Kosova kundër Shqipërisë, për kë do të jenë tifoz Plisat?

“Plisat” nuk e njohin Përfaqësuesen e Kosovës, të cilën nuk e kanë parë asnjëherë nga afër. Por, një gjë të tillë do ta bëjnë në nëntor, kur në stadiumin e Prishtinës do të zhvillohet miqësorja ndërmjet Kosovës dhe Kombëtares Shqiptare, të cilën tifozët prishtinas e vlerësojnë përfaqësuese të vërtetë të shqiptarëve. Andaj, thonë se do ta vazhdojnë thirrjen e famshme: “Ku ka plisa, është Shqipëri!”. Nder të madh ekipit kuqezi thonë se do t’i bëjnë edhe tifozët zyrtarë të Kosovës, “Dardanët”

Sport

20/10/2015 12:58

Kosova deri më tani i ka zhvilluar pesë ndeshje miqësore ndaj shteteve tjera, por në asnjërën prej tyre nuk kanë qenë prezentë tifozët e njohur prishtinas, “Plisat”. Qëndrimi i këtyre të fundit tashmë është i njohur botërisht, shkruan sot Gazeta Zëri. Ata konsiderojnë se Kombëtarja Shqiptare është skuadra e vetme e futbollit që e përfaqëson kombin shqiptar, ndërsa e shohin të panevojshëm formimin e reprezentacionit kosovar.

Është pikërisht skuadra kuqezi ajo që është bërë sebep që “Plisat” më në fund ta shohin nga afër edhe ekipin shtetëror të Kosovës. Kjo pasi në muajin e ardhshëm Shqipëria do të zbarkojë në Prishtinë për ta zhvilluar një miqësore me Kosovën, përmes së cilës kuqezinjtë do ta festojnë edhe me tifozët kosovarë kualifikimin në Kampionatin Evropian “Franca 2016”, siç bënë para pak ditësh në Tiranë.

Sigurisht, “Plisat” do të jenë në një pozicion të padëshiruar, por megjithëkëtë tashmë kanë plan për ta menaxhuar situatën. Ata thonë se do të shprehin respekt për futbollistët e ekipit kosovar. “Edhe ata janë shqiptarë, janë futbollistë tanë dhe më të mirët e ekipit nga Kosova mund t’i bashkohen Shqipërisë”, thotë për “Zërin” Albert Kastrati, prijësi i “Plisave”. “Mirëpo, stadiumi do të jetë krejtësisht vetëm kuqezi. Ne, “Plisat” e kemi ftuar Kombëtaren përmes presidentit, Armend Duka. Kështu që ne do të merremi me organizim, normalisht në koordinim edhe me dy federatat dhe institucione tjera”, potencon ai.

Numri 1 i  “Plisave”, i njohur me nofkën “Tigri”, thekson se stadiumi i kryeqytetit do të duket krejtësisht kuq e zi, derisa paralajmëron atmosferë spektakolare në nderim të kuqezinjve që do të garojnë në ngjarjen më të madhe të futbollit evropian. “Gjithçka do të jetë kuq e zi. Do të ketë koreografi dhe atmosfera do të jetë e paparë”, paralajmëron ai.

“Përpos “Plisave” do të vijnë edhe tifozët tjerë të Kombëtares, si: “Kuqezinjtë e Jakovës, “Arpaxhikët”, “Forca”, “Fikshat”, e normalisht edhe “Tifozat Kuq e Zi”. Por, i mirëpresim edhe gjithë tifozët dhe qytetarët tanë që janë krenarë me Kombëtaren Shqiptare”, potencoi “Tigri”.

“Tigri”: S’ka “Dardanë”, të gjithë me Shqipërinë

Deri më tani Përfaqësuesja e Kosovës nuk ka pasur ndonjë mbështetje aq të madhe nga grupet e tifozëve të organizuar, përpos në ndeshjen e parë të cilën e pati zhvilluar ndaj Haitit. Në stadiumin “Adem Jashari” patën “debutuar” edhe tifozët e parë zyrtarë të Kosovës me emrin “Dardanët”, të cilës po ashtu e duan Shqipërinë, por e ndjejnë për obligim ta mbështesin edhe Kosovën. “Nuk do të ketë asgjë tjetër në stadium, ngjyrave kuqezi dhe nderit ekskluziv që do t’ia bëjmë Kombëtares Shqiptare. Të gjithë të pranishmit do ta nderojmë Kombëtaren”, thotë kryetari i “Plisave”.

