Kurti ia kthen ‘borxhin’ Qosjës, i thur lavde pasi ia ndanë çmimin 10 mijë eurosh ashtu siç i thurte ai VV-së gjatë fushatës
Akademikut Rexhep Qosja, i është ndarë sot nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit çmimi “Letërsia Shqipe”, çmim ky që ka vlerë plot 10 mijë euro. Në lidhje me këtë çmim, ka shkruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan lajmi.net. Një shkrim të gjatë, Kurti ia kushtoi Qosjës duke ia përmendur një e nga…

Lajme
Akademikut Rexhep Qosja, i është ndarë sot nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit çmimi “Letërsia Shqipe”, çmim ky që ka vlerë plot 10 mijë euro.
Në lidhje me këtë çmim, ka shkruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan lajmi.net.
Një shkrim të gjatë, Kurti ia kushtoi Qosjës duke ia përmendur një e nga një veprat e tij letrare e duke i thurur lavde për punën e tij.
“Ky është Akademik Rexhep Qosja, veprimtar e politikan, historian letërsie e kritik letrar, shkrimtar e publicist, kandidati për Çmimin Nobel për Letërsi, e, sot i nderuar me çmimin e veçantë të vendit tonë, “Letërsia Shqipe”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit… Nuk është çudi që ky çmim i rrallë, i ndahet këtij kolosi të letërsisë shqipe. Ne, i urojmë shëndet të gjatë dhe e falënderojmë për nderin që na e bën me veprat e tij”, ka shkruar Kurti.
Si duket, i pari i Qeverisë po tenton t’ia kthej “borxhin” Qosjës i cili gjatë fushatës politike e mbështeti publikisht Kurtin e partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje.
“Vetëvendosja me Kryeministër Albin Kurtin, padyshim, e ka ngritur prestigjin vendor dhe ndërkombëtar të politikës së Kosovës. Unë do të votoj në moshën, ja, tetëdhjetë e nëntë vjeçare, për Kosovën demokratike të çliruar prej korrupsionit e të këqijave të tjera të shumta, që cenojnë, e pengojnë demokracinë dhe virtytet kombëtare. Unë do të votoj për një politikë të dinjitetshme të bazuar në largpamje me përkushtim shoqëror, shpirtëror, kulturor, etik, kombëtar të Kohezionit mes Shqipërisë e Kosovës, mes Diasporës e Atdheut, e cila i kontribuon si duhet e sa duhet cilësorisht e sasiorisht idealit historik atdhetar: Bashkimit të pashmangshëm të Kosovës e Shqipërisë”, pati shkruar Qosja në Facebook.
Postimi i plotë i Kurtit pa ndërhyrje:
Ngjitja në mendim është thellim. Kështu e kam përshtypjen kur eci përpjetë shkallëve të mbushura me libra. Ky nuk është trillim. Në një shtëpi në Velani, shkallët e kateve brenda, nuk kanë mbajtëse normale. Në vend të parmakëve, ka libra. Nëpër shkallë, mali i librave krijon bibliotekën. Muret nëpër shkallë të mbushura me piktura. I rrëmbyer nga to, duke i ngjitur dy katet, në fund, të shfaqet një tjetër bibliotekë. Nga antikiteti deri te më bashkëkohorët. Nga veprat e humbura të Eskilit deri te gërmat e fundit që një poet i ri, diku në botë sa i bëri varg. Letërsi e histori, filozofi e art, sociologji e shkencë. I humbur në atë hapësirë të mbuluar me libra rreth e përqark, në qoshe të dhomës, përballë dritares, një makinë shkrimi. Në të, ulur një burrë me mjekër të bardhë, syzet e trasha dhe që po shkruan ende. I shtyrë në moshë, ai sërish vazhdon të krijoj tingullin e bukur kur prek shkronjën e re për të krijuar fjalën e fjalisë së fundit. Ky është Akademik Rexhep Qosja, veprimtar e politikan, historian letërsie e kritik letrar, shkrimtar e publicist, kandidati për Çmimin Nobel për Letërsi, e, sot i nderuar me çmimin e veçantë të vendit tonë, “Letërsia Shqipe”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në gjuhën tonë, këto janë veprat që Akademik Qosja i ka shkruar ndër vite:
Vepra historiko-letrare
- Episode letrare, Prishtinë 1967
- Dialogë me shkrimtarët, Prishtinë 1968
- Kritika letrare, Prishtinë 1969
- Kontinuitete, Prishtinë 1972
- Asdreni – jeta dhe vepra e tij, Prishtinë 1972
- Panteoni i rralluar, Prishtinë 1973
- Shkrimtarë dhe periudha, Prishtinë 1975
- Anatomia e kulturës, Prishtinë 1976
- Prej tipologjisë deri te periodizimi, Prishtinë1979
- Nocione të reja albanologjike, Prishtinë 1983
- Historia e letërsisë shqipe I, Prishtinë 1984
