12 vite pavarësi: Progresi i sportit kosovar që nga viti 2008 – sfera që ‘i dha krahët’ Kosovës

Sot 12 vite më parë, Kosova shënonte ditën më të rëndësishme në historinë e saj, pas çlirimit nga lufta, në vitin 1999. Në parlamentin e Kosovës, shpallej pavarësia dhe viheshin themelet e një shteti të vogël, të quajtur Kosovë. Kjo ishte një e arritur shumë e madhe, por ishte vetëm fillimi i një rruge të vështirë, të cilën e vazhdojmë edhe sot.

Sport

17/02/2020 15:19

Sfera të ndryshme si politika, sporti e arti do të duhej të bënin më të mirën për ta njoftuar arenën ndërkombëtare me Kosovën. Vendi ynë i vogël, me simbolet e reja, kishte nevojë të njihej nga vendet tjera. Dhe në këtë proces, sigurisht se një punë të madhe bëri sporti. Pas vitit 2008, edhe pse me vonesë, federata të ndryshme të sportit kosovar u pranuan edhe në federatat botërore, për të nisur kështu aventura të reja, edhe në arenën ndërkombëtare. Xhudo, futbolli, basketbolli e hendbolli do të ishin ambasadorët jo-politikë të Kosovës në botë. Këto sfera i dhanë krahët Kosovës, për  të dalur jashtë kufijve.

Gjatë kohës kur klasa politike do të luftonte me të gjitha forcat për të paraqitur Kosovën sa më mirë para vendeve të tjera, në Kosovë, por edhe në diasporë, djemë e vajza po punonin që një ditë të preknin majat në sportet përkatëse. Asokohe, Kosova do të krenohej me emra si Albert Bunjaku, Valon Behrami, Xherdan Shaqiri e Lorik Cana, por akoma më shumë do të vinin. Yje si Majlinda Kelmendi, Edon Zhegrova, Milot Rashica, Vedat Muriqi e Erjon Kastrati po rriteshin në Kosovë, në ‘tokën e djegur’.

Xhudo:

Në vitin 2008, shumë pak njerëz do të mendonin se sporti i xhudos do të zhvillohej në Kosovë. Akoma më pak do të kishte të atillë që do të mendonin se tetë vite më vonë, në këtë sport, Kosova do të merrte një medalje të artë, në kompeticionin më të rëndësishëm sportiv, Lojërat Olimpike. Por, njerëz si Driton Kuka, kishin punuar shumë në rritjen e këtij sporti, dhe rezultatet do të shiheshin më vonë. Pas pavarësisë së Kosovës, suksesi i parë i xhudos kosovare erdhi në vitin 2012, kur ajo u pranua në federatën ndërkombëtare të këtij sporti. Pas këtij momenti, synimi kryesor ishte të siguroheshin shërbimet e Majlinda Kelmendit, vajzës që po kthehej në ikonën e këtij sporti, e që tash mban epitetin e ‘Mbretëreshës së xhudos’.

Suksesi më i madh i Kosovës në fushën e sportit do të vinte pikërisht me vajzën pejane, e cila në Lojërat Olimpike 2016 në Rio de Janeiro, do të fitonte medaljen e artë, në kategorinë deri në 52 kilogramë. Sukseset për  xhudon kosovare nuk do të ndaleshin këtu. Emra si Nora Gjakova, Akil Gjakova, Distria Krasniqi e Loriana Kuka do të dominonin Grand Prix-at e Grand Slam-et ndërkombëtare, duke lartësuar flamurin e Kosovës.

E një koment për progresin e këtij sporti që nga viti 2008 e deri më sot ka dhënë edhe njeriu kryesor i këtij sporti në Kosovë, Driton Kuka.

“Prej shpalljes së pavarësisë, xhudoja ka arritur të gjitha medaljet që mund të arrihen dhe kjo flet mjaftueshëm për qëllimet dhe të arriturat që janë bërë. Ndoshta pritjet edhe janë tejkaluar, pasi është arritur medalja e parë e artë në një kampionat botëror, gjithashtu edhe medalja e artë Olimpike – jo vetëm pas pavarësisë, por as në të kaluarën nuk kishte medalje të artë olimpike për shtetin tonë, as si Kosovë në ish Jugosllavi” ka thënë fillimisht Kuka.

