16 vjet në skamje, politikanët milionerë

Vetëm t’i hidhet një sy Agjencisë Kundër Korrupsion, ku politikanët e Kosovës kanë deklaruara pasurinë e tyre dhe nëse krahasohen nga viti në vit shihet qartë rritja e tyre marramendëse e pasurisë, ndërkohë që zyrtarisht kanë vetëm paga.

Lajme

14/06/2015 08:37

Rritja e luksit të tyre, të pronave milionëshe është i dukshëm, po aq e vërejtshme është edhe gjendja e rëndë me të cilën ballafaqohet shumica e popullit të Kosovës.

Të dhënat e institucioneve ndërkombëtare financiare si Banka Botërore (BB) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tregojnë qartë për një krizë të madhe ekonomike në Kosovë.

Papunësia vazhdon të mbetet rreth 40 për qind, kurse varfëria ekstreme 17 për qind, ndërkohë që lista e milionerëve të Kosovës, kryesisht nga politika, sa vjen e shtohet, raporton Zëri.

Analistët dhe ekspertët politikë, në përvjetorin e 16-të të çlirimit të vendit, thonë se me klasën politike në Kosovë nuk janë zhgënjyer vetëm qytetarët, por edhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në çlirimin e saj.

Publicisti, Halil Matoshi ka thënë se Kosova i ka zhgënjyere miqtë e saj, të cilët i dolën në krahë në momentet më të rënda të ekzistencës së vet.

Sipas tij, politikanët në Kosovë e kanë keqkuptuar konceptin e pushtetit duke e shfrytëzuar kështu pushtetin për pasurim personal.

Edhe analisti Shpend Kursani është shprehur i zhgënjyer me mënyrën sesi është qeverisur vendi gjatë 6 vjetëve në liri.

Kursani ka thënë se klasa politike në vend nuk ka pasur mendësi shtetndërtuese, por, sipas tij, qëllimi i tyre ka qenë shfrytëzimi i pushtetit për pasurim personal.

E kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni ka thënë se ndaj atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë do të ushtrojnë kallxim penal.

“Nuk është vendim i Agjencisë, është çështje ligjore. Duhet të realizohet deklarimi dhe ai të bëhet publik, qytetari i vendit duhet të dijë kush çka ka, vlera është subjektive, secili prej tyre e vlerëson individualisht pronën apo pjesën e pronës që ka”, ka thënë ai.