Më 28 nëntor mbahet konferencë për ecurinë e çështjes në rastin Thaçi dhe të tjerët kundër administrimit të drejtësisë
Christopher Gosnell, gjyqtar i vetëm i caktuar në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Bashkim Smakajt Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë, ka caktuar 28 nëntorin si datë për mbajtjen e konferencës për ecurinë e rastit. Konferenca pritet të mbahet rreth orës 09:30 me 45 minuta vonesë në transmetim.…
Lajme
Christopher Gosnell, gjyqtar i vetëm i caktuar në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Bashkim Smakajt Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë, ka caktuar 28 nëntorin si datë për mbajtjen e konferencës për ecurinë e rastit.
Konferenca pritet të mbahet rreth orës 09:30 me 45 minuta vonesë në transmetim.
Ndërsa, palët janë obliguar që të dorëzojnë parashtrime për gatishmërinë që gjykimi në këtë rast eventualisht të fillojë në javën që nis më 15 dhjetor 2025.
Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Në këtë rast, Prokuroria ka dorëzuar dosjen paraprake dhe mund ta gjeni KËTU. Po ashtu, dosjen e tij për këtë fazë të procedurës e ka dorëzuar edhe Fadil Fazliu./BetimipërDrejtësi