Konferenca e Rambujesë dhe nënshkrimi nga shqiptarët: Hill: Isha i kënaqur, që personat që nuk kishin të njëjtin mendim më parë në atë moment ishin bashkë

Sot, në Gjykatën Speciale në Hagë po jep dëshminë ish ambasadori amerikan, Christopher Hill. Ai nga trupi gjykues është pyetur në lidhje me konferencën e Rambujesë, dhe negociatat deri te nënshkrimi, ndërkaq është pyetur se gjatë këtyre negociatave a i ka parë Xhavit Halitin, Azem Sylën dhe Kadri Veselin, si udhëheqës të UÇK-së. “Nuk më…

Lajme

12/11/2025 11:04

Sot, në Gjykatën Speciale në Hagë po jep dëshminë ish ambasadori amerikan, Christopher Hill.

Ai nga trupi gjykues është pyetur në lidhje me konferencën e Rambujesë, dhe negociatat deri te nënshkrimi, ndërkaq është pyetur se gjatë këtyre negociatave a i ka parë Xhavit Halitin, Azem Sylën dhe Kadri Veselin, si udhëheqës të UÇK-së.

“Nuk më kujtohet t’i kem parë, nuk më kujtohet t’i kem takuar. Përsëri ky është një sugjerim, një ide që e kam sot se nuk është që kishte një organizim shumë të madh dhe për këtë gjë nuk mund të flas lidhur me dikë, dhe nuk mund të them konkretisht nëse i kam takuar këta persona. Unë u mundova të thoja se nuk më kujtohet, nuk e përjashtoj mundësinë që kam mundur t’i takoj. Megjithatë, më kujtohet që kam shkuar në takim me persona të UÇK-së, ndoshta kanë qenë ata aty të pranishëm. Tina Kaidanow, Shaun Bëuns merrnin shënime dhe përpiqeshim që ai t’i ndante këto shënime me në”, ka thënë Hill.

Ai ka thënë se gjatë këtyre takimeve dhe negociatave, ishte optimist se procesi i Rambujesë do të funksiononte

“U befasova pozitivisht dhe isha optimist, pavarësisht se ishte e vështirë situata, por ndjesia ishte optimiste se procesi i Rambujesë do të funksiononte. Qëllimi ishte të shkonim në Paris dhe të merrnim nënshkrimin, dhe besoj se kemi pas një sinjal pozitiv lidhur me këtë. Përsëri, bisedat e mia me njerëzit gjatë këtyre tri javëve, unë isha shumë i shqetësuar sepse pala shqiptare po na thoshte po, por nuk po merrnim një po nga pala serbe dhe isha i shqetësuar. Shqiptarët u kthyen në Kosovë për të gjetur paqe, por pas Rambujesë, serbët u kthyen në Serbi për t’u përgatitur për luftë. Kështu që, sigurisht se ndjesia ishte jo neutrale, kishte ndjesi pozitive për atë që po ndodhte me Kosovën por kishte shqetësim me atë që po ndodhte në Serbi”, ka thënë Hill.

Ai tha se kishte shumë pengesa gjatë rrugës deri të konferenca e Rambujesë, ndërsa tregon edhe se si ishin pajtuar të gjithë përfaqësuesit e delegacionit të shqiptarëve të Kosovës në lidhje me të.

“Më kujtohet se të gjithë anëtarët e delegacionit të shqiptarëve të Kosovës ishin dakord me marrëveshjen. Nuk më kujtohet kush e ka nënshkruar, por të gjithë ishin dakord të nënshkruhej ajo marrëveshje në Paris. Isha shumë i kënaqur, që personat që nuk kishin të njëjtin mendim më parë, në atë moment ishin bashkë. Ishin persona që për arsye politike apo mendimeve që kishin për Rugovën, nuk ndanin të njëjtën qasje, por në Rambuje kishin të njëjtin mendim. Pas nëntë muajsh isha i kënaqur megjithëse nuk kishim një ‘foshnje’ në duar, për ne ishte një arritje e madhe, por kishim një ndjenjë melankolie sepse Serbia nuk ishte aty dhe ishim në një pikë shumë të rëndësishme historie. UÇK, LDK dhe Intelektualët e Pavarur, më kujtohen këta tre nënshkrime”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se koncepti i asaj kohe ishte që t’iu jepej një mesazh i qartë serbëve se kjo do të ndodh dhe se do të ishte mirë që të bëheshin pjesë e procesit.

“Kjo është mënyra më e mirë që të mbrohen interesat e Serbisë dhe do të ishte mirë të bëheshit pjesë e këtij procesi. Përderisa Millosheviqi kishte thënë disa herë që shqiptarët nuk do të pajtohen dhe nuk do të bien dakord me asgjë, marrëveshja rrëzonte këtë pikëpamje të tyre. Ky ishte një mesazh i kundërt me atë që thoshte Millosheviqi, ne i thamë atij se e arritëm marrëveshjen dhe do të ishte mirë që ti të mendoje se çka do të bënte Serbia. Kjo ishte ideja, të paktën jo për mua sepse unë mendoj se luftërat janë shumë të rënda dhe unë kam problem me zgjidhjen e tyre, por kishte njerëz që thonin se duhet të përgatitemi.  Unë nuk thoja që duhet të bombardonim Serbinë për dy ditë, dhe çdo gjë është në rregull, thjeshtë t’i demonstrojmë Millosheviqit që u bombardove dhe ai duhet ta përqafoj procesin. Unë personalisht nuk kam qenë njëri prej tyre”, ka shtuar Hill. /Lajmi.net/