“Më vendosën ulje të pushkës në plagë” – Invalidi i UÇK-së rrëfen momente rrëqethëse nga lufta

Në kuadër të ciklit “Plaga për Lirinë”, rrëfimin e tij e ka dhënë edhe invalidi i UÇK-së, Faik Zogaj.

Lajme

17/05/2022 20:02

Zogaj, që në luftë ishte plagosur dy herë, ka treguar edhe për arsyet që e nxitën t’i bashkohej UÇK-së, shkruan lajmi.net.

“Unë jam Faik Zogaj, nga fshati Mlleqan, komuna e Malishevës. Vij nga Brigada 113, Mujë Krasniqi. Unë isha në moshën 16-vjeçare, edhe isha pikërisht në Shkollën e Mesme Lasgush Poradeci me degë në Llozicë. Aty ish profesori Haki Morina, domethanë tu na shpjegu orë të historisë. Kur i kom pa kolonat tu ardhë prej Prekazit, domethanë popullatën, atëherë jam qu e i kam lanë librat edhe fletoret, edhe me disa shokë iu kemi bashkëngjit Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka rrëfyer Zogaj.

“Unë kam marrë dy plagë, dy herë domethënë jam plagos. Plagët e para i kam marrë në kufirin shqiptaro – shqiptar, në vendin e gjuajtur te “Rrasa e Zogut”. Aty kur jam plagu, kom pas.. ecja 30 orë, që bamë kah shkum, edhe duke u kthy knena, unë kom ra në minë. Edhe tash prej lëndimeve që i mora, shokët e mijë më kanë dhanë ndihmë. S’kemi pas në atë kohë mjek me vete. Shoku jem, bashkëluftëtari jem e ka shky edhe këmishën e vet, edhe ma ka lidhë kamën në atë kohë”, ka treguar tutje Zogaj.

Video:

Zogaj në rrëfimin e tij ka dhënë edhe detaje rrëqethëse se në çfarë forme tentuan bashkëluftëtarët e tij t’ia japin ndihmën e parë.

“Kemi ardhë në Kosovë. Kemi fillu luftimet në Zonën e Drenicës, në fshatin Gullbovc. Kemi pas luftime të njëpasnjëshme, kur edhe aty kanë marrë plagë të rënda Ruzhdi Kryeziu dhe Sahit Kryeziu bashkëluftëtarët e mi. Një ditë më vonë, kam marrë plagë edhe unë. Në ato momente kur i kam marrë plagët, nuk mujsha me nxanë ven, veç kam shpurdh prej plagëve që i kam pas këtu. Bashkëluftëtari jem për me ma nal mu njani, me ulje të pushkës, ka marrë ulje të pushkës dhe ma ka qit uljen e pushkës këtu. Florim Kryeziu dhe Afrim Kryeziu, janë kanë këta dy që më kanë dhanë ndihmën e pare”, ka thënë Zogaj.

“Plaga u kanë e ranë domethanë, gishti hike këtu. Plaga është kanë shumë e randë sa që mu patë ba një far shpelle këtu. Edhe këmishën e kanë marrë e kanë shti mrena edhe më kanë lidhë”, rrëfen tutje Zogaj.

Ai thotë se plagët ishin aq të rënda, sa që kapiteni i skuadrës nuk e kishte menduar rikthimin e tij në luftë.

Por, fatmirësisht kjo kishte ndodhur menjëherë pas 10 ditëve.

“Komandanti i skuadrës, Sinan Kryeziu, ka thanë që ky nuk ka me mujt ma as me dalë në vijën e frontit. Po, fatmirësisht, me ndihmën e bashkëluftëtarëve, unë prapë kom arrit, edhe jam kthy me bashkëluftëtarët mas 10 dite”, rrëfen Zogaj.

“Gjaku i dëshmorëve dhe plagët e çlirimtarëve, sot e gëzojmë lirinë që e kemi. Duhet ta mbrojmë këtë liri që e kemi. T’i respektojmë vlerat e luftës”, rrëfen në fund Zogaj. /Lajmi.net/