“Plisat” besojnë në bashkim kombëtar

Shumë shpejt edhe Kosova pritet të dalë në arenën ndërkombëtare dhe kjo do ta lërë të hapur mundësinë që në një të ardhme Kosova të luajë kundër Shqipërisë në kërkim të një fitoreje të rëndësishme në ndonjë garë ndërkombëtare. “Ne nuk besojmë se kjo do të ndodhë. Ne jemi të bindur se bashkimi kombëtar do të ndodhë dhe kjo do ta shkrijë ekipin e Kosovës në Kombëtaren e shqiptarëve”, tha Albert Kastrati.

“Dardanët” e Kosovës e duan Shqipërinë

Pasi FIFA e lejoi Kosovën të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare, grupe të tifozëve kosovarë u mblodhën dhe e formuan një grup të përbashkët me emrin “Dardanët”, që tani konsiderohet si grupi zyrtar i tifozëve të përfaqësueses kosovare. Grupet e tifozëve, të cilat formuan grupin masiv “Dardanët” janë: “Torcidat” nga Mitrovica, “Skifterët” dhe “Intelektualët” nga Gjilani, “Ujqit” nga Ferizaj, “Shqiponjat” nga Peja, “Shqiponjat e Zeza” nga Skenderaj, etj.

Zëri shkruan se këto grupe gjithnjë në të kaluarën e kanë mbështetur Kombëtaren Shqiptare, kur futbolli kosovar ishte tmerrësisht i izoluar. Por, pasi FIFA e lejoi ekipin shtetëror të Kosovës të zhvillojë miqësore, këto grupe nisën ta përkrahin edhe ekipin e Albert Bunjakut, po vazhduan njëkohësisht ta mbështesin Shqipërinë, sikurse në të kaluarën.

“Shikoni, ne e duam Kombëtaren e Shqipërisë, kurse e respektojmë Përfaqësuesen e Kosovës. Kjo shpjegon shumëçka rreth qëndrimit tonë si “Dardanë” apo si grupe të tifozëve nga Kosova që e përbëjmë grupin “Dardanët””, thotë prijësi i “Dardanëve”, Adnan Musa, i njohur si “Naki”.

“Ne ende nuk jemi tubuar si grupet për të diskutuar rreth ndeshjes mes Kosovës e Shqipërisë, por sigurisht se do të jemi për të bërë spektakël shqiptar. Kombëtarja na ka nderuar duke u kualifikuar në Kampionat Evropian, po ashtu po na nderon duke ardhur te ne e normalisht që edhe ne do t’i nderojmë ata futbollistë që bënë çmos për ta bërë krenar një komb”, potencoi “Naki”.

“Dardanët”, veç për spektakël në Prishtinë

Prijësi i “Dardanëve” thotë se në ndeshjen miqësore të nëntorit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ky grup i tifozëve nuk e ka ndërmend të anojë më tepër për njërin ekip sesa për ekipin tjetër. “Do të jemi shumë neutralë. Ne do të bëjmë veç spektakël për t’i nderuar ata djem që na bënë krenarë duke shkuar në Evropian dhe për djemtë tjerë që bëjnë gjithçka për t’iu përgjigjur pozitivisht ftesës së Kosovës, kur vendi ynë ende nuk është anëtare e UEFA-s dhe FIFA”, u shpreh për “Zërin” Adnan Musa.

Ai e ka një mendim të njëjtë me kreun e “Plisave”, Albert Kastratin. “Ne e ndjemë për obligim ta respektojmë Përfaqësuesen tonë, por normalisht se zemra rrah ndryshe për Kombëtaren. Shpresojmë që Kombëtarja ta shohë ndonjë lojtar në Kosovë dhe ta marrë në Kampionatin Evropian”, tha Musa.

Duan bashkim kombëtar

Pavarësia e Kosovës, e shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, ka bërë që grupet e tifozëve nga Kosova të kenë pikëpamje të ndryshme rreth futbollit mbarëshqiptar. Disa grupe tifozësh e mbështesin gjithnjë Kombëtaren Shqiptare e njëkohësisht  shprehin respekt për Përfaqësuesen e Kosovës.

Por, ka të atillë që as që e njohin ekipin shtetëror, duke konsideruar se Kombëtarja Shqiptare është përfaqësuesja e vetme e vërtetë e kombit shqiptar. Por, kur bisedon me ta është shumë e lehtë ta vëresh dëshirën e tyre. Vazhdojnë të jenë ithtarë të bashkimit kombëtar, ndërsa janë plot optimizëm se ky projekt do të jetësohet në një të ardhme të shpejtë.

Kosovë – Shqipëri, veç himni kombëtar

Në miqësoren e nëntorit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë në stadiumin e Prishtinës do të dëgjohet himni kombëtar shqiptar, por jo edhe ai shtetëror i Kosovës. Ky i fundit pritet të zëvendësohet me atë të FIFA-s, e cila e ka lejuar Kosovën të zhvillojë miqësore ndërkombëtare, por pa simbole shtetërore dhe me fusnotë.