Gazetari gjerman zbulon se Kosova planifikon të aplikojë për anëtarësim në BE këtë vit, nën këtë pretekst

Gazetari i mediumit gjerman ‘F.A.Z’, Michael Mertens, duke u thirrur në burime, ka zbuluar preteksin me të cilin institucionet kosovare ia mësyjnë që të aplikojnë në BE.

Lajme

09/06/2022 22:02

Mertens, në një postim në ‘Twitter’, ka thënë se, nga burime të sigurta, aplikimi i Kosovës në BE ndërlidhet me atë të Ukrainës, Gjeorgjisë e Moldavisë, shkruan lajmi.net.

“Burime që e njohin mirë këtë çështje: Kosova planifikon të dorëzojë aplikacionin për anëtarësim në BE edhe këtë vit. Logjika duket se është kështu: Nëse Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia po e bëjnë këtë, pse jo edhe Kosova?”, ka shkruar ai.

I njëjti pati raportuar paraprakisht me burime edhe për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Për aplikimin e Kosovës në BE ka folur edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përpara dy muajsh.

“Ne do të aplikojmë këtë vit për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian. Do të ishte shumë mirë që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës dhe në programin e partneritetit për paqe të NATO-s”, pati deklaruar Kurti në një intervistë.

Formë skepticizmi për aplikimin e Kosovës në BE është shprehur në raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën, duke thënë se nuk ka formë të përshpejtuar për në unionin europian.

“Por, nënvizojmë faktin se nuk ekziston një procedurë e shpejtë dhe se normalizimi i raporteve me Serbinë është i domosdoshëm për avancimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane”, thuhet në tekstin e draftit të raportit, për të cilin do të diskutohet të enjten në seancën e Komisionit për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.

Kosova ka aplikuar në Këshillin e Evropës në gjysmën e muajit maj, teksa shqyrtimi i këtij aplikacioni pritet të bëhet më 2023-ën. /Lajmi.net/