“Për 12 vite xhudo ka arritur të gjitha objektivat që mund t’i ketë një sport, në një vend të vogël si Kosova. Fillimisht kemi pasur vështirësi (çasja e institucioneve shtetërore në raport me xhudon) pasi xhudo nuk ishte sport i popullaziuar. Por, me shfaqjen e Majlindës në skenë edhe institucionet edhe populli kuptoi rëndësinë dhe nivelin e xhudos në Kosovë, por edhe nivelin e sportistëve tanë karshi sportistëve botëror. Tani po funksionon gjithçka ashtu si duhet, siç i ka hije një shteti” ka shtuar tutje trajneri i Majlinda Kelmendit.

Futbolli:

Xhudoja mund të ketë arritur më shumë suksese në arenën ndërkombëtare, por futbolli mbetet sporti më i popullarizuar dhe ai që ngjall më shumë emocion te sportdashësit kosovarë. Ndërkombëtarizimi i sportit ishte një nga ngjarjet që pritej me padurim, pas pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008. Ky moment do të vononte shumë, por lufta nuk do të ndalej. Gjatë kohës kur Fadil Vokrri me shokët po bënin ç’mos për pranimin e Kosovës në FIFA e UEFA, djemë e vajza që më vonë do ta përfaqësonin këtë vend në futboll po punonin e po rriteshin, në dhe jashtë Kosovës.
Përkundër faktit se ndërkombëtarizimi i futbollit po vononte, angazhimet nuk mungonin. Kosova do të luante ndeshjen e saj të parë pas pavarësisë së Kosovës, në vitin 2010, në dy vjetorin e pavarësisë, kundër Shqipërisë, në një ndeshje ku do të humbte 2:3.
Pas katër viteve pauzë, futbolli kosovar do të merrte lajme të mira, duke marrë leje nga FIFA që të luajë ndeshje miqësore. Të parën miqësore, Kosova e luante më 5 mars 2014, kundër Haitit, në Mitrovicë, ku gjithçka do të mbyllej 0:0. Në dy vitet e ardhshme, ‘Dardanët’ do të luanin me Turqinë, Senegalin, Omanin, Guinean dhe Shqipërinë. Progresi shihej vazhdimisht. Momenti i madh po afronte.

Më 13 maj të vitit 2016, Kosova do të pranohej në FIFA, me të drejta të plota. Në Budapest, në Kongresin e 66-të të FIFA-s, Kosova mori 141 nga 164 votat valide, për t’u bërë anëtare e FIFA-s. Gëzimi ishte i madh. Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës asokohe, Fadil Vokrri, finalizonte qëllimin e madh të gjithë sportdashësve në Kosovë. Ishim pjesë e shtëpisë më të madhe të futbollit në botë.

Në po të njëjtin vit, Kosova do të luante ndeshjen e parë miqësore si anëtare e FIFA e UEFA. Ishujt Faroe ishin kundërshtari i parë, dhe në këtë ndeshje, ‘Dardanët’ merrnin një fitore 2:0. Këtu fillonte sfida e dytë. Kosova duhej të afronte yjet e saj të shpërndarë në Evropë, për të komponuar një skuadër që do të garonte kundër gjigantëve evropianë. Njeriu që drejtonte Kosovën asokohe, Albert Bunjaki, po bënte një punë mjaft të mirë. ‘Arkitekti i kombëtares së Kosovës’ arriti të bindte emra të mëdhenj që t’i bashkohen projektit të tij.

Me Albert Bunjakin në krye, Kosova do të merrte pjesë në kualifikueset për botërorin 2018. Kjo do të ishte hera e parë që merrnim pjesë në një kompeticion zyrtar të organizuar nga FIFA, dhe gjithçka dukej si ëndërr. Rezultatet nuk ishin më të mirat të mundshme, por historia po bëhej.
Sukseset e Kombëtares së Kosovës në futboll do të vazhdonin edhe në Ligën e Kombeve, si dhe në kualifikueset për Kampionatin Evropian 2020, ku për këtë të fundit, qëndrojmë akoma në garë, me gjasa të mëdha.

