15 asistentëve në UP u shkëputen kontratat
Rektorati i UP’së ka ndërprerë procedurat e nënshkrimit të kontratave të punës me 15 asistentë në Fakultetin e Mjekësisë. Arsyet e këtij veprimi janë se ata kanë pasur diploma të pa nostrifikuara, ose nuk kanë pasur të kryer fare nivelin e studimeve Master.
Lajme
Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka bërë të ditur se u ka shkëputur kontratën e punës ende pa i nënshkruar ato, për 15 asistentët e Fakultetit të Mjekësisë- përkatësisht në degët Infermieri dhe Mami.
Ky veprim është ndërmarrë nga Rektorati, pasi që personat kishin kryer studimet në Fakultetin Kristal të Shqipërisë dhe se diplomat e tyre nuk kanë qenë të nostrifikuara.
Personave që u është ndërprerë procedura e nënshkrimit të kontratave nga dega e Infermierisë janë: Besarta Pelaj, Eglantina Kraja, Elvana Podvorica, Hasan Gashi, Kimete Rrustolli, Lumturie Spahiu, Fetije Hurgulica, Shpresa Surdulli. Ndërkaq asistentët nga dega Mami janë : Anita Sadikaj, Besnike Latifi, Ermira Badalli, Leonora Hajzeraj, Luljeta Kadriu, Afërdita Berisha dhe Antigona Bytyqi-Gashi.
Në një komunikate për shtyp të UP’së thuhet se këta persona ose kanë studiuar në Universitetin Kristal dhe kanë diploma të pa nostrifikuara ose nuk kanë mbaruar akoma studimet Master.
Dhe këto gjëra bien ndesh me kriteret e pranimit të stafit akademik në Fakultetin e Mjekësisë.
“Menaxhmenti do të vazhdojë më hulumtimin edhe të rasteve të tjera eventuale, dhe sipas normave në fuqi do të marrë masa edhe ndaj të tjerëve që janë angazhuar sipas kritereve të ngjashme”, thuhet në një komunikatë të Rektoratit të UP’së.