LDK: Qytetarët janë të shqetësuar nga dështimet e Shpend Ahmetit

Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se dështimet e njëpasnjëshme të qeverisë komunale në të gjitha dikasteret e saj, kanë ngritur nivelin e shqetësimeve të qytetarëve të Komunës së Prishtinës.

Lajme

01/02/2016 23:22

Prandaj, sipas një njoftimi të LDK-ës, grupet profesionale të kësaj partie intensivisht dhe me përkushtim do të angazhohen, secili në fushën e vet, që të mobilizojnë fuqinë vepruese politike që të pengojnë vazhdimin e kësaj keqqeverisjeje sepse dëmet dhe pasojat po reflektohen dhe do të reflektohen drejtpërsëdrejti në standardin e qytetarëve dhe po e dëmtojnë interesin e mirëqenies qytetare.

“Mosrealizimi i të hyrave vetanake, punësimi masiv me kontratë mbi vepër i militantëve partiakë, mosrealizimi i projekteve kapitale në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në Drejtorinë e Planifikimit dhe në disa drejtori tjera, mosrealizimi i asnjë projekti serioz gjatë këtij viti buxhetor, vazhdimi i politikës shantazhuese ndaj ndërmarrjeve komunale, mos ndërtimi i asnjë objekti shkollor për dy vite qeverisjeje, favorizimi i grupeve të interesat në industrinë ndërtimore që paraqet njërën nga më shkeljet drastike ligjore, afera me naftën apo furnizimi i institucioneve shkollore me naftë në mënyrë joligjore janë vetëm disa nga dështimet dhe politikat keq qeverisëse të kësaj qeverie në Komunën e Prishtinës në krye me Shpend Ahmetin, ndër të tjera, u konstatua në këtë takim”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

“LDK dhe trupat profesionale të saja, në Komunën e Prishtinës, vazhdimisht do t’i njoftojnë qytetarët dhe elektoratin lidhur me zhvillimet e përditshme në Komunë me qëllim që secili të mund të ndihmojë dhe të ndikojë që mirëqenia dhe politikat qeverisëse të zhvillohen në përputhshmëri me nevojat e tyre”, thuhet më tej aty.

Këto komente u bën pas takimit që u mbajt në zyrat qendrore të Komisioneve të pesë Degëve të LDK-së. Takimin thotë se e ka mbajtur me qëllim të intensifikimit të aktiviteteve politike dhe të koordinimit të veprimit politik dhe organizativ në fushat përkatëse përfaqësuese.

Në këtë takim, përveç kryesuesve të këtyre komisioneve dhe Kryesisë së Kolegjiumit, morën pjesë edhe shefi i grupit të këshilltarëve komunalë të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës, Sami Hamiti si dhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prishtinës, Halim Halimi.