Musliu: Ata që ende këmbëngulin në ideologjinë e Kurtit ju them se jemi në fazën para diktatoriale, prandaj i ftoj t’i thonë jo

“Dritarja për Investime të Diasporës” është projekti i fundit i qeverisë i cili u komentua shumë gjatë ditës së djeshme edhe nga deputetët e partive opozitare. Për këtë çështje për lajmi.net ka folur deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu. Musliu, në një përgjigje me shkrim për lajmi.net e ka cilësuar lidhjen…

Lajme

17/07/2024 16:52

“Dritarja për Investime të Diasporës” është projekti i fundit i qeverisë i cili u komentua shumë gjatë ditës së djeshme edhe nga deputetët e partive opozitare.

Për këtë çështje për lajmi.net ka folur deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu.

Musliu, në një përgjigje me shkrim për lajmi.net e ka cilësuar lidhjen e partisë në pushtet me mërgatën si tejpërtej oportuniste.

“Rrjedhimisht lidhja e tij me mërgatën tonë është oportuniste tejpërtej. Lidhja e tij me bashkatdhetarët tanë është shfrytëzuese asgjë më shumë“, është shprehur Musliu.

Musliu tha se kryeministri Kurti për agjendën e vet “shfrytëzuese“ në raport me mërgatën pati një ndihmesë të madhe nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.

“Albin Kurti për agjendën e tij shfrytëzuese në raport me mërgatën pati një ndihmesë të madhe nga Liza Gashi e cila shërbeu si mashë në duart e një demagogu dhe dezinformoi pjesën më të ndjeshme të popullit duke I gënjyer pa fije turpi dhe duke i plaçkitur pa fije turpi.Por bashkatdhetarët tanë nuk janë naiv dhe nuk lejojnë askënd që t’i shfrytëzojë dhe t’i keqpërdorë.Unë kam besim që mërgata do të veprojë në interes të Kosovës e jo të një demagogu. Le të mendojnë dhe le të analizojnë vet,“ shtoi tutje ajo.

Musliu tha se qeveria aktuale nuk do të marrë numrin e votave që ka marrë në mandatin paraprak, duke u shprehur me shpresën që qytetarët do t’i japin një leksion qeverisë Kurti.

“Demagogët zakonisht asnjëherë nuk mund të korrin rezultatin e mandatit të tyre të parë. Premtimet e tyre utopike nuk janë të realizueshme dhe rrjedhimisht nxjerrin vet fytyrën e vërtetë në shesh, një fytyrë prej gënjeshtarit. Shpresoj që ky popull t’i jep  një leksion Albin Kurtit dhe çdo politikani që mendon se kanë të bëjnë me analfabet funksional“, u shpreh ndër të tjera ajo.

Musliu përfundoi duke thënë se një popull që i ka bërë ballë pushtimeve më të egra do t’i jap atë që meriton sipas saj edhe këtij lloji politikanësh. Ky popull që ju ka mbijetuar hordhive më të egra pushtuese do t’ju jap atë qe meritojnë edhe ky soj i politikanëve. Atyre që ende këmbëngulin në ideologjinë e Albin Kurtit dua të ju them se jemi në fazën para diktatoriale, prandaj i ftoj t’i thonë JO. Jo, sepse diktaturat na kanë sjellur vetëm të këqija, na kanë lënë jashtë historisë së këtij kontinenti dhe na kanë kushtuar dhjetëra mijëra jetë njerëzish”, tha Musliu./Lajmi.net