Gashi: Thaçi nuk duhet të bëhet President për shkak të kaluarës së tij

Deputeti i LDK-së Arben Gashi thotë se Hashim Thaçi nuk duhet të zgjidhet President për shkak të kaluarës së tij.

Lajme

01/02/2016 21:53

Ai thotë se opozita po e pamundëson edhe votimin kundër Thaçit për postin e Presidentit me veprimet e saj të dhunshme.

“Nëse më pyesni ju mua se pse Thaçi nuk duhet të jetë President…Nuk duhet të jetë për shkak të kaluarës së tij, vendimet që ka ndërmarrë, raporti i Dick Martyt, etj”, ka thënë ai në Zona B të Klan Kosovës.

Dhuna në Parlamentin e Kosovës dhe dhuna e shkaktuar nga protestat e Opozitës në Kosovë shumë miq të vendit i ka shndërruar në abstenues dhe shumë të tillë që dikur kishin pozicion dyshues, tashmë janë shndërruar në kundërshtarë.

Kështu ka thënë në emisionin Zona B, deputeti Arben Gashi, i cili posa është kthyer nga një udhëtim në institucionet kryesore të Bashkimit Europian.

Gashi tha se pamjet dhe dhuna e shfaqur kohëve të fundit ka shqetësuar edhe vendet që kanë qenë mbështetësit kryesore të Pavarësisë së Kosovës.

“Kemi pasur vizita në Parlamentin, Komisionin dhe Këshillin Europian dhe në këto takime ka pasur disa tema kryesore që janë diskutuar. Ata na kanë thënë se Kosova nuk mund të lejojë këtë situatë, dhe se pamjet e kohëve të fundit janë diskurajuese”, ka thënë Gashi.

“Këto i kanë thënë në takimet që kemi pasur me anëtarët e Parlamentit Europian që vinë nga Partitë Popullore. Ata janë shumë të shqetësuar”.

“Edhe me takimet e tjera si me komisionerin Johanes Hahn ishte temë kryesore dhuna në Kosovë, e cila ka shkaktuar pasoja”

“Përkrahësit e Kosovës janë shndërruar në abstenues kurse abstenuesit në kundërshtarë”.

“Koktejtë e molotovit dhe hedhja e veve janë përmendur, po ashtu në mënyrë specifike”.

“Ka shqetësim edhe nga vendet përkrahëse, siç janë Gjermania për shembull , po ashtu edhe në Francë edhe në Austri dhe në Holandë”, ka thënë Gashi në Zona B.