Sigurisht, një punë e madhe u bë edhe në futbollin vendor, atë që quhet Superliga e Kosovës. Skuadra si Prishtina, Trepça (89) Drita, Gjilani, Drenica, Besa, Besiana, Hysi e Feronikeli mbajtën gjallë futbollin vendor. Prishtina, Drita, Feronikeli, Trepça 89 ishin skuadrat që përfaqësuan Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare, por pa arritur të shënonin ndonjë rezultat të madh. Por, sigurisht, përbrenda historikut – suksesi ishte aty.
Për krejt këtë progres të futbollit kosovar nga viti 2008 e këndej, disa fjalë ka thënë edhe kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës, z.Agim Ademi.

“Deri më tani, sigurisht se futbolli dhe sporti në përgjithësi ka avancuar. Nga 2008 mund të them se kushtet janë më të mira, por sidomos edhe rezultatet janë më të mira, gjë kjo që po dëshmohet, sidomos në kohet e fundit. Sa i përket futbollit, është në ngritje e sipër, edhe nga ana organizative por edhe me rezultate. Sigurisht se ka edhe më shumë për t’u bërë, pasi futbolli nuk përfundon kurrë, pasi çdo vit ka kompeticione të ndryshme” ka thënë fillimisht Ademi për lajmi.net.

“Gjithsesi, duke pasur parasysh prej ku kemi nisur, dhe sa kohë jemi të pranuar në UEFA, kohët e fundit me arritjen të bëhemi kampion të Ligës së Kombeve në grupin ku garuam, si dhe të jemi akoma në lojë për Euro 2020, dhe sidomos me suksesin e kategorive të reja, ku jemi akoma në garë, unë mendoj se futbolli ka përmbushur pritshmëritë, e ndoshta edhe janë tejkaluar nga skuadra A” ka shtuar presidenti i FFK.

“Normalisht, ne nuk do të ndalemi këtu, pasi jemi afër ëndrrës për Euro 2020. Besoj dhe shpresoj që marsi të na sjell edhe rezultatin tjetër, ku do të jemi në Kampionatin Evropian.”

“Momenti më kulminant anash pranimit në FIFA, do të jetë kualifikimi në Evropë (po ia lëmë marsit), por edhe triumfi në Ligën e Kombeve është një rezultat i pamohueshëm”, përfundoi Agim Ademi.

Basketbolli:

Një kulturë e basketbollit që kishte filluar qysh para luftës, do të pësonte ule e ngritje pas pavarësisë së Kosovës. Skuadra si Prishtina, Peja, Bashkimi, Trepça, por edhe Drita e Mabetexi, do të mbanin gjallë dashurinë për basketbollin në Kosovë.
Pas pavarësisë, mund të themi se vitet më interesante në basketbollin kosovar do të ishin mes 2010-2013, kur Dardan Berisha kthehej te skuadra e Pejës, Drilon Hajrizi printe Trepçën, e Edmond Azemi luante me Prishtinën, për të bërë që palestrat e Kosovës ‘të merrnin flakë’ çdo vikend.

Suksesi i parë i madh për basketbollin kosovar do të ishte pjesëmarrja në Ligën e Ballkanit BIBL (sezoni 2013/14), ku në këtë kompeticion, Kosova paraqitej me skuadrën e Prishtinës, e cila do të ishte një befasi e këndshme. Në vitin 2014, Prishtina organizonte ‘Final Four’ të kësaj gare, kur përundonte në pozitën e katërt.

Skuadra kryeqytetase arriti të shpallej kampione e kësaj gare në vitin 2016, kur në finale fitonte kundër Mornarit, për të shënuar një prej momenteve më të mëdha në basketbollin kosovar deri në atë kohë.

Por, momenti më i madh nuk kishte ardhur akoma. Pas shtatë viteve pritje (2015), në Mies të Zvicrës, Kosova bëhej anëtarja e 215-të e FIBA-s. Këtu edhe zyrtarisht shënohej ndërkombëtarizimi i basketbollit kosovar.

Sukseset e skuadrave kosovare edhe pas pranimit në FIBA do t’i vazhdonte skuadra e Prishtinës, e cila më vonë do të luante edhe në FIBA Europe Cup dhe Champions League.

