Mazreku: Kushti i ri s’ka kuptim, afati kohor për liberalizimin e vizave i paparashikueshëm

Ka përfunduar takimi i grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian, ku është diskutuar për liberalizimin e vizave për Kosovën. Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, është diskutuar gjatë ditës së djeshme në Grupin Punues për vizat të Këshillit të Bashkimit Evropian. Nga ky takim, u raportua se Franca është ajo që e ka…

Lajme

14/10/2022 20:54

Ka përfunduar takimi i grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian, ku është diskutuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, është diskutuar gjatë ditës së djeshme në Grupin Punues për vizat të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Nga ky takim, u raportua se Franca është ajo që e ka kushtëzuar liberalizimin e vizave për Kosovën, me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS, shkruan lajmi.net.

Rreth kësaj çështje, lajmi.net ka kontaktuar me njohësin e politikave të jashtme, Avni Mazreku.

I pyetur rreth këtij kushti të ri, Mazreku, ka thënë se, ky kushtëzim nuk ka kuptim.

“Edhe pse kjo nuk është, së paku unë nuk e kam pa diku që është qëndrim përnjëmend i Francës, ose një qëndrim të caktuar të Brukselit, në lidhje me këtë kushtëzim, por me sa unë kam pa nga mediat, përmendet një tip kushtëzim i tillë për Kosovën. Ky kushtëzim për Kosovën nuk ka kuptim, për faktin që nuk përdoret në asnjë rast deri me tani në procesin e liberalizimit”, ka thënë ai.

Më tej, ai është deklaruar edhe rreth afatit se kur mund të ndodh liberalizimi i vizave duke pas parasysh kushtin e ri, duke thënë se, ato janë të paparashikuara, kjo për faktin se ky sistem nuk është i implementuar as në vendet aktualisht anëtare të BE-së.

“Do të thotë, nëse ky qëndrim është vërtetë zyrtar që Kosovës i kushtëzohet procesi i liberalizimit të vizave për instalimin dhe fillimin e implementimit të një sistemi të tillë, afatet kohore se kur Kosova mundet me plotësu këtë kusht janë ekstremisht të paparashikuara, kur dihet që ky sistem ende nuk është i implementuara as në vendet aktualisht anëtare të Bashkimit Evropian”, ka shtuar Mazreku.

Përveç kësaj, sipas njohësit të politikave të jashtme, ky proces, po përdoret si instrument politik nga disa shtete anëtare të BE-së.

“Prandaj unë nuk e shoh si kushtëzim në kontekst të mundësimit të disa aspekteve teknike që kanë të bëjnë me sigurinë e zonës shengen, ashtu siç së paku paraqitet në disa nga mediat kredibile, por e shoh si kontekst të përdorimit të një procesi, që është liberalizimi i vizave që duhej të ishte krejtësisht vlerësim nga ana e një organi kompetent që në këtë rast është Komisioni Evropian, i cili edhe ka vlerësuar Kosovën që i ka përmbush këto kritere. Por ky proces për Kosovën, është duke u përdorur si instrument politik nga ana, së paku, disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për qëllime të caktuara politike”, ka vijuar ai në deklarimin e tij.

Po ashtu, ai ka shtuar se sipas tij, çështja e liberalizimit të vizave si instrument presioni mbi Kosovën.

“Afatet kohore, janë të paparashikueshme në këtë rast, sepse sistemi i njëjtë nuk është i implementuar edhe aktualisht nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.  Prandaj, për një proces ose për një çështje, e cila nuk është duke u implementuar nga vetë anëtarët e zonës shengen, apo nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, e që shumë prej këtyre vendeve, së paku, prapë sipas burimeve të caktuara mediale, janë skeptike për sa i përket performancës së këtij sistemi, çfarë do të thotë që nuk dihet nëse vetë Zona Shengen do ta implementojë këtë sistem. Por ky përdoret nga vendet e caktuara të Bashkimit Evropian për qëllime të caktuara politike. I cili përdoret si instrument presioni mbi Kosovën, respektivisht në këtë rast do të mund të aludohej apo konkludohej që procesi i liberalizimit të vizave po përdoret me qëllim të ushtrimit të ndonjë presioni të caktuar”, ka përfunduar Mazreku.

Duhet shtuar se, reagime të shumta janë bërë në lidhje me kushtëzimin e ri që i është bërë Kosovës nga ana e Francës, brenda së cilave është theksuar fakti se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për vizat.

Në këtë linjë, duhet kujtuar edhe faktin se Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën qysh në vitin 2018. /Lajmi.net/