15 marsi, Dita e Konsumatorit dhe Dita e Gjumit

Sot, më 15 mars shënohen dy ditë ndërkombëtare, Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit, e cila ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, dhe Dita Botërore e Gjumit, sivjet me tematikën “Kur gjumi është i mirë, shëndeti dhe lumturia janë me bollëk”.

Lajme

15/03/2015 08:18

Mbrojtja e konsumatorit ka të bëjë në thelb me ruajtjen e shëndetit dhe të sigurisë së konsumatorëve dhe me mbrojtjen e tyre nga çdo praktikë abuzive e tregtarëve.

Më 15 mars 1962, presidenti amerikan John Kennedy miratoi “Ligjin për të drejtat e konsumatorëve”.

Ndërkaq, më 9 prill 1985, Kombet e Bashkuara kanë miratuar Udhëzimin për kujdesin apo mbrojtjen e konsumatorit, ndërsa Ligji për mbrojtjen e konsumatorëve në Kosovë është miratuar në qershorin e vitit 2004 në Kuvendin e Kosovës.

Ky ligj për konsumatorin përfshinte të drejtën e informimit, të drejtën e sigurisë, të drejtën për të zgjedhur dhe të drejtën për t’u dëgjuar. Që nga ajo kohë, 15 marsi është Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorëve.

Mbërritur në edicionin e tij të tetë, ngjarja e organizuar nga World Association of Sleep Medicine (ËASM) më 15 mars, ka këtë herë tematikën “Kur gjumi është i mirë, shëndeti dhe lumturia janë me bollëk”.

Aty thuhet se çdo individ shpenzon deri në një të tretën e jetës së tij duke fjetur.

Për këtë arsye pasojat e gjumit mbi shëndetin nuk duhen nënvlerësuar: mungesa e një gjumi të rregullt ka pasoja negative mbi shëndetin në afat të shkurtër dhe të gjatë dhe lidhet me obezitetin, diabetin, dobësimin e sistemit imunitar dhe deri te disa forma të kancerit.

World association of sleep medicine jep disa këshilla për një gjumë sa më të mirë:

-Përcaktoni një orar fiks për gjumin dhe zgjimin

-Mos e teproni me pushimet gjatë ditës

-Mos konsumoni alkool apo duhan katër orë para se të flini

-Evitoni ngrënien e ushqimeve të rënda në darkë, shumë të kripura apo sheqerosura

-Mos pini kafe, 6 orë para se të flini

-Mos bëni ushtrime fizike menjëherë para se të shtriheni për të fjetur

-Mbani veshur pizhamet e përshtatshme

-Ajrosni mirë dhomën

-Shmangni zhurmat dhe kujdes dritën

-Mos punoni në krevat

-Një aleat shumë i mirë për gjumin është edhe jastëku i mirë. /Kosovapress/