Diplomacia e turbullt franceze, ambasada në Serbi e kundërshtoi por ajo e Kosovës e përkrah aplikimin në KE

Lajme

13/05/2022 20:48

Ambasada e Francës në Kosovë e ka përkrahur vendimin e shtetit që të aplikojë në Këshillin e Evropës. Mirëpo, i njëjti qëndrim nuk ishte edhe nga ambasada franceze në Serbi.

Ambasada franceze në ‘Facebook’ tha se vendimi për aplikim në KE i takon Kosovës për shkak të sovranitetit të saj, shkruan lajmi.net.

“Vendimi për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran. E ardhmja e Kosovës është të bëhet anëtare e tij. Prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili do të kontribuojë në afrimin e tyre evropian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit”, thuhet në postimin e tyre.

“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të angazhohen plotësisht në këtë drejtim dhe të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të nxisë tensione”, thuhet më tej.

Pierre Cochard, ambasadori i Francës në Serbi, e pa si të njëanshëm vendimin e Kosovës që të aplikojë për Këshill të Evropës, duke thënë se Franca nuk i mbështet këto vendime.

“Ne mbështesim përpjekjet e Miroslav Lajçakut, mbështesim ftesën e Gjermanisë për presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Kandidatura për në Këshillin e Evropës është një vendim i njëanshëm dhe ne nuk i mbështesim ato vendime dhe e konsiderojmë dialogun një prioritet. Temat prioritare janë: Asociacioni i komunave serbe, energjia dhe çështjet e personave të pagjetur. Kjo është prioritet për ne”, deklaroi ai për një medium serb.

Kosova ka marrë mbështetje nga Gjermania dhe Britania e Madhe për aplikimin që të anëtarësohet në institucionin evropian.

Nga ky institucion kanë bërë me dije se rasti i Kosovës është dërguar në komitetin e ministrave, në kuadër të KE-së, për shqyrtim. /Lajmi.net/