Analistët e shohin fituese LVV-në në zgjedhje, thonë se “lufta” për vendin e dytë do të jetë mes këtyre partive
Më datën 9 shkurt, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në nivel qendror. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të premten ka njoftuar se e ka dekretuar 9 shkurtin e vitit 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare, shkruan lajmi.net. Vendimi për caktimin e…

Lajme
Më datën 9 shkurt, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në nivel qendror.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të premten ka njoftuar se e ka dekretuar 9 shkurtin e vitit 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare, shkruan lajmi.net.
Vendimi për caktimin e zgjedhjeve parlamentare erdhi pasi Osmani më 31 korrik takoi liderët e partive politike në vend të cilët edhe propozuan datat e tyre të preferuara për këto zgjedhje. Në këtë takim mungoi i pari i VV-së, Albin Kurti. Kurti refuzoi të paraqitej në takimin e Osmanit ndërsa datën e preferuar ia dërgoi të shkruar.
Por ishte presidentja Osmani që nuk zgjodhi asnjërën prej tyre, por zgjodhi 9 shkurtin.
Nga rezultatet e ardhshme sipas analistëve pritet që sërish Lëvizja Vetëvendosje të arrij të dal e para me 50% të votave. Analistët njëzëri thonë se një rezultat i tillë momentalisht tregohet nga sondazhet.
Por, analisti politik Dritero Arifi nuk e përjashton mundësinë që kjo përqindje mund të ndryshojë gjatë rrugës për të mirë, apo për të keq.
Arifi i tha lajmi.net se janë edhe 6 muaj në pyetje dhe se një pasqyrë më të qartë mund ta kemi ne muajin janar.
“Deri në zgjedhjet e ardhshme kemi përafërsisht 6 muaj dhe gjatë rrugës mund të ndryshojë gjithçka. Sipas trendëve të matjeve aktuale mund të themi se Vetëvendosja mund të radhitet e para. Përqindja është jo shume relevante mirëpo edhe 6 muaj gjatë rrugës gjithçka mund të ndodhë, ose për të mirë edhe për të keq, gjithçka do të vërehet deri në fund të janarit dhe kemi një fotografi më të qartë sa i përket radhitjes apo përqindjes së radhitjes se cila parti mund të dal”, tha Arifi.
Por analisti Arifi e konsideron të domosdoshëm krijimin e një koalicioni, pasi sipas tij Vetëvendosje nuk po mundet e vetme t’i realizoj projektet e mëdha.
Konkretisht marrëveshja me botën perëndimore dhe me Serbinë për përmbylljen e dialogut, analisti konsideron se është e pamundur të arrihet pa koalicion.
“Edhe pse kjo Qeveri i ka 51 për qind, shumicën e projekteve të mëdha nuk po arrin me i përfundu, e projekti më i madh është dialogu me Serbinë, apo respektivisht dialogu me perëndimin. Kjo Qeveri edhe pse po e ka shumicën nuk po mund të arrin të lëvizë nga pika A në pikën B. Kështu që koalicioni pavarësisht përqindjeve dhe rezultateve do të jetë i detyrueshëm që të jetë një koalicion i madh shqiptar që ta përmbyll njëherë e përfundimisht dialogun me Serbinë apo perëndimin, sepse për ne më i rëndësishëm është dialogu me botën perëndimorë”, tha ndër të tjera ai.
Ndërkaq sa i përket koalicionit me PDK-në, analisti e konsideron mjaft të vështirë, teksa thekson se LVV-ja duhet t’i kërkojë falje kësaj partie të cilën për 25 vite e ka quajtur kriminale.
“E shoh të vështirë një koalicion mes PDK dhe VV-së, jo pse është i vështirë në përmbajtje për shkak të ideologjisë, për fat të keq partitë politike në Kosovë nuk kanë një ideologji të theksuar më shumë janë për aktrim se sa për përmbajtje, por mendoj se do të jetë e vështirë sepse njëra palë duhet të kërkojë falje, sepse nëse i themi se që 25 vite një parti është kriminale dhe nëse nesër Vetëvendosja bënë koalicion me PDK-në pa i kërkuar falje për të gjitha ato video që i ka postuar dhe të thënat për 25 vite si parti kriminale, atëherë i bie se edhe VV-ja është parti kriminale. Ajo çka po i mungon Kosovës është përmbajtja. Ne kemi parti pa substancë dhe pa përmbajtje dhe çfarëdo koalicioni edhe nëse bëhet pa kërkim falje ai koalicion sërish s’ do të ketë përmbajtje dhe substancë.”
Ndërsa analisti Gazmir Raci konsideron me bindje të plotë se do të ketë “luftë” mes PDK-së dhe LDK-së për vendin e dytë në ranglistë, teksa shton se AAK-ja vështirë që e kalon pragun zgjedhor.
