12 dëshmitarë kundër komandant “Ujkut” në Gjykatën Speciale

Sot në Gjykatën Speciale do të mbahet seanca kundër Pjetër Shalës, i njohur me nofkën “Komandant Ujku”.

Lajme

23/04/2021 09:41

Kjo seancë do të jetë konferenca e parë mbi ecurinë e çështjes, pas asaj fillestare ku Shala u deklarua i pafajshëm për të katër akuzat që rëndojnë mbi të, shkruan lajmi.net.

E para seancës së sotme, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dërguar parashtresat e saja mbi çështjet që pritet të diskutohen sot.

ZPS në parashtresat e saja ka thënë se aktakuza kundër Shalës është mbështetur në dëshmitë e katër personave. Përveç tyre, Prokurori i Specializuar ka thënë se parashikon edhe shtimin e tetë dëshmitarëve të tjerë, që gjithësejt numri shkon në 12.

“Për më tepër,  ZPS u mbështet te katër (4) dëshmitarë për qëllime të Aktakuzës së Konfirmuar dhe synon të mbështetet përsëri tek ata për gjykim. SPO aktualisht parashikon shtimin e përafërsisht tetë (8) dëshmitarëve të tjerë te lista për gjykim, megjithëse numri përfundimtar i dëshmitarëve mund të ndryshojë, varësisht nga rezultati i hapave të mbetur hetues”,  thuhet në parashtresën e Prokurorisë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar po ashtu ka njoftuar se tashmë ka nisur zbulimi i materialit të saj për mbrojtjen dhe se do t’i përmbahet afateve ligjore për ta përfunduar këtë proces.

Pjetër Shala ishte anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i stacionuar në Kukës, Shqipëri.

Aktakuza kundër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i redaktuar u bë publik më 15 prill 2021.

Krimet për të cilat akuzohet Shala, pretendohet se u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së.

Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të RFJ-së dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime.

Pjetër Shala akuzohet për: Ndalim arbitrar, Trajtim mizor,  Torturë,  Vrasje së paligjshme.

Në aktakuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar përmenden edhe emra tjerë, përfshirë Sabit Gecin e Xhemshit Krasniqin. /Lajmi.net/