Një muaj paraburgim ndaj zyrtarit serb që ofendoi UÇK-në

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, pasi u arrestua të premten në pikën kufitare të Bërnjakut nën dyshimin për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. Në lidhje me këtë ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë…

Lajme

20/07/2025 20:28

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, pasi u arrestua të premten në pikën kufitare të Bërnjakut nën dyshimin për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

Në lidhje me këtë ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë përmes një komunikate për media.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate në këtë rast penal dhe se cdo masë tjetër do të ishte e pamajftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, si dhe  pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Arrestimi i Popoviqit erdhi pas fjalimit të tij në Hoçë të Madhe të Rahovecit, ku ai akuzoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e quajtur “organizatë terroriste” dhe duke krahasuar veprimet e saj me ato në Rripin e Gazës. Fjalimi u mbajt në një ceremoni përkujtimore.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, Popoviqit gjatë ndalimit i janë sekuestruar edhe dy telefona.

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, deklaroi se “institucionet e sigurisë nuk do të tolerojnë ofendimet dhe shtrembërimet e historisë së Kosovës”, duke shtuar se ndaj Popoviqit do të veprohet në përputhje me ligjet në fuqi.