16 vjeçari nga Gjilani mbron hoxhën Zekirja Qazimi

Edhe pse imami i xhamisë “El Kuddus” në Gjilan, Zekerija Qazimi, është arrestuar, xhemati i tij vazhdon të besojë se hoxha është i pafajshëm dhe thonë se ai asnjëherë s’ka shkuar për të luftuar apo ka bërë thirrje për të luftuar në Siri e Irak.

Lajme

18/08/2014 20:54

Shqiptari siç quhej më parë, apo Ebu Bekër, siç e ka emrin tash, insiston se imami Qazimi nuk ka bërë thirrje për të shkuar në Siri, se përndryshe ai bashkë me vëllezërit të parët do të shkonin.

“E kanë arrestuar pa faj atë, s’ka pasur faj. Nuk ka nxitur kurrfarë terrorizmi unë vi këtu qe 4 vjet. Hoxha s’ka pas asnjë lloj ligjërate në lidhje me terrorizmin, as nuk e ka çuar askënd në Siri”, tha ai.

Ata që falën nën udhëheqjen e Qazimit e mbrojnë hoxhën. Ngase, sipas tyre, ai nuk ka bërë thirrje për terrorizëm.

“Unë qe 3 vjet falem pas tij dhe, nuk di asgjë që ka bërë kundër dikujt, apo ka akuzuar dikë apo e ka shkolluar mbrapshtë”, ka thënë një tjetër anëtar i këtij xhemati më i shtyrë në moshë.

Asnjëri nga hoxhallarët që bëjnë thirrje në internet nuk është dëgjuar të bëjë thirrje direkte për të shkuar në luftë në Siri. Por, secili prej tyre në ligjërata përmendin luftërat në botën arabe; se si po vriten myslimanët, po masakrohen gra e fëmijë, vetëm sepse i përkasin besimit Islam.