Beqa: Sa më shpejtë që mbahen zgjedhjet më mirë, Bedri Hamza është Kryeministri që iu duhet qytetarëve
Në vendin tonë veçse ka nisur koha kur fillon afati ligjor përmes të cilit Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mund të shpall datën e mundshme të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Kosovë. Në prag të afatit për përcaktimin e zgjedhjeve të ardhshme pati deklarime nga pozita e opozita. Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht Ministrja e Punëve të Jashtme dhe…

Lajme
Në vendin tonë veçse ka nisur koha kur fillon afati ligjor përmes të cilit Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mund të shpall datën e mundshme të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Kosovë.
Në prag të afatit për përcaktimin e zgjedhjeve të ardhshme pati deklarime nga pozita e opozita.
Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës Donika Gërvalla-Schwarz para disa ditësh ka insistuar që këtë vit nuk do ketë zgjedhje parlamentare në vend.
Ajo veçmas kësaj, tutje ka deklaruar se partitë opozitare janë të vetëdijshme se zgjedhjet e ardhshme do të jenë më fatale se sa ato të kaluarat.
“Prandaj nuk ka zgjedhje as në shtator dhe ato do të mbahen në afatin e rregullt, pra në shkurt të vitit të ardhshëm“, është shprehur ajo.
E një deklarim të tillë, në një përgjigje për lajmi.net e ka hedhur poshtë deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa.
Beqa ka thënë se një deklaratë e tillë nuk ia vlen të komentohet duke shtuar këtu se sipas tij ministria e udhëhequr nga Gërvalla ka dështuar në diplomaci dhe se partia të cilës ajo i përket në të gjitha sondazhet nuk ka arrit të sigurojë as 1% të votave.
“Realisht nuk ja vlen ta komentoj deklaratën e një ministreje të dështuar e cila edhe ato raporte të cilat kanë qenë me shtetet mike edhe urat që kane qene mes Republikës të Kosovës dhe shteteve mike i ka prish, nuk kemi as një njohje të re, nuk kemi as një avancim ne diplomaci, përkundrazi, kemi një degradim në ministrinë qe udhëhiqet nga ministrja Gërvalla, kemi degradim në diplomaci. Kurse sa i përket deklarimeve për kush sa vota ka me i marr ne zgjedhje, partia të cilës i përket ministrja Gërvalla të gjitha sondazhet e qesin që nuk ka arrit ende me i bo 1% të votave, nuk ka sens me e komentu një person te dështuar siç është Donika Gërvalla, e aq më shumë një parti e cila nuk i ka 1%”, është shprehur Beqa.
Në pyetjen se kur e shohin PDK-ja të përshtatshme mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme, Beqa tha se sa më shpejt që është e mundur.
“Çdo kohë është e përshtatshme mirëpo mendoj sa më shpejt mu mbajt zgjedhjet është më mirë për qytetarët sepse kjo qeveri është duke e humb kohën e qytetarëve me dështimet që i ka”, u shpreh ai.
E ndër të tjera Beqa u shpreh i bindur se PDK duhet dhe do të fitojë zgjedhjet dhe vendi të udhëhiqet nga kryeministri që është kandidati nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza.
“Ne si Parti Demokratike kemi programin më të mirë, jemi më të përgatitur, lista e deputetëve do të jetë më e mirë dhe më konkurrente se e subjekteve tjera. Mirëpo edhe kandidati për kryeministër i PDK është Z.Hamza i cili përveç se është më i mirë se kandidatët e tjerë, është kandidat që iu bjen taman kërkesave të qytetarëve, e ka idenë e ka programin edhe e ka vizionin që çka duhet me bo një kryeministër. Kemi pas një shembull të dështimit të kryeministrit të kaluar edhe presin që partia demokratike apo qeveria e ardhshme të jetë e udhëhequr nga Z.Hamza. Dhe jo vetëm që presim, por edhe besojmë fuqishëm që kryeministri i ardhshëm do të jetë Bedri Hamza. Edhe është në interes jo vetëm të Partisë Demokratike por edhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, sepse Bedri Hamza, do të jetë një kryeministër për të gjithë”, përfundoi ai.
Pozitiv sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve qofshin ato të parakohshme ishte deklaruar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Madje ai shpesh herë ka kritikuar opozitën se ka vonuar e pamundësuar zgjedhjet.
Kurti shprehet i gatshëm për zgjedhje madje duke qenë i sigurt në fitore.
Ngjashëm janë deklaruar edhe partitë e tjera opozitare, të cilat kanë shprehur gatishmërinë për zgjedhje.
Madje sipas këtyre të fundit, Kurti do të dalë humbës nga këto zgjedhje dhe do e kuptoj qartë se nuk ka më përkrahjen që pati dikur nga elektorati kosovar./Lajmi.net/