Murati për kritikat e opozitës për 5 milionëshin e tepruar nga subvencionimi: Mund të jenë deklaruar si kursim për tre muajt e fundit

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, të enjten ka raportuar në Komisionin Hetimor Parlamentar  për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024. Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dereshaj, ka pyetur ministrin Murati se ku…

Lajme

18/07/2024 16:11

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, të enjten ka raportuar në Komisionin Hetimor Parlamentar  për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dereshaj, ka pyetur ministrin Murati se ku kanë mbetur 5 milionë e 67 mijë euro të tepruara nga buxheti për mjetet e subvencionimit.

“Nuk e kuptova se ku kanë shkuar këto pare. Përkundër faktit se 11 milionë euro janë përdorur, ka plot se nuk kanë subvencionuar pra nuk i kanë marrë paret. Nëse mundesh me sqaruar ku kanë mbetur këto pesë milionë”, ka thënë Dreshaj.

Ministri Murati, ka thënë se për shkak të kufizimeve buxhetore kjo kategori ka qenë nën buxhetim.

Murati sa i përket 5 milionëshit, që nga opozita pretendohen për keqpërdorim, ka thënë se ato mjete mund të jenë deklaruar si kursim për tre muajt e fundit të vitit, e pastaj si ministri në mbledhjen e qeverisë i destinojnë.

“Ministria e Financave, fillimisht në fund të muajit prill shpërndan qarkoren, pastaj është qarkorja e komunave që shkon në fund të muajit korrik. Për shkak të kufizimeve buxhetore praktika ka qenë nën buxhetim, ka qenë jo domosdoshmërish e parashikueshmja qoftë sasia e librave me shpërpushje të buxhetit. Kësisoj ka pas praktika të vazhdueshme, ose është plotësuar ose është vonuar, pra nga një buxhet për të paguar borxhet. Sigurohemi qe nevojat e qeverisë të plotësohen sa është kapaciteti dhe nevojat fiskale”, ka thënë Murati.

Deputeti nga PDK-ja, Bekim Haxhiu, ka pyetur së sa i përket subvencionimit a ka të bëjë me keq planifikim apo abuzime.

“Këtu kemi edhe shumën për materialet e tjera shkollore që nuk janë obligim i ministrisë. Kështu që në mënyrë që të mbështesim familjet në vazhdimësi ka pas tejkalim i shumës së buxhetuar sepse shuma nuk ka qenë fikse, nuk e parasheh si keq planifikim as abuzim sepse pjesa e shpenzimit është bërë për një pjesë të ndarë për të mbështetur familjet me material shkollor. Njëri rregull ka të bëjë me MAShT-in, që lejohet tejkalimi 25 për qind, ndërsa ndarja e dytë nuk është bërë, brenda buxhetit përmes MAShT-it, por përmes pakos ekonomike”, ka thënë ai.

Sa i përket shpërndarjes së të dhënave, se a a ka shkelje ligjore, Murati tha se nuk është personi kompetent për të folur për këtë.

“Nuk jam personi kompetent për të vlerësuar një gjë të tillë me njohuritë që kam ndajnë informata, nuk jam kompetent për të vlerësuar një gjë të tillë”, ka thënë ministri Murati. EO