Madje parasheh që nuk do të ketë asnjë koalicion të mundshëm me opozitën aktuale pasi sipas tij LVV-ja do ti ketë e vetme 50% të votave.
“Për vendin e parë dihet, VV. Lufta do jetë për vendin e dyte dhe tretë (PDK dhe LDK) kurse vendi i katërt (AAK) vështirë qe e kalon pragun (luftë për mbijetesë).Kurse po pres surprizë tek partitë e minoriteteve tjera, IRDK e Ministrit Elbert Krasniqi ka gjasa të mëdha të nxjerr dy deputet në zgjedhjet e reja parlamentare. Roli i Ministrit qe është kryetar i IRDK në shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit ka qenë shume domethënës dhe me rendësi të madhe në këtë fazë. Nëse dalin rezultatet sipas sondazheve të ndryshme dhe nëse VV merr 50% atëherë nuk ka nevojë për koalicione në Qeverinë e re. Nuk pres koalicion mes VV dhe PDK sepse sondazhet po e nxjerrin fituese vetëm”, është shprehur Raci.
Ndërkaq analisti Shemsi Jashari ka parashikuar që distanca e votave mes subjekteve politike do të jetë më e vogël se sa në zgjedhjet e kaluara qendrore.
Por shprehet se subjektet politike duhet të kenë kujdes se kënd e përzgjedhin në listat e tyre e për të inkuadruar njerëz apo figura të cilët janë më të dëshmuar që mund të tërheqin votuesin.
“Në zgjedhjet e radhës presim që radhitja e partive politike të jetë e njëjta nga zgjedhjet e kaluara në renditje. Do të prijë LVV-ja, pastaj PDK-ja, AAK-ja me koalicion dhe partitë e tjera të vogla, ku në aspektin e renditjes nuk presim ndryshime por presim në kuptim të numrit të votave dhe fuqisë politike që ka secili subjekt. Pra renditja do të jetë e njëjtë por diferenca mes LVV dhe PDK do të jetë më e vogël. Sa i përket listave besojë se subjektet politike kanë marr mesazhin nga qytetarët sepse kemi një Kuvend me një përbërje më të dobët prej pas luftës dhe pritet një reflektim nga subjektet politike që të hartojnë listën me të cilën do të garonin në zgjedhje për të inkuadruar njerëz apo figura të cilët janë më të dëshmuar që mund të tërheqin votuesin”, tha Jashari.
E për një koalicion të mundshëm mes LVV-PDK analisti e konsideron të pamundur pasi sipas tij kanë dallime të mëdha në koncepte politike, sidomos në qasjen ndaj partnerëve ndërkombëtar.
“Subjektet garuese mendoj se asnjëra nuk do ta arrijnë shumicën absolute për të krijuar Qeverinë si e vetme dhe do të nevojiten koalicione. Dhe sa i përket koalicioneve LVV -PDK nuk shoh ndonjë mundësi që të jenë bashkë në qeverisje arsye kryesore është dallimi shumë i madh në konceptet politike, qasjen ndaj zgjidhjes së problemeve dhe sidomos qasjen ndaj partnerëve ndërkombëtar ku PDK është treguar shumë më e arsyeshme dhe më në koordinim me faktorin ndërkombëtar. Përderisa kemi pa një qasje shumë negative dhe jo bashkëpunuese nga LVV” përfundojë Jashari.
Ndërkaq Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka bërë disa ndryshime në procesin e votimit brenda Kosovës. Pa heshtje zgjedhore 48-orëshe, e me procedura të lehtësuara për mërgimtarët, do të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.
Detaje për procesin e ardhshëm të këtyre zgjedhjeve për lajmi.net ka dhënë zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi.
Elezi ka njoftuar se në këto zgjedhje votuesi ka të drejtë të zgjedh deri në 10 kandidatë për deputet nga një subjekt politik, ndërsa në zgjedhjet e kaluara votuesi ka pasur të drejtë të votoj vetëm deri në pesë deputetë.
“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme (2023) ka bërë disa ndryshime të procesit të votimit brenda vendit. Kur flasim për votimin brenda vendit, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës, votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë të një subjekti politik (në zgjedhjet e kaluara votuesi ka pasur të drejtë të zgjedhë/votojë deri në 5 kandidatë për deputetë të një subjekti politik”, ka thënë Elezi.
Po ashtu duhet theksuar se mbi dy milionë është numri i qytetarëve me të drejtë vote në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për kufizimin e shpenzimeve të fushatës sa zgjedhjeve për subjektet politike.
Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 2,047,149 euro, pra jo më pak se një euro për votues të regjistruar.
Kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve si dhe duke u mbështetur në të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas të cilës numri i votuesve në vendin tonë është 2,047,149 votues.
Ndryshe fushata zgjedhore politike në vend do të fillojë më 11 janar 2025. /Lajmi.net/