14.600 kilometra për asgjë

Marcelo udhëtoi nga Spanja për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anasjelltas, pa u paraqitur asnjë minutë në dy miqësoret e Brazilit kundër Kolumbisë dhe Ekuadorit.

Sport

11/09/2014 16:14

Carlos Dunga është emëruar selektor i ri i Brazilit pas Kampionatit botëror.

Dhe, në dy miqësoret e para kundër Kolumbisë dhe Ekuadorit, pas rikthimit në detyrë, ai vendosi që të provojë disa futbollistë të rinj duke mos i ftuar disa prej yjeve të ekipit.

Në pushim mbeti Marcelo, por pas lëndimit të Alex Sandros ai u përfshi në ekip. Futbollisti i Real Madridit menjëherë u nis përtej Oqeanit për në Miami ku Brazili kishte caktuar një miqësore me Kolumbinë. Dunga provoi 17 futbollistë nga 22 sa kishte në dispozicion por jo edhe Marcelon.

Më pas ekipi udhëtoi për në New Jersey.

Dunga provoi edhe dy futbollistë të tjerë që nuk u angazhuan kundër Kolumbisë e Marcelo, së bashku me Rafaelin dhe Fabinhan, ishin të vetmit që nuk luajtën për asnjë minutë të vetme.

Marcelo u rikthye prapa në Madrid pas një rrugëtimi të gjatë 14.600 kilometra. Me fjalë tjera ai kaloi më tepër se 24 orë në aeroplan. Carlo Ancelotti dhe Los Blancos do të jenë të pakënaqur me veprimin e Dungas.