Përveç pranimit në FIBA, një nga sukseset më të mëdha në basketbollin e Kosovës erdhi me kombëtaren U18, e cila u shpall Kampione e Evropës, në divizionin C duke mposhtu Qipron në finale. Gjithashtu, si sukses nga FBK mund të cilësohen edhe organizimi i FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C, në Prishtinë, që nga FIBA dhe të gjithë pjesëmarrësit është vlerësuar si një organizim i suksesshëm dhe për t’u lavdëruar në çdo aspekt (viti 2018). Në të njëjtin vit, Federata e Basketbollit të Kosovës ka arritur që të siguroj të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian U-20, divizioni B, në kategorinë e femrave, që gjithashtu shkoi shumë mirë në aspektin organizativ.

Një Prishtinë me bazë të fortë ekonomike ishte ajo që dominoi basketbollin kosovar në këto vite. Kurse, humbje të mëdha basketbollit kosovar i shkaktoi dobësimi i Pejës, Trepçës e Bashkimit, në aspektin financiar, që pastaj la shenja edhe në parket, por edhe në tribuna, që për disa vite mbeten bosh. Rritja e Golden Eagle Yllit dhe Rahovecit ka shënuar një kthesë të mirë në dy vitet e fundit.

Për gjitha këto ndodhi në basketbollin kosovar pas pavarësisë së Kosovës, disa komente ka dhënë trajneri i njohur Albert Sylejmani, i cili në këto vite ka bërë punë të palodhshme me gjeneratat e reja në basketbollin kosovar.

 “Ashtu si shteti ynë që ka pas dhe vazhdon të ketë shumë sfida, edhe basketbolli qëndron në të njëjtën situatë. Kemi shumë të mira, por edhe shumë të këqija që po e përcjellin basketbollin në vendin tonë” ka thënë fillimisht Sylejmani.

“E mira më e madhe është pranimi në shtëpinë e basketbollit (FIBA), më pas dalja në arenën ndërkombëtare, pjesëmarrja me përfaqësueset e  ndryshme në kampionate evropiane dhe kualifikime të ndryshme, pjesëmarrja e skuadrave kosovare në kompeticione ndërkombëtare (FIBA EUROPE CUP, CHAMPIONS LEAGUE, BIBL etj)” shtoi trajneri kondicional aktual i Kombëtares së Shqipërisë në basketboll.

“Por, duke parë rezultatet e arritura shihet qartë se jemi larg pritshmërive tona. Në shumicën e rasteve përveç paraqitjes nuk mund të krenohemi me asgjë tjetër për shkak të rezultateve të dobëta që kemi pasur, me disa përjashtime të vogla. Sfidë mbetet puna sistematike në klubet e basketbollit, ngritja e kapaciteteve profesionale në shkollat e basketbollit dhe puna me gjeneratat e reja, avancimi dhe shkollimi i trajnerëve dhe gjyqtarëve etj. Poashtu, duhet të shikohet shumë seriozisht sistemi i garave për shkak se kemi numër shumë të madh të lojtarëve të huaj dhe numër minimal të lojtarëve vendorë që po i shohim në parket. Çdo ditë e më pak kemi lojtar të ri për shkak të mungesës së investimeve në gjeneratat e reja. Kemi mungesë të madhe të investimeve në infrastrukturë, kemi kushte të dobëta nëpër palestra, çka e vështirëson edhe më shumë funksionimin e mirëfilltë të basketbollit. Andaj me pak fjalë duhet një riorganizim i tërësishëm në vendin tonë” ka thënë ndër të tjerash ish selektori i Kombëtares së KosovësU18 në basketboll.

Hendbolli:

Anash futbollit, basketbollit e xhudos, edhe hendbolli po luftonte me të gjitha forcat që të bënte një reklamë sa më të mirë për Kosovën. Një sport jo shumë i popullarizuar në Kosovë, por që po ia dilte shumë mirë të hapte rrugë për veten në arenën ndërkombëtare, do të arrinte më vonë që të bënte organizime të mëdha në Prishtinë.

Në hendbollin vendor, në kategorinë e meshkujve, skuadra si Besa, Prishtina, Kastrioti e Vëllazënimi arrinin që të bënin kampionatin sa më interesant. Gjatë viteve pas pavarësisë së Kosovës, ishte skuadra e Besës ajo që pati një dominim më të madh në hendbollin kosovar.

Hendbolli kosovar do të ndërkombëtarizohej në vitin 2015, në Sochi të Rusisë, kur do të bëhej anëtarja numër 200 e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF). Edhe pse kishte disa shtete kundër, delegacioni kosovar në krye me Eugen Saraçinin do të arrinte që të grumbullonte votat e duhura për t’i bërë sportit kosovar një dhuratë të madhe.

