Prokurorja demanton Sava Janjiçin: Të arrestuarit afër manastirit, s’dyshohen për terrorizëm

Katër të arrestuarve dy ditë më parë në afërsi të Manastirit të Decanit, gjyqtarja e procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Pejë u caktoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Ndërkohë, prokurorja e rastit deklaron se ata dyshohen vetëm për armëmbajtje pa leje.

Lajme

02/02/2016 16:45

Gjyqtarja në Gjykatën Themelore në Pejë, Violeta Usaj-Rugova,konfirmoi  lajmin për masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj katër shtetasve kosovarë të arrestuar dy ditë më parë në afërsi të Manastirit të Deçanit.

Gjyqtarja deklaroi sot se të paraburgosurit janë të dyshuar për armëmbajtje pa leje, raporton Evropa e Lirë, transmeton lajmi.net.

Edhe Valbona Haxhosaj, prokurore e rastit, deklaroi se katër personat në fjalë janë duke u hetuar vetëm për armëmbajtje pa leje.

“Nuk ka asnjë dyshim që [të njëjtit] kanë lidhje me terrorizëm dhe diçka e tillë nuk është vërtetuar. Unë jam duke hetuar vetë për armëmbajtje pa leje”, ka thënë Haxhosaj.

Më 30 janar, rreth orës 21:00, në afërsi të Manastirit të Deçanit, Policia arrestoi  katër personat e dyshuar.

Të ndaluarve u janë gjetur dhe konfiskuar një AK/47 me 20 copë fishekë, si dhe një pistoletë me 16 copë fishekë të kalibrit 9 mm.

Menjëherë pas rastit, Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiç, shpejtoi ta deklarojë se të arrestuarit kishin lidhje me organizatën terroriste  ISIS, raporton lajmi.net.

Por këto  pretendime  u hodhën poshtë nga organet e rendit, sipas të cilave, të dyshuarve u janë gjetur vetëm armë pa leje./lajmi.net