenten…

Lajme

17/08/2024 21:21

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës para disa orësh doli me një reagim për deklaratën e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, duke e konsideruar si një precedent të rrezikshëm e të papranueshëm thirrjen e saj për hetime ndaj mediave, posaçërisht gazetës Nacionale dhe drejtuesit të saj, Berat Buzhala.

AGK-ja, në reagim tha se e fton Presidenten Osmani që për pakënaqësitë eventuale me raportimin t’i drejtohet me ankesë Këshillit të Medieve të Shkruara të Kosovës (KMSHK).

“ Është punë e medieve që, duke respektuar Kodin e Etikës, sidomos për ngjarje tragjike, të bëjnë punën e tyre duke ofruar fakte e dëshmi për rrethanat e ngjarjes”, u tha në fund të reagimit.

E një reagimi të tillë, i është kundërpërgjigjur para pak minutash përmes një njoftimi në llogarinë zyrtare në Facebook, Presidenca e Kosovës.

Në postim thuhet se disa raportime të portaleve nuk janë as etike e as profesionale.

“Siç konfirmon edhe vetë AGK-ja, “është punë e medieve që, duke respektuar Kodin e etikës, sidomos për ngjarje tragjike, të bëjnë punën e tyre duke ofruar fakte e dëshmi për rrethanat e ngjarjes”. Ky “raportim”, nuk është as etik e as profesional”, thuhet në postim.

Në njoftim thuhet se kemi të bëjmë me me shkelje të standardit profesional, duke e implikuar Presidenten qëllimshëm në një situatë, e cila në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet me të.

“Dhe në fund, Presidentja askund nuk i ka akuzuar mediat se punojnë për Serbinë, por ka thënë se akuza të ngjashme të fabrikuara kanë publikuar edhe mediat e Serbisë. Kjo gjë faktohet lehtë, sepse të gjitha janë publike. I takon AGK-së, të ndihmojë në mbrojtjen e standardit profesional të raportimit, sepse vetëm në këtë mënyrë ka kuptim fjala e lirë dhe e drejta për raportim. “Gazetaria”, që nxit urrejtje e prodhon shpifje është në dëm e jo në dobi të gazetarisë”, u tha në reagim./Lajmi.net