1721 pikëpyetje

Rrjeti i aktivistëve “Nisja Ime” dhe “Nisma e të Rinjve” sjellin 1721 personat e pagjetur kosovarë, por në një trajtë simbolike, atë të balonave të zinj me pikëpyetje, në sheshin “Skënderbeu”.

Lajme

10/12/2013 14:12

Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut disa aktivistë të rinj kanë vendosur ta shënojnë me një aksion simbolik në përpjekje për sensibilizim të organeve relevante në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së Kosovës.

Ata kanë mbledhur dhe fryrë 1721 balona të zinj me nga një pikëpyetje në secilin prej tyre, dhe i kanë vendosur përballë Qeverisë së Kosovës, si thirrje që të ketë konsideratë mbi familjet e të pagjeturve.

Besart Lumi, koordinator i Organizatës Nisja e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin hapa për zgjidhjen e këtij problem mbarëshoqëror.

“Kërkojmë nga qeveria dhe të gjitha institucionet tjera përgjegjëse që të ndërmarrin hapat e menjëhershëm që të zgjidhet ky problem shumë i madh që nuk i prek vetëm familjarët e personave të pagjetur por prek gjithë shoqërinë kosovare si formë për ballafaqim me të kaluarën”.

“Në Kosovë edhe pas 14 vjet pas luftës mbesin 1721 persona të pagjetur të cilët nuk dihet se ku janë”.

“Kjo ka qenë arsyeja pse ne kemi dashur ta lidhim këtë me Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut si e drejtë fundamentale për familjet e familjarëve të këtyre personave, që edhe ata ta dinë të vërtetën se çfarë ka ndodhur me pjesëtarët e familjeve të tyre, ku janë, dhe të paktën t’i kenë trupat e tyre sa më shpejt”.

Përderisa që nga viti 2008 deri tash janë gjetur mbetjet trupore të vetëm 100 personave të zhdukur, Lumi ka kërkuar që kjo temë të përfshihet edhe në bisedimet Kosovë-Serbi.

“Ne gjithashtu kërkojmë që kjo temë të jetë pjesë e bisedimeve Kosovë-Serbi dhe të zgjidhet sa më shpejtë në mënyrë që fati i personave të pagjetur të zgjidhet sa më parë”, është shprehur ai.