Rama për shpërthimin në Ibër Lepenc: Goditje kriminale, BE duhet të heq menjëherë sanksionet ndaj Kosovës
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka konsideruar goditje kriminale shpërthimin e mbrëmshëm në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok të veriut të Kosovës. Ai ka thënë se kjo duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar. Ai ka shkruar se “akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë…
Lajme
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka konsideruar goditje kriminale shpërthimin e mbrëmshëm në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok të veriut të Kosovës. Ai ka thënë se kjo duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar.
Ai ka shkruar se “akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër-Lepencit është një krim i rëndë, i cili cenon jetën e qytetarëve të Kosovës”.
Përveç kësaj, sipas tij, akti godet edhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajon.
“Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cenon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”, ka shkruar Rama.
Rama ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë.
“Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së”, ka thënë Rama.