Kosova do të arrinte suksese të mëdha me gjeneratat e reja të kombëtares, por do të linte gjurmë edhe me kombëtaren A, duke bërë paraqitje të mira nëpër kualifikuese. Arritje e madhe për hendbollin kosovar ishte triumfi i Kosovës U18 në IHF Trophy Intercontinental, kur në finale mposhte Britaninë e Madhe me rezultatin 36:31.

Sukses tjetër për hendbollin kosovar dhe ndoshta suksesi më i madh ishte kualifikimi i Kosovës U21 në Kampionatin Botëror. Kosova U21 arriti të kualifikohej për botërorin 2019 që u mbajt në Spanjë. Krejt këtë, hendbollistat e Kosovës U21 e arritën me fitoren në IHF Trophy Intercontinental. Kjo ishte hera e parë që Kosova merrte pjesë në një ngjarje të tillë, në një sport kolektiv.

Për progresin në hendbollin kosovar nga viti 2008 e tutje, disa fjalë ka thënë edhe Eugen Saraçini, i cili dha një kontribut të pashoq për këtë sport, gjatë këtyre viteve.

“Kur për sportet tjera ishte ende vetëm një ëndërr shumë e largët, për Federatën e Hendbollit të Kosovës ishte një realitet. Më shumë se një dekadë para të tjerëve në kemi nisur të luajmë ndeshje zyrtare evropiane. Madje një të tillë, me shumë peshë, e kemi luajtur më 16 shkurt të vitit 2008, vetëm një natë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Me ndeshjen mes hendbollistëve të Prishtinës dhe Arkatronit bjellorus vetëm e trazuam rrugën për pranim të plotë në asociacionet ndërkombëtare të hendbollit. Ishte një ndeshje që ende mbahet mend, e luajtur para 3000 shikuesve”, ka thënë fillimisht Saraçini.

“ Pas shpalljes së Pavarësisë punuam me vullnet edhe më të madh për të arritur ndërkombëtarizimin e plotë. Zhvilluam shumë takime, shpesh shumë të vështira, në vende të ndryshme evropiane, por edhe në Tunizi, Katar e çdo pjesë të botës. Në një mënyrë detyruam Federatën Evropiane dhe atë Botërore të pranojë Federatën tonë si subjekt të barabartë me shtetet tjera dhe njëherit të forcohet edhe shtetësia e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, shtoi tutje i pari i FHK-së.

“Mbeten të paharruara punimet e Kongresit të 12-të të EHF-së që u mbajt në Dublin të Irlandës më 19 e 20 shtator të vitit 2014. Me shumë mund dhe lobim federata jonë u pranua me të drejta të plota në Federatën Evropiane dhe kjo bëri pastaj që edhe institucionet tjera të pranohen në organizatat tjera sportive si Komiteti Olimpik I Kosovës dhe shumë federata tjera sportive”.

“Gjatë këtyre viteve, FHK ngriti hendbollin kosovar në nivel te lartë në të dy konkurrencat, femra dhe meshkuj, duke qenë gjithnjë garues dhe jo pjesëmarrje në fazën fillestare por thuajse elite, por paralelisht duke e propaganduar edhe Republiken e Kosoves edhe në shtete ku as që paramendohej, si Rusi, Spanjë, Serbi, Sllovaki, Bjellorusi, Rumani e shume të tjera, për çka mendojmë se kjo ditëlindje e 12-të do t’i sjell Kosovës edhe pjesëmarrje ne Kampioantin  Ëvropian sepse puna, mundi, sakrifica dhe mbi te gjitha dashuria ndaj shtetit do të shpërblehet”, potencoi Saraçini, kryetari aktual i FHK-së.

Anash sukseseve të mëdha që pati Kosova në sferën e sportit në këto vite pas shpalljes së pavarësisë, kishte edhe dy humbje të mëdha. Ndarja nga jeta e legjendës kosovare të futbollit dhe ish Presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, por edhe aksidenti tragjik i basketbollistit të Kombëtares së Kosovës, Gazmend Sinani, ishin dy ngjarjet që lanë shijen më të keqe në sportin tonë. /Lajmi.net/