Deda: Kriza politike e sjell komisionerin Hahn në Kosovë

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Johannes Hahn, do të vijë në Kosovë për të biseduar për krizën politike me liderët kosovarë, ka thënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda.

Lajme

02/02/2016 19:12

Deda këto komente i ka bërë në Info Magazine të Klan Kosovës, menjëherë pas kthimit nga vizita në institucionet kryesore të Bashkimit Europian – në Parlamentin, Komisionin dhe Këshillin Europian.

“Ka gatishmëri të komisionerit Johannes Hahn, ku ai ka thënë se do të vijë ne Kosovë dhe do t’i takojë të gjithë liderët politik. Prej momentit që Kosova ka nënshkruar MSA-në ekziston një përgjegjësi e dy anshme në mes Brukselit dhe Prishtinës, kjo është përgjegjësi që e merr BE-ja për ta ndihmuar Kosovën dhe është përgjegjësi që ia kemi dhënë ne me këtë marrëveshje”, ka thënë Deda.

“Zoti Hahn nuk vjen për liberalizim të vizave në Kosovë. Mesazhet kanë qenë që kriza të përfundojë, mesazh tjetër është përmirësim i klimës politike, luftim të korrupsionit dhe është thënë se nëse nuk plotësohen tetë kriteret plotësisht për liberalizmin e vizave ne nuk do të marrim drite jeshile”, tha Deda.

Ai shtoi se kjo ishte “vizita më e vështirë që unë individualisht kam marr pjesë në Bruksel”.

“Kosova më nuk duket një vend serioz në BE. Shihet një zhgënjim i madh te mbështetësve tanë për Kosovën, e sheh sa në shpërputhje është realiteti jonë me atë në Bruksel”.

“Në shekullin 21 problemet e mëdha politike zgjidhen në tryeza politike. Ne kemi hy në një finale të kësaj krize politike dhe epilogu do të jenë zgjedhjet e reja parlamentare”, tha ai.