Kurti takon një senator e një kongresist në SHBA

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me senatorin Gary Peters dhe kongresistin Andy Levin, në kuadër të vizitës zyrtare në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lajme

17/05/2022 18:44

Kjo është bërë e ditur me anë të një komunikate për media nga zyra e kryeministrit, shkruan lajmi.net.

“Kryeministri Kurti shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për ndihmën dhe përkrahjen nga Kongresi dhe Senati Amerikan për çeshtjen e Kosovës dhe për kontributin e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës”, u tha në komunikatën për media të Qeverisë.

Kryeministri Kurti theksoi progresin e shënuar përgjatë qeverisjes njëvjeçare, duke theksuar punën e institucioneve në avancimin e kauzës së dyfishtë të krijimit të vendeve të punës dhe drejtësisë.

Në takimin ku ishte i pranishëm edhe kryetari i qytetit Rochester Hills, Bryan Barnett, u bisedua edhe për dhe kërcënimin që aleanca ushtarake Serbi-Rusi paraqet për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri theksoi rreshtimin e Kosovës krahas vendeve perëndimore për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe gatishmërinë për të strehuar 5,000 refugjatë nga Ukraina.

Po ashtu, i njoftoi për mikpritjen tashmë të një gazetareje ukrainase, znj. Lyudmila Makey, dhe për gazetarët e tjerë që pritet të vijnë në Kosovë, për të vazhduar të lirë angazhimin e tyre në profesion. /Lajmi.net/