150 mijë të rinj votojnë për herë të parë

Mbi 150 mijë të rinj, të cilët kanë mbushur 18 vjet, do të votojnë për herë të parë të dielën më 11 qershor në zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend. Analistët politikë në vend thonë se votat e reja do të jenë vendimtare në përzgjedhjen e subjektit i cili do të qeverisë në katër vjetët e ardhshme. Analisti politik, Ramush Tahiri, thotë se duke pasur për bazë që dy koalicionet PDK-AAK-Nisma dhe LDK-AKR-Alternativa mund të kenë dallime në dy ose tre deputetë, atëherë 150 mijë votuesit e rinj do të kenë rol vendimtar për përcaktimin e fituesit në këtë zgjedhje.

Lajme

09/06/2017 08:55

“Duhet theksuar së në bazë të disa analizave një pjesë e këtyre të rinjve diku rreth 30% janë përcaktuar për ‘Vetëvendosjen’, pasi të rinjtë janë të prirë të shkojnë kah revolucioni dhe duket se kjo parti ka platformën që i tërheq më shumë ata, por që prapëseprapë kjo nuk ka peshë të madhe pasi që nëse 70% e tyre ndahet kah subjektet e tjera, atëherë do të jenë përcaktues për dy koalicionet e mëdha”, ka thënë ai.

Tahiri më tej ka shtuar se një gjeneratë e re e lindur pas lufte votën e tyre nuk do ta japë në bazë të vendit nga vjen apo rrethit familjar, por nga ajo çka i ofrohet tek një parti. “Duhet theksuar se nëse deri më tash ka ndikuar rrethi ose familja në përzgjedhjen e subjektit, tash gjeneratat e reja nuk ndikohen më, ata më se shumti janë të interesuar për platformën politike që partitë ua ofrojnë për të ardhmen e tyre”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa analisti Imer Mushkolaj thotë se këta të rinj të cilët votojnë për herë të parë, duke u bazuar në gjendjen ekonomike në të cilën ndodhet Kosova, është e natyrshme që nuk votojnë si prindërit e tyre, por ata kërkojnë ndryshim. “Është e logjikshme që vota e të rinjve, që në këto zgjedhje do të votojnë për herë të parë, të jetë ndryshe nga ajo e prindërve të tyre. Të rinjtë kërkojnë ndryshimin dhe gjendja ekonomike e sociale në të cilën jetojmë është arsye e mjaftueshme që ata të votojnë për ndryshimin”, ka thënë ai. Mushkolaj më tej shtoi se e ardhmja e zymtë në Kosovë do të determinojë edhe votën e tyre.