- Historia e letërsisë shqipe II, Prishtinë 1984
- Historia e letërsisë shqipe III, Prishtinë 1986
- Porosia e madhe, Prishtinë 1986
- Tri mënyra të shkrimit shqip, Prishtinë 2004
- Semantika e ndryshimeve historiko-letrare, Prishtinë 2009
Vepra letrare
- Antologjia e lirikës shqipe, Prishtinë 1970
- Vdekja më vjen prej syve të tillë, roman, Prishtinë 1974
- Mite të zhveshura, drama, Prishtinë 1978
- Antologjia historike e letërsisë shqipe. Poezia dhe proza, Prishtinë 1985
- I ringjalluri i penduar, tregim, Tiranë 2002
- Një dashuri dhe shtatë faje, roman, Tiranë 2003
- Nata është dita jonë, roman, Tiranë 2007
- Bijtë e askujt I, II, roman, Prishtinë 2010
Vepra historike dhe historiko-dokumentare
- Strategjia e bashkimit shqiptar, Prishtinë 1992
- Çështja shqiptare – historia dhe politika, Prishtinë 1994
- Paqja e përgjakshme, Tiranë 1999
- Tronditja e shekullit I, Tiranë 2001
- Tronditja e shekullit II, Tiranë 2001
- Shpërngulja e shqiptarëve sipas programeve kombëtare serbe, Tiranë 2005
- Rilindja e dytë, Tiranë 2007
- Shqipëria dhe Kosova – Si janë dhe si do të duhej të jenë, Tiranë 2013
- Dëshmitarë në kohë historike I, Tiranë, 2014
- Dëshmitarë në kohë historike II, Tiranë 2014
- Dëshmitarë në kohë historike III, Tiranë 2014
- Dëshmitarë në kohë historike IV, Tiranë 2014
- Dëshmitarë në kohë historike V, Tiranë 2015
- Dëshmitarë në kohë historike VI, Tiranë 2015
- Dëshmitarë në kohë historike VII, Tiranë 2016
- Dëshmitarë në kohë historike VIII, Tiranë 2019
- Dëshmitarë në kohë historike VIX, Tiranë 2023
Vepra publicistike
- Populli i ndaluar, Prishtinë 1990
- Ligjërime paravajtëse, Prishtinë 1996
- Fjalor demokratik, Tiranë 1997
- Demokracia e shpërdorur, Tiranë 2005
- Ideologjia e shpërbërjes, Tiranë 2006
- Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën, Tiranë 2024
Vepra polemike
- Morfologjia e një fushate, Prishtinë 1980
- Ideologjia e shpërbërjes, Tiranë 2006
- Realiteti i shpërfillur, Tiranë 2006
- Të vërtetat e vonuara, Tiranë 2006
Vepra të përkthyera në gjuhë të huaja (gjuha orgjinale e përkthimit)
- Smrt vreba iz očiju. Serbokroatisht. Roman, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Prosveta, Narodna knjiga, Beograd 1976. Për botuesin: Vidak Perić.
- Živa sfinga. Serbokroatisht. Dramë, Sfinga e gjallë. Jedinstvo, Prishtinë 1976, Përktheu Esat Mekuli.
- Smrt prezi vočeh. Sllovenisht. Roman, Vdekja më vjen prej syve të tillë, “Mladinska knjiga”, Lubjana 1979. Përktheu Milan Jesih.
- Književnost i kritika, Serbokroatisht. Përmbledhje studimesh dhe trajtesash. Letërsia dhe kritika, Prosveta, Beograd 1979. Përktheu Hasan Mekuli.
- Smrtta mi ide ot takiva oči, Bullgarisht. Roman. Vdekja më vjen prej syve të tillë, Plovdiv 1982. Përktheu Marina Marinova.
- Sfinga e gjallë. Dramë. Arabisht. Kuvajt 1986. Përktheu Muhamet Mufaku.
- Nezaštićena sudbina. Kroatisht. Trajtesa, ese dhe artikuj, KSLS, Zagreb 1990. Përktheu autori.
- La mort me vient de ces yeux-la. Frëngjisht. Roman, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Gallimard, Paris 1994. Përktheu Christian Gut.
- La question albanaise. Frëngjisht. Studim historik. Çështja shqiptare – historia dhe politika. Fayard, Paris 1995. Përktheu Christian Gut.
- In solchen augen liegt der tod. Gjermanisht. Roman. Vdekja më vjen prej syve të tillë, Haymon, Innsbruck 1995. Përktheu Joachim Röhm.
- Die ogen en de dood. Holandisht. Roman. Vdekja më vjen prej syve të tillë, Van Gennep-Novib-Neos, Amsterdam 1997. Përktheu Roel Schuyt.
- Ο θάνατος μov έρχεται από τέτοια μάτια . Greqisht. Roman. Vdekja më vjen prej syve të tillë, Botimet Kastanjotis, Athinë 1999. Përktheu Kostas Natsias.
- La morte mi viene da occhi cosi. Italisht. Roman. Vdekja më vjen prej syve të tillë, Egnatia Narrativa, Gjenova 2019. Përktheu Anila Alhasa.
- Noć je naš dan. Roman. Nata është dita jonë. Shoqata Teuta, Podgoricë 2021. Përktheu Nikollë Berisha.
Nuk është çudi që ky çmim i rrallë, i ndahet këtij kolosi të letërsisë shqipe. Ne, i urojmë shëndet të gjatë dhe e falënderojmë për nderin që na e bën me veprat e tij.